Bankat europiane rrezikojnë të shkaktojnë probleme në rrugën drejt emetimeve zero të karbonit dhe rritjen e energjisë së rinovueshme, nëse nuk ndalojnë financimin e drejtpërdrejtë të fushave të reja të naftës dhe gazit këtë vit, thanë ditën e premten investitorët e Aegon Asset Management, La Francaise Asset Management dhe Skemën e Pensioneve të Qeverisjes Vendore Britanike.
ShareAction, një organizatë bamirësie që promovon investim të përgjegjshëm, tha se kishte kontaktuar pesë banka, Barclays, BNP Paribas, Credit Agricole, Deutsche Bank dhe Societe Generale, si dhe HSBC e Britanisë. Këto banka janë financuesit më të mëdhenj europianë të kompanive kryesore të naftës dhe gazit, që kanë zgjeruar prodhimin gjatë viteve 2016 dhe 2021.
Megjithatë, HSBC tha në dhjetor se do të ndalonte financimin e drejtpërdrejtë të fushave të reja të naftës dhe gazit, duke iu bashkuar bankave të tjera që kufizojnë financimin e aseteve, vuri në dukje ShareAction.
Investitorët po i vënë në dijeni këto banka se do të përballen me një trysni gjithnjë në rritje, nëse nuk veprojnë shpejt për të ndërprerë financimin e tyre të naftës dhe gazit.
Një zëdhënës i Barclays tha se banka mund të bënte ndryshimin më të madh, duke punuar me klientët, gjatë kalimit në një ekonomi të qëndrueshme, me një shkallë të ulët përdorimi të karbonit (low carbon economy).
“Kjo përfshin shumë kompani të naftës dhe gazit që janë të angazhuara në mënyrë aktive dhe kritike për tranzicionin,” tha zëdhënësi, duke shtuar se Barclays po ulte emetimet e saj të financuara nga energjia.
BNP Paribas tha në një email se kishte njoftuar objektiva të reja muajin e kaluar për të “përshpejtuar kalimin në një ekonomi me shkallë të ulët përdorimi të karbonit”, duke përfshirë financimin e mënyrave të reja të kërkimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit, si dhe uljen e ekspozimit ndaj gazit.
Credit Agricole tha se kishte përfunduar tashmë financimin e projekteve të reja të nxjerrjes së naftës dhe se kishte një plan për të arritur neutralizimin e karbonit deri në vitin 2050, pra një barazim i emetimit dhe përthithjes së karbonit nga atmosfera.
Societe Generale nuk pranoi të komentonte. Megjithatë, banka franceze ka si objektiv reduktimin e ekspozimit ndaj prodhimit të naftës dhe gazit, deri në vitin 2025.
Deutsche Bank tha se kishte “reduktuar ndjeshëm” përfshirjen e saj në sektorët me përdorim të lartë karboni, që nga viti 2016. Banka ka rënë dakord për objektivat e reduktimit të emetimeve të financuara të karbonit deri në vitin 2030 dhe deri në vitin 2050.
“Ne jemi të përkushtuar për të mbështetur klientët tanë në ecurinë e tyre drejt neutralizimit të karbonit”, tha banka në një deklaratë të dërguar me email.
Megjithëse bankat kanë përforcuar kriteret e tyre të dhënies së kredive për lëndët djegëse fosile, si pjesë e premtimeve për të ulur emetimet e financuara të karbonit në zero deri në vitin 2050, shoqatat mjedisore thonë se përpjekjet janë shumë të pakta dhe me vonesë.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (International Energy Agency, IEA), tha në vitin 2021 se investimet në projektet e reja të furnizimit me naftë, gaz dhe qymyr duhet të ndërpriten, për të arritur emetimet neto zero deri në mesin e shekullit. / Reuters