Shatri: Pas pavarësisë, në Kosovë ka munguar strategjia zhvillimore dhe konsistenca në politikat zhvillimore

Sipas Haki Shatrit, mungesa e një stabiliteti politik (asnjë qeveri e Kosovës së pavarur nuk ka arritë të përfundojë deri në fund mandatin kushtetues), mungesa e infrastrukturës ekonomike, sundimit të rendit dhe të ligjit, prezenca e krimit ekonomik të organizuar, korrupsionit, informalitetit, etj., dekurajuan ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Roli i qeverive në zhvillimin ekonomik nuk është ndier mjaftueshëm në eliminimin e dukurive negative, në raste edhe i kanë ushqyer dhe përkrahur disa, si bie fjala keqmenaxhimi i parasë publike, korrupsioni etj. Por, të meta kishte edhe në përcaktimin e përparësive infrastrukturore dhe në formimin e kapitalit social, me një fjalë në efikasitetin e shpenzimeve publike. Shumica e qeverive pas pavarësisë, nuk i kanë kushtuar kujdes prioritetit të investimeve në energji, në ujë dhe në telekomunikim.

Buletini Ekonomik

Haki Shatri, ish-ministër i Financave dhe njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik, duke i bërë një vështrim retrospektiv zhvillimeve ekonomike të pasluftës, ka thënë se përfundimi i luftës, Kosovën e gjeti nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, UNMIK-ut. E plaçkitur dhe e eksploatuar nga okupatori serb në vitet e nëntëdhjeta dhe e rrënuar nga lufta, në periudhën e Administrimit të Kosovës nga UNMIK-u (qershor 1999-shkurt 2008), filloi ndërtimi i institucioneve, infrastrukturës ligjore, rindërtimit të vendit dhe i tranzicionit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, në këtë periudhë u arrit që të vendoset një stabilitet makroekonomik, të ndërtohen institucionet dhe kuadri i sistemit fiskal, u krijuan kushtet për tregtinë e lirë, u krijua infrastruktura ligjore për nxitjen e iniciativës private, për fillimin e procesit të privatizimit dhe u vendos që mjet zyrtar pagese të përdoret fillimisht marka gjermane e pastaj euro. Pra, paralelisht me krijimin e institucioneve të shtetit filloi edhe procesi i tranzicionit përmes procesit të privatizimit dhe ndërtimit të sistemit politik pluralist dhe sistemit të ekonomisë së tregut.

“Nuk mendoj që Kosova në periudhën e pas luftës ka patur ngecje në zhvillim. Përkundrazi, Kosova ka realizuar ritëm relativisht të lartë të zhvillimit të matur me normën e rritjes së GDP-së si indikator themelor i rritjes ekonomike. Por kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat është ballafaquar popullsia e Kosovës si varfëria, papunësia, infrastruktura, shërbimet, etj”, tha Shatri.

Pra, rritja, edhe pse dinamike, krahasuar me vendet tjera, ishte e pamjaftueshme për shkak të bazës së ulët fillestare të zhvillimit. Në këtë periudhë është realizuar edhe rritje e GDP-së nga 3,5% deri në 7% në vitet e zhvillimit normal. Ka vite të ngecjes si në vitin 2005 si pasojë e ngjarjeve të vitit 2004, pastaj në vitin 2020 kur kemi rënie 5,3% për shkak të pandemisë dhe pastaj rritje 10,7% në vitin 2021 e matur me vitin 2020, pra kur kemi vite jo të rëndomta. Por, në këtë periudhë Kosova ka dështuar të përgatisë një Strategji Zhvillimore si faktor të rëndësishëm të zhvillimit.

Shatri shton se mungesa e strategjisë zhvillimore ka bërë që që nga shpallja e pavarësisë e këndej prioritetet zhvillimore të përcaktohen nga vullneti individual i drejtuesve të shtetit. Ai thotë se po ashtu mungesa e një stabiliteti politik (asnjë qeveri e Kosovës së pavarur nuk ka arritë të përfundojë deri në fund mandatin kushtetues), mungesa e infrastrukturës ekonomike, sundimit të rendit dhe të ligjit, prezenca e krimit ekonomik të organizuar, korrupsionit, informalitetit, etj., dekurajuan ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Kuptohet që ekonomia e Kosovës me bazën e vet të dobët nuk kishte aftësi akumuluese për sigurimin e mjeteve për investime pa kapitalin plotësues nga jashtë.

Gjithashtu Shatri ceku se roli i qeverive në zhvillimin ekonomik nuk është ndier mjaftueshëm në eliminimin e dukurive negative të cekura më lartë, në raste edhe i kanë ushqyer dhe përkrahur disa, si bie fjala keqmenagjimi i parasë publike, korrupsioni etj. Por, sipas tij, të meta kishte edhe në përcaktimin e përparësive infrastrukturore dhe në formimin e kapitalit social, me një fjalë në efikasitetin e shpenzimeve publike.

“Më konkretisht, shumica e qeverive pas pavarësisë, nuk i kanë kushtuar kujdes prioritetit të investimeve në energji, në ujë dhe në telekomunikim. Nuk është punuar në ristrukturimin e ekonomisë, është nënçmuar arsimi, shëndetësia dhe shfrytëzimi i teknologjive të reja. Nuk është punuar në aftësimin e kapitalit human për nevojat e ekonomisë dhe tregut të punës. Thjesht ka munguar strategjia zhvillimore dhe konsistenca në politikat zhvillimore”, thotë tutje Haki Shatri. /Buletini Ekonomik/