BQK-ja ua tërheq vërejtjen bankave për mosdhënie të kredive për pensionistët

Rreth 206 mijë e 500 pensionistë në Kosovë, nuk e kanë të drejtën e marrjes së kredisë në bankat komerciale, për shkak të moshës së tyre.

Për këtë, institucioni i Avokatit të Popullit ka hartuar një raport në të cilin e konsideron të pabarabartë këtë trajtim të pensionistëve nga bankat komerciale në Kosovë, raporton KTV.

Ata, madje, për këtë çështje kanë drejtuar edhe disa rekomandime për Bankën Qendrore të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Këtë nismë të Avokatit të Popullit po e mirëpresin personat të cilët kanë kaluar moshën 65-vjeçare, duke u shprehur se është dashur që më herët të veprohet për këtë.

KTV-ja ka provuar ta marrë një qëndrim nga BQK-ja për këtë diskriminim të pensionistëve dhe për atë nëse do t’i marrin parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Por, sipas Zyrës së Avokatit të Popullit, BQK-ja u ka dërguar një letër javë më parë, në të cilën thuhet se kjo e fundit ka kërkuar nga të gjitha bankat komerciale rishikimin e politikave të tyre.