Florin Aliu: Tregu i kapitalit është zgjidhja për ekonominë e Kosovës

“Nuk duhet humbur asnjë ditë kohë në krijimin e tregut të kapitalit në Kosovë. Është modeli më i mirë për tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos atyre nga diaspora dhe për kanalizimin e këtyre investimeve në zhvillim. Do të mundësohej investimi i 1 miliard eurove të Trustit në ekonominë e Kosovës. Tregu i kapitalit do ta ndryshonte mentalitetin e qeverisjes së kompanive kosovare duke i bërë konkurrente në rajon”.

Mehmet Gjata

“Krijimi i këtij tregu do t’ju mundësonte kompanive tona vendore të kenë mundësi të bëhen korporata ndërkombëtare, ndërkohë kompanitë tona shtetërore do të mund të ktheheshin në kompani publike, ku qytetarët e Kosovës, diaspora jonë dhe investitorët ndërkombëtarë do të bëheshin pronarë të tyre. Kjo do të mundësonte tërheqjen e investimeve të huaja dhe sidomos diasporës sonë”, vlerëson Florin Aliu, në një intervistë për Buletinin Ekonomik mbi rëndësinë e krijimit të Tregut të Kapitalit për ekonominë e Kosovës.

Aliu, njohës i kësaj fushe, nuk është i bindur se kjo rëndësi është duke u kuptuar drejt në Kosovë, as nga bizneset e as nga Qeveria e Kosovës. Sipas tij, mund të ketë edhe hezitim të qëllimshëm në çuarjen përpara të kësaj ideje, marrë parasysh faktin se në një rast të tillë, kompanitë vendore do të duhej të operonin në një treg që imponon standarde të larta.

“Tregu i kapitalit në Kosovë do ta ndryshojë mentalitetin se si qeverisen kompanitë tona. Struktura korporative e kompanive do të marrë formë tjetër, ku menaxhmenti dhe pronarët janë të ndarë gjë që mundëson menaxhim dhe përformancë më të mirë të ndërmarrjeve të listuara në bursë”, vlerëson Aliu.

Në këtë intervistë, Aliu flet edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes së kompanive kosovare në bursën rajonale, ku aktualisht nuk ka qasje Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.

 Intervista e plotë me Florin Aliun, ekspert i ekonomisë:

Buletini Ekonomik: Pse jeni kaq këmbëngulës dhe insistues në favor të krijimit të Tregut të Kapitalit në Kosovë. Cilat janë motivet, shtysat për të qenë kaq konsekuent në kërkesat e juaja të shfaqura publikisht për krijimin e Tregut të Kapitalit te ne?

Florin Aliu:  Tregu i kapitalit është një nga format e avancuara të sistemit financiar. Në ndërkohë kur vendet e rajonit kanë kaluar në një treg të përbashkët të kapitalit, në Kosovë ende nuk ekziston një debat i mirëfilltë për të. Tregu i kapitalit në Kosovë do të mundësonte jo vetëm transferimin e pronësisë por edhe ristrukturimin e ndërmarjeve tona. Nëse i shohim vendet e rajonit çka kanë përfituar nga tregu i kapitalit, janë të shumta. Pika e parë janë investimet e huaja direkte. Siç e dimë, Kosova posedon një diasporë shumë të madhe dhe fatmirësisht shumë të lidhur me vendin. Eshtë e pakuptimtë t’u kërkohet diasporës tonë të vijnë të investojnë e të hapin kompani në Kosovë në ndërkohë që ata jetojnë në vendet tjera. Tregu i kapitalit do t’u mundësonte që në mënyrë të drejtpërdrejtë të bëhen pronarë të kompanive tona, duke blerë aksione të kompanive te ne në Kosovë. Potenciali fiannciar i diasporës është shumë i madh dhe tregu i kapitalit do të ishte mundësi për mobilizimin e këtij potenciali.

Buletini Ekonomik: Cilat do të ishin përfitimet e Kosovës, ekonomisë së saj, nga Tregu i Kapitalit?

Florin Aliu: Krijimi i këtij tregu do t’ju mundësonte kompanive tona vendore të kenë mundësi të bëhen korporata ndërkombëtare, jo të gjitha, por të paktën disa prej tyre. Në ndërkohë, kompanitë tona shtetërore do të mund të ktheheshin në kompani publike, ku qytetarët e Kosovës, diaspora jonë dhe investitorët ndërkombëtarë do të bëheshin pronarë të tyre. Këto kompani asnjëherë nuk do të mund të operojnë me fitime nëse nuk listohen në bursë dhe kthehen në kompani të njerëzve. Shteti e ka të pamundshme të menaxhojë kompani sepse ky dështim është i vërtetuar edhe në vende tjera. Pamundësia e shtetit për të menaxhuar kompani gjen shpjegimin në konceptet bazë të kapitalizmit që është maksimizimi i fitimit. Prandaj, nëse këto kompani si KEK-u, Telekomi, etj., do të jenë nën menaxhim të shtetit, kostot sociale dhe buxhetore do të jenë shumë më të larta se sa përfitimet. Tregu i kapitalit mundëson që këto të jenë të kontrollueshme jo vetëm nga një pronar por nga mijëra e ndoshta edhe miliona pronarë.

Në anën tjetër, diskutohen paratë e Trustit Pensional të Kosovës, ku pjesë dërrmuese e tyre është e investuar në SHBA dhe Evropë. Pra, ne me kursimet tona pensionale kontribuojmë në zhvillimin e vendeve të zhvilluara. Ndërsa ne vet si shtet jemi ende të pazhvilluar, një paradoks i llojit vet. Prandaj, që këto mjete ose një pjesë e konsiderueshme e tyre të kthehen në Kosovë duhet të krijohet tregu i kapitalit. Sepse natyra e fondeve të tilla kërkon investime në instrumente financiare që ekzistojnë vetëm në bursa. Paramendojeni çfarë infuzioni për ekonominë e Kosovës do të ishte nëse 1 miliard euro futen në kompanitë e Kosovës të listuara në bursë, impakti do të ishte i jashtëzakonshëm.

