Parashikimi i rritjes ekonomike, qoftë edhe 3,7 për qind dhe më e madhja ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, që në asnjë mënyrë nuk është për t’u nënçmuar, nuk është e mjaftueshme për prosperitetin e Republikës. Rritja ekonomike në këtë përqindje nuk do të gjenerojë vende të reja të punës, nuk do të lartësojë fare mirëqenien e kosovarëve, nuk do të ulë migrimet e frikshme dhe me pak gjasë do të rritë investimet e jashtme.
Mehmet GJATA
Parashikimi i Bankës Botërore për rritjen ekonomike të Kosovës më 2023 në 3,7 për qind, nga shumë medie, por edhe analistë të zhvillimeve ekonomike e financiare, e sidomos nga zyrtarë të ndryshëm të pushtetit aktual, po potencohet goxha me pompozitet dhe nga autoritetet sidomos, edhe me mburrje, duke paraqitur statistika dhe duke bërë krahasime me shtetet e rajonit dhe duke potencuar se “kjo rritje ekonomike e planifikuar është më e madhja krahas shteteve të tjera të Ballkanit”. Është e saktë se në raportin e BB për ekonominë globale, të publikuar në ditët e para të janarit, Kosova pritet të ketë në përqindje rritjen më të madhe ekonomike në rajon në vitin 2023.
Sipas Bankës Botërore, pra, pas Kosovës ku gjatë vitit 2023 rritja ekonomike pritet të jetë 3.7%, në Ballkanin Perëndimor renditen Mali i Zi me 3.4% si i dyti, e treta Bosnja me 2.5%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 2.4%, Serbia me 2.3%, Shqipëria me 2.2% dhe Kroacia me 0.8%. Megjithatë, po të analizohet më detajisht dhe në mënyrë më komplekse, se paku aq sa është kompleks dhe diskutabil zhvillimi ekonomik i Kosovës, kjo shifër e rritjes ekonomike për këtë vit, e parashikuar nga BB, praktikisht nuk paraqet ndonjë rritje domethënëse ekonomike të Kosovës së varfër, me një armatë të tërë të papunësh, me brutoproduktin më të ulët vendor në rajon dhe me deficit kolosal tregtar, edhe krahasuar me shtetet e rajonit veç e veç. Për të pasur ndonjë rritje ekonomike të prekshme, të efektshme dhe rezultative ekonomike në Kosovë, duhet përqindje shumë më e lartë se kjo. Sepse, Kosova ka vijuar të jetë ndër të fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021 dhe më 2022 dhe me fuqinë më të ulët blerëse, duke zgjatur kështu rekordin negativ të mirëqenies së banorëve të saj, në krahasim jo vetëm me vendet e Bashkimit Europian, por edhe shtetet e tjera të rajonit.
Kosova, në rrethanat aktuale shoqërore dhe ekonomike dhe në përqindje të përafërta të parashikimit të BB-së për rritjen e sivjetshme ekonomike, jo vetëm që nuk arriti ta zbusë varfërinë, por ç’është më keq, po vazhdon ta thellojë atë. Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë sot e kësaj dite e skamur. Është më e varfëra në rajon dhe me gjendje seriozisht të rënduar sociale. Vetëm Shqipëria, ndoshta është shumë pranë, për nga varfëria.
Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, të publikuara në prill të këtij viti, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, prill 2022”. Sipas këtyre të dhënave, për gjysmën e parë të vitit 2022, Kosova doli të ishte shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Kurse, Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë, me 17,383 dollarë.
Matja e vendeve të pasura dhe të varfra bëhet referuar PBB-së për frymë, bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë. Gjithnjë sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Për varfërinë reale të Kosovës flasin edhe këto fakte: Të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të këtij viti, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale (raste sociale, pra), me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.
Ndryshe, të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të vitit 2022, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale, me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë. Çmimet e të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, sheqeri, vezët etj), përditë shënojnë ngritje enorme të reja. Inflacioni në fund të vitit 2022 ka arritur diku afër 12 për qind. Në këtë mënyrë, sot sigurimi minimal i ekzistencës për shkak të çmimeve enorme të shportës familjare dhe për shkak të pagave të ulëta, sidomos në sektorin privat, janë bërë sfidë e papërballueshme për shumë famije anekënd vendit, Dhe, kjo bënë që një nunër i madh i qytetarëve të vendit të përballën me varfëri të skajshme.
Përkundër këtyre fakteve që flasin për varfërinë e madhe në Kosovë, çmimet e të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, vezët, sheqeri etj), siç u tha më lartë, për ditë shënojnë ngritje të reja. Kosova tashmë garon goxha fortë me shtetetet e fuqishme financiare sa i përket çmimeve dhe ato janë të përafërta, madje edhe përtej çmimeve të shteteve të fuqishme të botës.
