“Future of jobs” – 10 aftësitë e punës më të kërkuara për momentin

Kohët e sotme, puna dhe detyrat janë në ndryshim të vazhdueshëm. Miliona role pune mund të zhduken ose të krijohen në vitet e ardhshme, sipas organizatës joqeveritare Forumi Ekonomik Botëror (World Economic Forum, WEF).

Kjo lidhet me një gamë të gjerë arsyesh, nga përparimet teknologjike deri te ndryshimet klimatike. Por, një gjë është e sigurt: shumë punonjës do të duhet të përshtaten.

Prandaj, aftësitë për të përballuar këtë ndryshim – dhe ndoshta edhe kërkesat e reja të punës – janë jetike.

Reklama e sponzorizuar

Në raportin e tij të fundit “Future of Jobs”, WEF parashtron se cilat aftësi janë kyçe tani dhe cilat do të bëhen jetike në vitet e ardhshme.

Raporti bazohet në një anketim të 803 kompanive, në 27 grupe të industries, në 45 ekonomi të ndryshme.

Aftësitë analitike dhe mendimi krijues, zënë vendet kryesore, për sa i përket asaj që kompanitë presin nga punonjësit në të tashmen.

Të qenit elastik, fleksibël dhe i shkathët, të qenurit i motivuar dhe i vetëdijshëm, kurioz dhe i përkushtuar ndaj të mësuarit gjatë gjithë jetës, përmbyllin pesë aftësitë kryesore të renditjes.

Vetëm një aftësi e lidhur me teknologjinë – edukimi teknologjik – renditet në top 10, në vendin e gjashtë. Aftësia për të kuptuar dhe punuar me inteligjencën artificiale (artificial intelligence, AI) aktualisht renditet në vendin e 15-të.

Renditja më e re, pasqyron disa ndryshime, nga sondazhi i fundit, i publikuar në vitin 2020.

“Krahasimet me sondazhet e mëparshme, sugjerojnë se të menduarit krijues, po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, në krahasim me të menduarit analitik, pasi detyrat në vendin e punës bëhen gjithnjë e më të automatizuara”, thuhet në raport.

“Në vitin 2018 dhe 2020, numri i kompanive të anketuara, që e konsideronin të menduarit analitik si aftësi thelbësore, tejkaloi ato që konsideronin të menduarit krijues si të tillë, me diferencë 35% dhe 38%, respektivisht. Ky hendek tani është ulur në 21% dhe mund të vazhdojë të ulet.”

 

Aftësitë e reja

Priten ndryshime të mëtejshme, për sa i përket aftësive më të kërkuara në punë. “Punëdhënësit vlerësojnë se 44% e aftësive të punonjësve, nuk do të nevojiten më gjatë pesë vitve të ardhshme”, thuhet në raport.

Mendimi krijues është aftësia, që pritet të rritet më së shumti në rëndësi, e ndjekur nga mendimi analitik dhe edukimi teknologjik.

Ky i fundit, është veçanërisht i rëndësishëm, pasi zhvillimet teknologjike do të jenë një shtytës kryesor i krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhdukjes së atyre ekzistuese.

Inteligjenca artificiale dhe njohuritë e të dhënave (big data knowledge) renditen në vendin e shtatë, pasi sektori ka pasur lulëzim kohët e fundit, duke ngritur shqetësime se sa shkatërruese do të jetë inteligjenca artificiale për vendet e punës.

Aftësitë e buta (soft skills) si kurioziteti, të mësuarit e vazhdueshëm, si dhe elasticiteti, fleksibiliteti dhe shkathtësia, do të bëhen gjithnjë e më jetike për punonjësit, duke u renditur respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Në anën tjetër të peshores, aftësitë fizike janë ndër ato, që mund të jenë më pak të rëndësishme në të ardhmen.

“Ndërsa të anketuarit vlerësuan se asnjë aftësi nuk ishte në rënie neto, pakica të konsiderueshme kompanish gjykojnë leximin, shkrimin dhe matematikën; shtetësinë globale (global citizenship); aftësitë përpunuese shqisore (sensory-processing abilities); shkathtësinë, qëndrueshmërinë dhe saktësinë manuale, se do të jenë me rëndësi në rënie për punonjësit e tyre”, thuhet në raport.

 

10 aftësitë më të rëndësishme

Këto janë 10 aftësitë më të rëndësishme për punonjësit këtë vit, sipas raportit të WEF.

1. Mendimi analitik

2. Mendimi krijues (creative thinking)

3. Rezistenca, fleksibiliteti dhe shkathtësia (resilience, flexibility, and agility)

4. Motivimi dhe vetëdija (motivation and self-awareness)

5. Kurioziteti dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës (curiosity and lifelong learning)

6. Edukimi teknologjik (technological literacy)

7. Besueshmëria dhe vëmendja ndaj detajeve (dependability and attention to detail)

8. Empatia dhe dëgjimi (empathy and active listening)

9. Udhëheqja dhe ndikimi shoqëror (leadership and social influence)

10. Kontrolli i cilësisë (quality control)

/ CNBC