Buletini Ekonomik: Pos mundësive goxha favorizuese dhe në njëfarë mënyre ndihmaçare për investitorët potencial, cilat funksione të tjera konkrete do t’i kryente tregu financiar për të qenë më shumë në krah të zhvillimit ekonomik të vendit?

Florin Aliu: Siç e dimë ka informalitet të madhë në Kosovë. Tregu i kapitalit është instrument për luftimin e këtij fenomeni. Kompanitë që do të listohen (që mund të jenë kompani të mëdha, të vogla dhe të mesme) duhet t’i nënshtrohen kritereve strikte të raportimit financiar duke respektuar standardet ndërkombëtare. Kjo i stimulon kompanitë të formalizohen dhe të listohen në bursë pasi që bursa jep mundësi shumë të mëdha për thithjen e investimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve të kompanive.

Në ndërkohë, diskutohet vazhdimisht për mungesën e konkurrencës dhe dyshimet për normat e interesit në sistemin bankar. Krijimi i tregut të kapitalit që përfshin edhe tregun e obligacioneve do t’u bënte konkurrencë shumë të madhe normave të interesit në Kosovë. Do t’u bënte konkurrencë si te kreditë, ku bizneset nëse i shohin normat e interesit në sistemin bankar të paleverdishme atëherë u drejtohen tregut të obligacioneve në Kosovë. Në anën tjetër, depozitorët nëse janë të bindur se normat e interesit janë shumë të ulëta atëherë blejnë obligacione të kompanive të listuara në bursën e Prishtinës. Pra, kjo është një formë e thjeshtësuar e këtij mekanizmi, mirëpo tregu i kapitalit është shumë më kompleks dhe me përfitime shumë më të mëdha.

Buletini Ekonomik: Në qarqet financiare të Kosovës, pse shfaqet akoma dyshim, mbase edhe frikë, nga mungesa e përvojës dhe të njohurive bazë për të administruar Tregun Financiar. A duhet të ekzistojë, sipas jush, kjo drojë, e cila është dhe nuk mund të fshihet në mjediset e ndryshme financiare të vendit?

Florin Aliu: Tregu i kapitalit në Kosovë do ta ndryshojë mentalitetin se si qeverisen kompanitë tona. Struktura korporative e kompanive do të marrë formë tjetër, ku menaxhmenti dhe pronarët janë të ndarë, gjë që mundëson menaxhim dhe përformancë më të mirë të ndërmarrjeve të listuara në bursë. Pra, ndryshimi i mentalitetit në qeverisjen e kompanive që do të impononte tregu i kapitalit mbase mund të jetë njëra nga arsyet e këtij hezitimi.

Buletini Ekonomik: Pse, krahas Tregut të Kapitalit e shihni që në Kosovë është shumë e nevojshme që të krijohet bursa e Prishtinës. Pse nuk jemi të integruar si Kosovë në bursën e përbashkët të Ballkanit (brenda kësaj burse janë Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnja, Bullgaria), nuk na duan apo nuk jemi të gatshëm dhe të përgatitur për të qenë pjesë e kësaj burse?

Florin Aliu: Nëse e marrim kontekstin rajonal, vetëm Bursa e Maqedonisë posedon aktualisht kapitalizim në nivelin e 4 miliardë eurove. Në këtë kontekst, kompanitë e Maqedonisë kanë tërhequr investime si vendore por edhe ndërkombëtare në nivelin e 4 miliardë eurove. Për më tepër, rajoni ka bërë të mundur krijimin e bursës së përbashkët ku në të nuk janë Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, dhe ka përfituar jashtëzakonisht shumë nga investimet e huaja. Këto janë probleme që duhet të trajtohen me kujdes dhe të studiohen mirë.

Krijimi i tregut të kapitalit duhet të bëhet menjëherë dhe nuk duhet humbur kohë. Koha është investimi më i rëndësishëm dhe mendoj që ky koncept i kohës nuk po kuptohet mjaftueshëm tek ne në Kosovë. Logjika e qeverisë aktuale po duket që kërkon nacionalizim edhe më të madh të kompanive shtetërore, që mendoj është drejtim i gabuar. Ne jemi vend i vogël dhe duhet t’i orientohemi tregut dhe kapitalizmit për zgjidhjen e shumë problemeve tona ekonomike. Nuk kemi kohë por edhe mundësi për të eksperimentuar me modele ekonomike që nuk i përshtaten kontekstit tonë dhe nuk janë në funksion të zhvillimit. Prandaj, idetë si banka zhvillimore janë të panevojshme dhe aspak të duhura. Banka Zhvillimore ka kuptim në vende si Kina, India e vende tjera afrikane por jo për kontekstin e Kosovës. Ne duhet ta mundësojmë që zhvillimi të vijë nga tregu duke njohur edhe dështimet e tija, por jo nga qeveria. Prandaj, këto janë momente të rëndësishme ku çdo intervenim i panevojshëm në ekonomi, riparimet e tij do të duhet të kenë pasoja edhe me gjenerata. Mos të harrojmë se ka vende që kanë përjetuar edhe regres ekonomik për shkak të intervenimeve të gabuara në ekonomi. Kjo qeveri është e majtë dhe shumë mirë që është e tillë, por të majtën e të djathtën sot e ndajnë jo intervenimet e panevojshme në ekonomi, por vetëm shpërndarja e buxhetit. /Buletini Ekonomik/