“Investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë përgjatë periudhës janar-tetor të vitit 2022, për herë të parë kanë arritur vlerën prej 649.5 milionë eurove dhe përbëjnë vlerën më të lartë të investimeve për dhjetë muajt e këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë që nga viti 2007.” Kështu thotë Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA, Zef Dedaj, në intervistën për Buletinin Ekonomik. Sipas Dedajt, të gjitha format e investimeve legale janë të mirëseardhura, por që sipas tij, sektorët më me interes për vendin janë industria prodhuese dhe përpunuese, pasi që të dyja krijojnë vlerë të shtuar dhe ndikojnë në përmirësimin e bilancit tregtar të mallrave.
(Intervista e Buletinit Ekonomik me Zef Dedajn, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA, që funksionon në kuadër të MINT-it)
Mirjeta Shabani
Përgjatë periudhës janar-tetor të vitit që e lamë pas, Investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë arritën vlerën prej 649.5 milionë eurove, që në të njëjtën kohë përbëjnë edhe vlerën më të lartë të investimeve për dhjetë muaj, që nga viti 2007. Ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 kur investimet e huaja direkte kishin vlerën prej 443.1 milionë eurove, në këtë vit deri në muajin tetor, rezulton të ketë një rritje prej 206.4 milionë eurove apo 46.58% rritje të investimeve në vend.
Drejtori i i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Zef Dedaj, në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik ka thënë se vet KIESA në bashkëpunim me institucionet relevante është duke punuar vazhdimisht për tërheqjen e investimeve e huaja në Kosovë.
Dedaj përmendi finalizimin e Projektligji për Investime të Qëndrueshme, i cili thotë se pritet që të ofrojë lehtësira në investime dhe rrjedhimisht edhe mbështetje më të madhe qeveritare për sektorët me prioritet për zhvillimin ekonomik. Sipas tij, siguria dhe kujdesi ndaj investitorëve do të jetë në fokus të lartë, pasi edhe ligji parasheh thjeshtësim të procedurave për investitorë strategjik. Gjithashtu, Dedaj thotë se karshi ligjit të apostrofuar më lartë, është finalizuar edhe Projektligji për Parqet Industriale dhe Teknologjike, ndërsa në vazhdim do të jetë në dispozicion edhe dokumenti të cilin është duke e hartuar Departamenti i Industrisë mbi politikat industriale, i cili po ashtu është pothuajse në harmoni me sektorët që parasheh Ligji për Investime të Qëndrueshme, me ç’rast sipas Dedajt, me rritjen e kapaciteteve të KIESA-s, pritet të përmirësohet më tutje edhe zbatimi dhe promovimi i ligjit në fjalë dhe politikave ekonomike që kanë për qëllim promovimin e investimeve dhe eksporteve të Kosovës.
Sipas Dedajt, të gjitha format e investimeve legale janë të mirëseardhura në Kosovë, por që sipas tij, sektorët më me interes për vendin janë industria prodhuese dhe përpunuese, pasi që të dyja krijojnë vlerë të shtuar dhe ndikojnë në përmirësimin e bilancit tregtar të mallrave. Megjithatë, Dedaj thekson se çdo sektor që kontribuon në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit, në rritjen e punësimit, rritjen e kapaciteteve prodhuese, rritjen e eksporteve dhe avancimin e teknologjive të reja është i mirëseardhur në Kosovë, duke u zotuar se si Agjenci, ata do të punojnë që të tërheqin edhe më tej investime të vazhdueshme në këta sektorë.
Intervista e plotë e Buletinit Ekonomik me z. Zef Dedaj, Drejtor i KIESA-s:
Buletini Ekonomik: Është për t’u theksuar rritja e sivjetshme e investimeve të jashtme, respektivisht vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë, prej 566.8 milionë eurosh nga janari deri në shtator, krahasuar me 390 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që është shumë goxha trimëruese. Por, është ndjeshëm më pak se në të gjitha shtetet e rajonit. Si i vlerësoni ju zhvillimet investive të huaja në Kosovë në këto vite të krizave evidente globale?
