Disa nga kompanitë më të mëdha tregtare ndërkombëtare prej kohësh i kërkojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës të forcojnë transportin e naftës ruse përmes detit. Synimi i palës amerikane është të sigurojë stabilitetin e flukseve, por edhe të forcojë mbikëqyrjen e eksporteve ruse.
Në veçanti, sipas një raporti të Financial Times, zyrtarët e Thesarit të SHBA u takuan me drejtues nga Trafigura dhe Gunvor, ndër të tjera, duke i siguruar ata se mund të rrisin dërgesat ruse të karburanteve fosile për sa kohë që nuk shkelin sanksionet. Megjithëse Uashingtoni nuk e ka kundërshtuar transferimin e naftës ruse sipas kushteve të marrëveshjes së G7, tregtarët kryesorë të pavarur të naftës janë të kujdesshëm. Ndërkohë, Rusia po kërcënon të reduktojë furnizimet e naftës brenda muajit për shkak të rritjes së mbështetjes të perëndimit për Ukrainën.
Nga ana e saj, qeveria amerikane fillimisht ushtroi presion mbi G7 për një tavan të çmimit të naftës ruse, në mënyrë që të reduktojë të ardhurat e Rusisë nga energjia. Në të njëjtën kohë, megjithatë, u përpoq të siguronte rrjedhjen ‘e qetë’ të naftës në tregjet ndërkombëtare, nga frika e mundësisë së një kolapsi të furnizimeve nga një prej eksportuesve kryesorë në botë.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të ruajë ekuilibrin: nga njëra anë të reduktojë të ardhurat e Kremlinit, nga ana tjetër të sigurojë qetësinë e tregut. Në dhjetor, G7 vendosi një tavan prej 60 dollarësh për fuçi për naftën ruse, i cili aplikohej për tregtarët që përdorin shërbimet perëndimore për ta transportuar atë. Gjithashtu, shumica e vendeve të G7 dhe BE-së kanë ndaluar importin e naftës ruse nga deti. Megjithatë, shitjet në vende të tjera lejohen. Për shembull, India, Kina dhe Turqia kanë rritur importet në muajt e fundit.
Ndërsa tregtarëve u kërkohet të vërtetojnë se fuçitë e naftës janë blerë në ose nën tavan, ata thonë se zbatimi i kushteve nga SHBA është relativisht i dobët. Megjithatë, tregtarët perëndimorë dhe bankat e lidhura me ‘ta nuk kanë dëshirë të vazhdojnë me transfertat për shkak të ndikimit të mundshëm në reputacion.
Së fundmi, vihet re se shumë nga tregtarët e mëdhenj janë vënë në shënjestër së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, duke u përballur me gjoba dhe hetime për mundësinë e ryshfetit dhe praktikave të tjera korruptive në vendet në zhvillim. /Scan tv/