Telekomi: Pëmbaruesi inkasoi jashtëligjshëm 14 milionë euro më tepër se borxhi real nga vendimi i Arbitrazhit

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Ministria e Drejtësisë javën e kaluar ka suspenduar përmbaruesin privat Ilir Mullhaxha, i cili pritej të përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit në rastin me Zmobile. Këtë vendim e kanë quajtur të paligjshëm avokatët e Mulhaxhës.

Por, sipas Telekomit të Kosovës, reagimi i avokatit të përmbaruesit privat, Fisnik Sogojeva dhe “avokatit” tjetër Arben Gashi (Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat), ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, duhet të shqetësojë çdo qytetar të vendit

Sipas kompanisë publike, përmes shkeljeve përmbaruesi ka inkasuar jashtëligjshëm nga Telekomi i Kosovës shumën prej rreth  14 milionë euro më tepër sesa që ishte paraparë me vendimin e Arbitrazhit ndërkombëtar.

Reklama e sponzorizuar
Reagimi i plotë i Telekomit të Kosovës:

U inkasuan me detyrim 14 milionë € më tepër se borxhi real nga Vendimi i Arbitrazhit!

Reagimi i avokatit të përmbaruesit privat Fisnik Sogojeva dhe “avokatit” tjetër Arben Gashi (Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat), ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për pezullimin e përkohshëm të licencës së përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha, duhet të shqetësojë çdo qytetar të këtij vendi.
Telekomi i Kosovës e sheh të nevojshme të shprehë keqardhje që Kryesuesi i Odës së Përmbaruesve Privat, z. Arben Gashi, jo vetëm që luan rolin e avokatit të z. Mulhaxha, por qëllimisht as nuk e dallon rolin e një përmbaruesi privat prej rolit të një inkasuesi të thjeshtë të borxhit. Për më keq, z. Gashit dhe z. Sogojeva as qe u intereson hulumtimi i se vërtetës rreth dëmit të shkaktuar ndaj Telekomit. Përkundrazi, të njëjtit përpiqen që çështjen kyçe, pra dëmin ndaj Telekomit, ta mënjanojnë nga diskutimi dhe ta reduktojnë ne çështje vetëm procedurale, marrëdhëniesh ndërpersonale dhe animesh politike.
Publiku tashmë është informuar se z. Mulhaxha është sjellë si inkasues me çdo kusht i “borxhit” dhe këtë vetëm sipas kërkesave të pronarëve të kompanisë Dardafon. Pra, z. Mulhaxha nuk është sjellë si një përmbarues i vërtetë, i cili duhej të merrte parasysh të gjitha faktet dhe dëshmitë që kanë të bëjnë me pagesat përmes llogarisë bankare dhe të gjitha kompensimet që janë bere sipas marrëveshjeve mes palëve në emër të dokumentit përmbarimor (Vendimit të Arbitrazhit).
Kujtojmë opinionin publik se në vitin 2017, Telekomi dhe Dardafon (Zmobile) kanë nënshkruar marrëveshje për kompensim të borxhit qe ka rrjedh nga vendimi i Arbitrazhit. Sipas kësaj marrëveshjeje, Telekomi i ka dhënë Dardafonit shërbime në emër të kompensimit të borxhit, që ka rrjedh nga vendimi i Arbitrazhit. Vlera mujore e këtyre shërbimeve sipas marrëveshjes është vlerësuar rreth 380,000.00€.
Dardafoni këto shërbime i ka shfrytëzuar për 30 muaj rresht, pra në total vlera e kompensuar arrin shumën rreth 10.5 milionë €. Edhe pse Dardafon ka shfrytëzuar shërbimet e marra në emër të kompensimit dhe të njëjtat i ka shitur te klientët e tij, duke gjeneruar rreth 15 milionë € të hyra, përmbaruesi nuk ka pranuar që vlerën e shërbimeve prej 10,5 milionë € ta përfshijë në kompensim të obligimit të Telekomit ndaj Dardafonit, ashtu sic parashihte marrëveshja.
Vlera reale e shërbimeve të dhëna në kompensim ka qenë së paku dyfish më e lartë sesa vlera e llogaritur sipas marrëveshjes së vitit 2017, por që Telekomi e ka përllogaritur vetëm vlerën në baze të marrëveshjes për kompensim të vitit 2017.
Për më tepër, Gjykata Komerciale në vendimin e datës 27/10/2022, këtë shumë të kompensimit e ka vlerësuar si pagesë vullnetare jashtë procedurave përmbarimore dhe e ka lënë në kompetencë të përmbaruesit privat, që përmes ekspertizës financiare ta përfshijë në definimin e obligimeve reciproke të palëve. Përmbaruesi Ilir Mulhaxha ka tentuar që përmes një ekspertize të ngutshme, të njëanshme dhe jo të plotë, të injorojë tërësisht shumën e kompensimit, sipas marrëveshjes së vitit 2017, duke mos e përfshirë fare në kalkulim.
Përveç kësaj, përmbaruesi, në urdhrin përmbarimor ka përfshirë shuma përtej Vendimit të Arbitrazhit si dhe ka përllogaritur kamata në emër të kësaj shume (fakt ky i konfirmuar me Aktvendimin e Gjykatës Komerciale të datës 27/10/2022).
Po ashtu, si pasojë e zvarritjes së procedurave të përmbarimit, që janë zhvilluar si pasojë e gabimeve të përmbaruesit dhe Dardafonit, ka ngarkuar padrejtësisht dhe jashtëligjshëm Telekomin me kamata në vlerë rreth 3 milionë €.
Përmes të gjitha këtyre shkeljeve, përmbaruesi ka inkasuar jashtëligjshëm nga Telekomi i Kosovës shumën prej rreth 14 milionë € më tepër sesa që ishte paraparë me vendimin e Arbitrazhit ndërkombëtar.
Në anën tjetër, avokati i z. Mulhaxha, Fisnik Sogojeva, në vend se të merret me ankesat konkrete të Telekomit, të gjithë këtë dem material ndaj Telekomit, qëllimshëm, e redukton kinse në një mosmarrëveshje ndërpesonale dhe goditje ndaj personit.
Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga interesi i publikut dhe ka obligim ligjor të mbrojë pronën dhe paranë publike. Prandaj, është e papranueshme që angazhimet e zyrtarëve të TK në këtë drejtim të cilësohen si personale apo private.
Telekomi i Kosovës nuk do të ndalet asnjëherë që të shfrytëzojë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore deri në kthimin e mjeteve të inkasuara jashtëligjshëm dhe sikurse edhe deri më tani do të ndjekë çdo rrugë ligjore që të vihen para drejtësisë përgjegjësit që po e pamundësojnë, zvarrisin apo devijojnë këtë proces të vënies në vend të drejtësisë.
Ja kujtojmë publikut që mënyra e tillë e manipulimit të procedurave, keqpërdorimit të kompetencave, keqinterpretimeve të ligjit dhe vendimeve arbitrare është rrëzuar njëherë nga Gjykata Kushtetuese dhe përsëritja e gabimeve të njëjta e bënë krimin të kryer me vetëdije dhe ata që nuk e pengojnë krimin i bënë pjesëmarrës në krim.