Zef Dedaj: Investimet e huaja direkte (IHD) në periudhën janar-tetor të vitit 2022 për herë të parë kanë arritur vlerën prej 649.5 milionë euro dhe përbëjnë vlerën më të lartë të investimeve për dhjetë muajt e këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë që nga viti 2007. Po ashtu, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 kur investimet e huaja direkte kishin vlerën prej 443.1 milionë euro, në këtë vit rezulton të kemi një rritje prej 206.4 milionë euro apo 46.58% rritje.
Buletini Ekonomik: Cilat janë shkaqet pse nuk po ecin edhe aq investimet e huaja në vendin tonë? Ku është gabuar në këto vite dhe a po mëson Kosova nga gabimet e bëra deri më tani në këtë sektor, por edhe nga përvojat e të tjerëve, sidomos të shteteve që kaluan tranzicionin si ne, por që u dëshmuan shumë të efektshme në tërheqjen e investimeve të huaja?
Zef Dedaj: Nëse analizojmë të dhënat dhe vlerësimet nga institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, asnjëherë nuk përmendet që nuk ka investime, përkundrazi vlerësohet roli i institucioneve të ndryshme për arritjet dhe normalisht aktivitetet që janë ndërmarrë për rritjen e investimeve apo edhe eksporteve në rastin tonë. Është evidente se dy vitet e fundit, Kosova ka shënuar rritje ekonomike signifikatne në vend, duke rritur eksportet dhe investimet dhe rrjedhimisht është në vazhdimësi duke e përmirësuar klimën e të bërit biznes. Për më tepër, Kosova është përmirësuar dukshëm në raportet ndërkombëtare sa i përket sigurisë ndaj investitorëve, luftimin e korrupsionit, aktit për biznes sipas OECD etj., prandaj edhe investimet kanë arritur për herë të parë në 566.9 milionë, por gjithsesi ka ende hapësirë për përmirësime, si në thjeshtësimin e procedurave të mëtejshme si dhe eliminimin e ndonjë procedure burokratike etj.
Buletini Ekonomik: Çka duhet bërë urgjentisht, sipas jush, për t’u bërë Kosova më joshëse për investitorët potencialë nga bota dhe çka në staza më afatgjata?
Zef Dedaj: Është finalizuar Projektligji për Investime të Qëndrueshme, i cili në kuadër të tij ofron lehtësira në investime dhe rrjedhimisht mbështetje më të madhe qeveritare për sektorët me prioritet për zhvillimin ekonomik. Siguria dhe kujdesi ndaj investitorëve do të jetë në fokus të lartë, si dhe ligji parasheh thjeshtësim të procedurave për investitorë strategjik. Karshi Ligjit për Investime, është finalizuar Projektligji edhe për Parqet Industriale dhe Teknologjike, si dhe do të kemi edhe dokumentin të cilin është duke e hartuar Departamenti i Industrisë mbi politikat industrial, i cili po ashtu është pothuajse në harmoni me sektorët që parasheh Ligji për Investime të Qëndrueshme, ku pastaj me rritjen e kapaciteteve të KIESA-s do të përmirësohet më tutje zbatimi dhe promovimi i ligjit dhe politikave ekonomike, që kanë për qëllim promovimin e investimeve dhe eksporteve të Kosovës.
Buletini Ekonomik: Një tjetër karaketeristikë që i dominon investimet e jashtme në vendin tonë, është edhe struktura e investimeve. Edhe në investimet e jashtme të sivjetshme, goxha imponuese, kanë dominuar investimet në paluajtshmëri, në toka dhe në banesa në ndërtesat kolektive. Dhe, dihet këto investime, qofshin edhe të rritura, nuk sjellin rritje domethënëse ekonomike. Si e vlerësoni ju këtë problem?
Zef Dedaj: Ne nuk e kemi luksin që të diferencojmë investime në kategoritë dhe strukturën e tyre, ne jemi të interesuar që të tërheqim investime të të gjitha strukturave që janë të pranueshme ligjërisht në vendin tonë. Normalisht që në interesin tonë mbetet në interes të shtuar për të tërhequr investime që kryesisht i japin vlerë të shtuar vendit dhe ekonomisë siç janë prodhimtaria apo sektorët në përpunim etj. Ne, siç edhe e përmendim në Ligjin për Investime të Qëndrueshme, do të targetohen të gjitha kushtet dhe përparësitë që një investitor do të përfitojë në varësi të sektorit specifik, e që një vëmendje e kanë sektori i prodhimit dhe ai i përpunimit.
