Qeveria mburret me të hyrat tatimore, thotë se për një vit janë rritur për 15.5 milionë euro

Për 15.5 milionë euro janë rritur të hyrat tatimore për një vit në Kosovë, sipas të dhënave të prezantuara nga Qeveria.

Në një komunikate për media të premten, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se të hyrat e muajit janar janë 96.7 milion euro tatime, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 19.2 për qind.

“Muaji i parë i këtij viti ka reflektuar me të hyra të konsiderueshme tatimore, çka nënkupton se është një nismë e mbarë në realizimin e projeksionit për këtë vit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Reklama e sponzorizuar

“96.7 milion euro tatime, janë të hyrat e muajit janar që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje  për 15.5 milion euro apo 19.2%. Ndërsa, kontributet pensionale janë 18 milion euro”.

Tutje, thuhet se Administrata Tatimore e Kosovës këtë vit përveç prioriteteve kryesore që ka në mbledhjen e të hyrave, borxheve dhe vazhdimin e avancimit të shërbimeve profesionale për tatimpagues, ka në synim edhe implementimin e Planit Strategjik, implementimin e projekteve për përmirësimin e përmbushjes në sektorët me rrezik, etj.

“ATK falënderon tatimpaguesit për kryerjen e detyrimeve tatimore, në të njëjtën kohë kërkon nga ta që të vazhdojnë të jenë kontribuues në zhvillimin e vendit tonë”, përfundon komunikata.