Zyrtarisht tashmë Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publik.
Ky ligj do të dorëzohet tashmë në organin më të lartë juridik në vend edhe nga partia tjetër opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas një njoftimi për media, LDK do ta deponojë në Kushtetuese këtë ligj në orën 15:00;
Njoftimi:
“Sot (e premte), më datë 30 dhjetor 2022, në orën 15:00, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Gjykatën Kushtetuese, Kërkesën për vlerësim të kushtetueshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publik.
Sot edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Sipas PDK-së, ky ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet europiane për administratën publike.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, tha se ka bazë të mirëfilltë që kjo gjykatë ta shfuqizojë këtë ligj, që synon nënshtrimin e administratës publike.
“Sot me kërkesën e GP të PDK, bashkë me kolegun tim nga Kabineti për Qeverisje të Mirë, Përparim Gruda kemi paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetueshmërisë të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Ne menojmë që kjo është një shkelje e radhës e Kushtetutës, duke shkelur dinjitetin e nëpunësve civilë, njerëzve, qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, Përparim Gruda u shpreh se Ligji për Zyrtarët Publikë adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
“Ky ligj qon në një politizim të skajshëm të administratës publike. Po ashtu, ky ligj shkel detyrimet, të cilat Kosova i ka marrë ndaj Bashkimit Europian si rezultat i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një marrëveshje e cila është mbi të gjitha e Kosovës dhe që ka statusin e tillë, sepse ia përcakton Kushtetuta. Në këtë kuptim, kjo është shkelje e Kushtëtutës”, tha ai.