Buletini Ekonomik: Dikasteri juaj, konkretisht çka dhe çfarë veprimesh po ndërmerr, ose ka në plan për të ndërmarrë, për ta gjetur çelësin për të joshur investuesit e jashtëm që të investojnë në kapacitete gjeneruese të preferueshme dhe më të kërkuara ekonomike në Kosovë? Në këtë kontekst, cilat do të jenë veprimet e departamentit tuaj edhe për investimin e remitencave të shumta të mërgatës sonë, përkatësisht për investimin e parasë së mërgimtarëve tanë, të interesuar për të investuar në vendin e tyre?
Zef Dedaj: KIESA – si institucion i cili vepron në kudër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, çdo vit harton planin për promovimin e investimeve, eksporteve, turizmit, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe zonave ekonomike. Ne ketë plan janë të detajuara aktivitetet që ndërmerren për gjitha veprimet. P.sh. në kontekst të investimeve të huaja, ne organizojmë Forume ekonomike për investime dhe tregti, sesionet informuese për diasporën, me vende të ndryshme siç planifikohet për vitin 2032 (Kroacinë, Hungarinë, Italinë etj.), pastaj pjesëmarrjen e Kosovës në panairet me renome ndërkombëtare në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe rritjes së bashkëpunimit të kompanive kosovare me ato të huaja, pastaj investimit në zonat aktuale ekonomike me qëllim ofrimin e hapësirave për investitorët e huaj dhe vendor etj.
Buletini Ekonomik: Pse po ngurrohet kaq shumë për të kërkuar investitorë të huaj për të ngritur kapacite të reja, aq të nevojshme, elektroenergjetike, qoftë sosh të energjisë së rinovueshme, qoftë në bazë të thëngjillit, kur dihet se në këtë sektor edhe në kohë krizash, ka interesim të madh për të investuar në projekte energjetike?
Zef Dedaj: KIESA si institucion asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ka refuzuar investime, e as nuk do të refuzojë investime të natyrave që janë të parapara me legjislacionin në fuqi. Përkundrazi, ne kemi takuar, vazhdojmë të takohemi dhe po bashkëpunojmë me shumë kompani të interesuara në sektorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe sektorin në fjalë.
Buletini Ekonomik: Pos energjetikës, për të cilën Kosova ka nevoja aq shumë, ku, sipas jush do të ishte mirë të investohet kapitali i huaj, në cilët sektorë?
Zef Dedaj: KIESA në bashkëpunim me institucionet relevante është duke punuar në tërheqjen e investimeve e huaja. E ritheksojmë se të gjitha format e investimeve legale janë të mirëseardhura, normalisht fokus i veçantë dhe me interes janë industria prodhuese dhe përpunuese, pasi që krijojnë vlerë të shtuar dhe ndikojnë në përmirësimin e bilancit tregtar të mallrave. Por nuk mund të përjashtojmë kategoritë e tjera, si p.sh. sektori i shërbimeve, i cili këtë vit ka arritur shifra të jashtëzakonshme krahasuar me mallrat. Në sektorin e shërbimeve kemi bilanc pozitiv tregtar. Pra, çdo sektor që kontribuon në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik, në rritjen e punësimit, rritjen e kapaciteteve prodhuese, rritjen e eksporteve dhe avancimin e teknologjive të reja, është i mirëseardhur në Republikën e Kosovës dhe ne do të punojmë që të tërheqim investime të vazhdueshme në këta sektorë.
Buletini Ekonomik: A do të mund të bëhet në një të ardhme jo të largët Kosova atraktive, për të angazhuar kapitalin e jashtëm në kapacitetet prodhuese dhe në shërbime? Çka duhet bërë që të shtojmë interesimin e investitorëve potencialë për shërbimet e kosovarëve në shumë sektorë?