Raporti i Bankës Botërore për ‘Perspektivat Ekonomike Globale’ thotë se në përgjithësi rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, normave më të larta të interesit, uljes së investimeve dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Po sipas të dhënave të Bankës Botërore, Bruto Produkti Vendor i Kosovës vazhdon të jetë më i ulëti në rajon. Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2021, Kosova BPV-në për kokë banori e kishte 5 mijë e 269 dollarë; Shqipëria e kishte 6 mijë e 492 dollarë; Mali i Zi 9 mijë e 465 dollarë; Bosnja e Hercegovina 7 mijë e 143 dollarë; Serbia 9 mijë e 230 dollarë dhe Maqedonia e Veriut 6 mijë e 694 dollarë. Prandaj, sado që nga zyrtarët dhe disa ekonomistë dhe njohës të zhvillimeve ekonomike, parashikimi i BB-së po vlerësohet pozitiv dhe realist dhe mendohet se do të ndikojë në përmirësimin e imazhit ekonomik të Kosovës dhe rritjen e investimeve të huaja, shumë ekspertë të tjerë kërkojnë të mos vetëkënaqemi me këtë parashikim. Sipas tyre, Kosovës i nevojitet nivel shumë më i lartë i rritjes ekonomike.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për medien e vendit se duhet punuar edhe më shumë për rritje edhe më të lartë ekonomike, sado që Banka Botërore parashikon për Kosovën rritjen ekonomike më të madhe në rajon.
“Nuk duhet ne me u vetëkënaqur me këtë parashikim. Duhet të punojnë më shumë të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Odën Ekonomike, në mënyrë që të bëjmë reforma më shumë, që të kemi një rritje shumë më të madhe ekonomike se kjo që është e parashikuar. Duhet të ketë plane më të qarta investive. Duhet bërë reforma te politikat fiskale, për të parë se cilat tatime duhet të ulen apo edhe lirohen krejt. Pastaj, thjeshtësimi i procedurave burokratike që po pengojnë investimet e huaja në Kosovë”, tha Rafuna me këtë rast.
Nuk duhet harruar as faktin se Kosova në këtë vit do të vazhdojë të përballet me mungesë punëtorësh të profesioneve të ndryshme, më se të nevojshme për rritjen ekonomike dhe të shërbimeve, si pasojë e braktisjes së vendit nga shumë kosovarë, të cilët ikin në Perëndim, kryesisht në kërkim të punës së paguar më shumë dhe të mirëqenies më të mirë. Mungesa e fuqisë punëtore, dobësimi i zinxhirit të furnizimit dhe mungesa e një stabiliteti politik, sipas ekonomistëve janë sfidat që do ta përcjellin ekonominë kosovare gjatë këtij viti. Sipas tyre, brenga më e madhe që ka shoqëria kosovare mbetet ikja e të rinjve nga vendi. Dhe ç’është më keq, ata parashohin përkeqësim akoma më shumë të gjendjes nëse vazhdon ky trend i ikjes së krahëve të punës dhe në bazë të rrethanave aktuale ka shumë gjasë të vazhdojë pasi që të rinjtë nuk e shohin perspektivën në konditat aktuale ekonomike e të mirëqenies.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se vendi është duke u ballafaquar me sfida të shumta, ndërsa ka apostrofuar mungesën e stabilitetit politik si faktor që është duke e ngulfatur më së tepërmi zhvillimin.
“Duhet që të kemi optimizëm parasysh, mirëpo prapë po e them Kosova po ballafaqohet me sfida të shumta. Ajo çka është duke e ngulfatur më së tepërmi është mungesa e një stabiliteti politik. Derisa agjenda politike do të jetë prioritare dhe të ketë edhe presione ndërkombëtare, do te anashkalohet ekonomia”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërsa, raporti i Bankës Botërore për ‘Perspektivat Ekonomike Globale’ thotë se në përgjithësi rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, normave më të larta të interesit, uljes së investimeve dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Të gjithë këta faktorë të akceptuara nga BB për ndikim në rritjen globale ekonomike janë prezentë aktualisht edhe në zhvillimet ekonomike të Kosovës dhe me gjasa të mëdha për të qenë prezente edhe në këtë vit. Prandaj, bëhet i diskutueshëm parashikimi i BB-së për rritjen e sivjetshme ekonomike në Kosovë.
“Vazhdimi i reformës në mjedisin e të bërit biznes, i cili do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës”, thuhej në një komunikatë të mëhershme të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, nëpërmes së cilës ky asociacion kërkonte përmirësimin e sundimit të rendit e të ligjit, adresimin e boshllëkut të infrastrukturës transportuese dhe energjetike, si dhe boshllëkut të fuqisë punëtore që të jenë në thelb të kësaj reforme.
Ndërsa, “krijimi i një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik, duhet të jetë pikënisja e kësaj reforme, ashtu si edhe e të gjitha vendimeve në kuadër të qeverisjes ekonomike të Kosovës”, mendonin në OAEK.
Edhe pse këto vizione të OAEK ka kohë që janë proklamuar edhe publikisht, duket që duhet të vlejnë edhe më tutje për ekonominë akoma të brishtë të Kosovës. Parashikimi i rritjes ekonomike, qoftë edhe 3,7 për qind dhe më e madhja ndër vendet e Ballkanit perëndimor, që në asnjë mënyrë nuk është për t’u nënçmuar, nuk është në asnjë mënyrë e mjaftueshme për prosperitetin e vendit. Rritja ekonomike në këtë përqindje nuk do të gjenerojë vende të reja të punës, nuk do të lartësojë fare mirëqenien e kosovarëve, nuk do të ulë migrimet e frikshme dhe me pak gjasë do të rritë investimet e jashtme. Duhet shumë më shumë. Dhe, Kosova ka potencial akoma edhe njerëzor, edhe natyror për të prekur shifra të njëmendta dhe rezultative të rritjes ekonomike. /Buletini Ekonomik/











