Belgjika është shteti i fundit i cili ka miratuar propozimin që ju jep të drejtën punëtorëve të punojnë vetëm katër ditë në javë. Ky propozim u miratua në shkurt dhe tani punëtorët mund të zgjedhin nëse duan të punojnë katër apo pesë ditë në javë. Kjo metodë nuk nënkupton që punëtorët të punojnë më pak, por që të kenë më shumë ditë të lira. Në vend të 8 orëve punë gjatë ditës, ata punojnë 10 orë. Kjo praktikë ka rezultuar e suksesshme në disa vende si Britania e Madhe, Islanda ndërsa ka prodhuar rezultate të ndryshme në Suedi e Gjermani. Kësaj lëvizje synojnë t’i bashkohen edhe disa vende të tjera përgjatë këtij viti. Edhe në Kosovë kompania PECB e aplikon këtë sistem të punës. AkademiPune ua sjellë një pasqyrë të kësaj.
Një sistem të tillë pune, PECB në Kosovë e aplikon që nga marsi i viti 2022
PECB është trup certifikues qe ofron trajnime edukimi dhe certifikimi për individë në një gamë të gjerë disiplinash, kryesisht në bazë të sistemeve menaxhuese të ISO standardeve. Në Kosove ka rreth 140 të punësuar. Punëtorët e PECB nga viti 2022 në vende të 40 orëve punojnë 36 orë në javë – nga e hëna në të premten. Albulena Sinanaj-Gashi, Specialiste e Burimeve Njerëzore në PECB ka treguar për AkademiPune më shumë për mënyrën e organizimit të ditëve të punës që kur filluan ta aplikojnë këtë praktikë.
“Për ta bërë punën më lehtë të menaxhueshme e kemi shtuar një orë në ditët e punës nga e hëna në të enjten në mënyrë që e premtja te jetë ditë pushimi. Sa për sqarim e premtja është ditë pune për dy departamentet të cilët ofrojnë shërbime ndaj klientëve, por që punojnë me sistem te rotacionit ku ata punëtore që punojnë të premten e kanë të hënën pushim. Me orarin e ri kemi sakrifikuar katër orë në javë me objektiven qe te rritet morali, motivimi, dhe produktiviteti i ekipit që në fund të kompensohen në mënyrë indirekte ato orë”, ka shpjeguar ajo.
Sinanaj-Gashi: Kjo praktikë ka ndikuar në fokusin më të madh të punëtorëve
Gati një vit me këtë praktikë të punës, menaxhmentit i është shpaguar pozitivisht ky vendim. Sipas tyre kjo është vërejtur në motivimin më të madh dhe produktivitetin e punonjësve.
“Duke pasur një dite më shumë pushim, punonjësit tanë kanë më shumë kohë të pushojnë dhe të bëjnë aktivitete zbavitëse dhe kur të fillojnë javën të hënën janë të pushueshëm dhe më të përgatitur për punë”, ka shpjeguar tutje Sinanaj-Gashi. Sipas saj, kjo praktikë ka ndikuar veçmas në fokusin më të madh të punëtorëve për t’i përmbledhur të gjitha detyrat e tyre në katër ditë pune.
“Të gjithë e kuptojnë që duhet të bëhemi më të mirë me prioritizimin e detyrave në mënyrë që punët me te rëndësishme të kryhen gjatë javës e kjo i bie të jenë më produktiv dhe më të shpejt. Po ashtu aplikimi i teknologjisë në përmirësim të proceseve dhe operacioneve po na bënë me produktiv si kompani, strategji kjo qe do të vazhdojmë ta aplikojmë në sfera të ndryshme”, ka shpjeguar ajo.
Punëtorët e kësaj kompanie kanë mundësi të punojnë me dy orare të ndryshme (nga 7:30 deri në 17:00 ose nga 8:00 deri në 17:30). Punëtorët e kësaj kompanie përgjatë këtij orari kanë pauzën e drekës dhe pauza të tjera të shkurtra në mënyrë që të relaksohen që të kenë fokus më të lart në punë. Sinanaj-Gashi ka pohuar se kjo ka ndikuar në balancimin mes jetës private dhe asaj profesionale.
“Punonjësit kanë më shumë kohë për t’i kushtuar familjes, për te pushuar, për të kryer obligime të tjera që nuk mund të kryhen në vikend, kohe për tu marrë me aktivitete të ndryshme etj”, ka shpjeguar tutje ajo.
Për kompanitë që janë para një dilemë të tillë, Sinanaj-Gashi ka një mesazh që të mos hezitojnë. Ajo shpjegon se kjo ka ndikuar në rritjen e produktivitetit dhe në reputacionin e kompanisë për të tërhequr më shumë kandidatë që duan t’i bashkohen një ambienti dhe praktike të tillë pune.
“Përkundër sfidave që mund të ketë gjatë rrugës, ne e rekomandojmë orarin me katër ditë pune në jave për të gjitha kompanitë që kanë hapësirë dhe që lloj i shërbimit që e ofrojnë i lejon që ta aplikojnë atë. Çdo iniciativë që kompanitë e bëjnë për të ndikuar ne balancimin e jetës personale dhe profesionale përveç që ndikon që punëtorët të jenë më të kënaqur edhe kompania përfiton shumë”, ka qenë mesazhi i Albulena Sinanaj-Gashi, Specialiste e Burimeve Njerëzore në PECB.