Sa do të gjobiten qytetarët që me vetura hyjnë në sheshin “Xhorxh Bush”?

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka folur për rihapjen për qarkullim të rrugës “Xhorxh Bush”, për autobusë, taksi dhe vetura emergjente.

Në një intervistë për emisionin “Sot”, ai ka thënë se me rihapjen e rrugës “Xhorxh Bush”, kanë vërejtur lirim të rrugëve të tjera në kryeqytet.

“Kemi parë që në rrugën ‘Bill Clinton’ dhe në rrugën ‘Tirana’, me automatizëm e kemi pasur një, jo zhbllokim total, por po shihet një fluks më i vogël, për arse se edhe gjatë testimeve të unazën njëkahore por edhe kur ‘Xhorxh Bush’ është bllokuar për festat e fundvitit, kemi parë që autobusët dhe taksitë i ngarkojnë ‘Bill Clintonin’ dhe ‘Tiranën’, dhe tani me automatizëm është bërë një lirim i atyre dy rrugëve”, ka theksuar Musliu.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka folur edhe për gjobat me të cilat do të ballafaqohen qytetarët, nëse me vetuar futen për qarkullim në këtë rrugë.

“Kjo bie ne domenin e Policisë së Kosovës, pra gjobat, mirëpo në një takim që e kemi pasur, nëse nuk gaboj, flasim për një gjobë prej 500 eurove dhe edhe patentë shoferi merret për një vit, ky është dënimi për qytetarët. Ndërsa për taksitë, nëse vetëm nuk presin autobusin dhe duan të kalojnë atë në vijë të plotë atëherë gjoba për ta është 500 euro dhe u merret patentë shoferi për 3 muaj”, ka theksuar Musliu.

Ai ka thënë se kanë lëshuar edhe një vendim që bizneseve që operojnë në rrugën “Xhorxh Bush”, të ju lejohet furnizimi vetëm para orës 7:00 në mëngjes.

“Kemi lëshuar edhe një vendim për orarin e furnizimeve, i cili vlen për komplet kryeqytetin, por në të njëjtën kohë edhe për rrugën ‘Xhorxh Bush’, ku deri në orën 7:00 në mëngjes, bizneset të cilat operojnë aty kanë mundësi t’i kryejnë furnizimet dhe pas orës shtatë me filluar me linjat e autobusëve, taksive dhe veturave emergjente”, ka deklaruar Musliu.

Ai ka thënë se kjo rrugë nuk është hapur më 8 janar, ashtu siç ka qenë e paralajmëruar, si pasojë e reshjeve atmosferike dhe pamundësisë për ta bërë shënjimin e saj.

Rruga “Xhorxh Bush” është rihapur për qarkullim të autobusëve, taksive dhe veturave emergjente të premten. Megjithatë, siç ka njoftuar ndërmarrja “Trafiku Urban” në mbrëmjen e së enjtes, në këtë rrugë do të lejohet të qarkullojnë vetëm linjat e autobusëve 1, 3 dhe 4.

Po ashtu, autobusët përgjatë kësaj rruge do të lejohet të lëvizin me shpejtësi të kufizuar në 20 kilometra për orë.