Zef Dedaj: Kosova është një vend i përshtatshëm dhe atraktiv për investime dhe si rezultat investimet po shënojnë ne vazhdimësi rritje. Kjo pasi që kemi një rini të edukuar dhe të re me aftësi krahasuese dhe konkurruese, po ashtu kemi taksa mjaft konkurruese, kemi legjislacion që i trajton investimet e huaja në mënyrë të barabartë, marrëveshje të tregtisë së lirë me vende të ndryshme dhe për më tepër jemi nënshkrues të marrëveshjes së asocim-stabilizimit, e cila nënkupton se produktet kosovare mund të eksportohen në tregun e BE-së. Gjithsesi, duhet të punojmë më tutje që përkundër faktit që kemi një rini të shëndoshë dhe të edukuar, ta përgatisim atë sipas kërkesave dhe interesimit të sektorit privat dhe këtu një rol të veçantë luajnë shkollat profesionale, pastaj institucionet e ndryshme profesionale etj. Sektori i shërbimeve ka një eksport të jashtëzakonshëm këtë vit, ka performuar shumë mirë dhe ne do të punojmë edhe më tutje që vendin tonë ta bëjmë një vend me potencial për të gjithë sektorët.
Buletini Ekonomik: Çka ka risi te KIESA, qëkur jeni angazhuar ju si udhëheqës i kësaj agjencie? Ku e keni përqëndruar aktivitetin aktual?
Zef Dedaj: Ne jemi angazhuar shumë që të kemi një promovim inovativ dhe rrjedhimisht sa i përket investimeve kemi arritur që nga muaji shkurt 2022 deri më tani, KIESA ka takuar rreth 60 investitorë potencial, të cilët janë njoftuar për kushtet dhe mundësitë e përgjithshme për investime. Kemi organizuar 3 forume ekonomike me Austrinë, Poloninë dhe Greqinë, të cilat janë shoqëruar me B2B takime si dhe kemi organizuar tri sesione informuese në Gjermani, Belgjikë dhe Francë. Dhe, si rezultat investimet e huaja gjatë periudhës janar – shtator 2022 kanë arritur për herë të parë në 566.9 milionë euro ose 43.6% rritje. Po ashtu, i kemi trajtuar me shumë kujdes investimet strategjike. Ndërsa sa i përket eksportit, KIESA ka përkrahur 83 ndërmarrje ku kanë marrë pjesë në 13 panaire ndërkombëtare dhe ku janë promovuar 560 produkte kosovare. Janë përditësuar dhe dizajnuar materiale/broshura si dhe janë përgatitur 5 video promovuese gjithëpërfshirëse dhe për sektorë të caktuar. Kemi mbështetur zonat ekonomike, kemi mbështetur NVM-të dhe ITP. Si rezultat i aktiviteteve të lartpërmendura, gjatë periudhës janar-shtator dhe tetor të vitit 2022, eksporti i mallrave ka arritur për herë të parë në 774.4 milionë euro apo 26% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Buletini Ekonomik: Dhe në fund, pse nuk ka investime më të mëdha të kapitalit shqiptar në Kosovë? E vërteta, sipas të dhënave zyrtare nga Shqipëria, këtë vit investimet e saj drejt Kosovës kanë shkuar në 58.2 milionë, nga 32 milionë sa ishin vitin e kaluar. Por, investitori shqiptar, po sivjet i shiti Ferronikelin një tjetër pronari. Thjesht, a ka mundësi Kosova të tërheqë më shumë investime nga Shqipëria?
Zef Dedaj: Ne konsiderojmë se lidhjet ekonomike me Republikën e Shqipërisë janë të natyrës shumë dimensionale, e para sepse është një vend me të cilin kemi një varg marrëveshjesh, e po ashtu kemi raporte të shkëlqyera në shumë fusha. Sipas BQK-së, ajo çka është zyrtare është se shteti shqiptar në total të investimeve, ka investuar 336.1 milionë euro në Kosovë që nga viti 2007, apo llogaritet si investitori i pestë. Kosova dhe Shqipëria mund të bashkëpunojnë edhe më tutje dhe për këtë qëllim kemi pasur takim mes dy agjencive dhe po planifikojmë që të diskutojmë me palën shqiptare për organizime të natyrës promovuese dhe nxitjes, në mënyrë që bizneset e huaja që interesohen për Kosovën, të mund të shfrytëzojnë edhe ndonjë potencial nëse ekziston në Shqipëri. Një e arritur e madhe dhe vlerësim që vlen të përmendet, është porti i Durrësit, ku ngarkesat doganore tani më kalojnë nga zyra jonë në port, gjë që lehtëson shumë procesin e zhdoganimit të mallrave. /Buletini Ekonomik/