Auditorja vë në pah kontratat milionëshe me negocim të ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Tregtisë e Industrisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se 26 aneks-kontrata janë lidhur nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë prej 6 milionë euro gjatë vitit 2021 përmes procedurave me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë.

Sipas saj, ky nuk është rasti i vetëm, pasi ngjashëm kishte vepruar edhe në vitin 2019.

Krahas auditimit të kësaj rruge, janë bërë edhe auditime edhe për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT dhe sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Reklama e sponzorizuar

Spanca tha se përdorimi i procedurës së negociuar, në rastet e lartcekura nuk ishte i arsyeshëm pasi që Ministria e kishte ditur se katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve në fjalë.

Sipas saj, Ministria në këto raste do të duhej që të shmangte përdorimin e procedurës së negociuar, dhe për këto katër projekte do të duhej të zbatonte procedurën e hapur.

“Raportet e auditimit të cilat i kemi publikuar gjatë kësaj jave, është raporti për prokurimin përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të lidhura në vitin 2021, si dhe auditimin që ka të bëjë me mbështetjen e ndërmarrjeve nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, përkatësisht nga Agjencia KIESA, si dhe auditimin e teknologjisë së informacionit që ka të bëjë me sistemet e teknologjisë së informacionit në Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit ‘Prishtina’”, u shpreh Spanca pë EO.

Auditimi tjetër “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë /KIESA”, tregon se MINT KIESA nuk ka arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NMVM-ve dhe Zonave Ekonomike.

Ajo ka thënë se MI-ja ka lidhur 26 anekskontrata në vlerë prej 6 milionë euro. Sipas saj, ky dikaster edhe në të kaluarën ka lidhur ankeskontrata përmes procedurave me negocim e pa publikim të njoftimit për kontratë.

“Sa i përket auditimit për prokurimet me negocim pa publik të njoftimit për kontratë e të cilat janë udhëhequr nga ministria e Infrastrukturës për vitin 2021, vetëm gjatë vitit 2021, MI-ja ka lidhur 26 anekskontrata në vlerë prej 6 milionë euro, prej të cilave ne kemi audituar 13 kontrata në vlerë prej 4 milionë euro, që i bie 70 për qind në total të anekskontratave që janë lidhur për vitin 2021. Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Infrastrukturës ka lidhur ankeskontrata përmes procedurave me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë. Lloje të tilla të kontratës ka lidhur edhe në vitin 2019 afër 12 kontrata në vlerë totale prej 5.7 milionë euro”, ka thënë Spanca.

Spanca ka theksuar se gjatë vitit 2022, janë dërguar 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit.

Por bashkëpunimi me këtë institucion nuk është edhe fort i madh. Thotë se nuk kanë marrë asnjë informatë nëse në raportet e dërguara është ngritur ndonjë aktakuzë.

“Sa i përket 77 rasteve të cilat i kemi dërguar e që janë në bazë të rezultateve të cilat i kemi publikuar në sezonin e kaluar, dhe në këtë aspekt kemi bërë një progres sa i përket komunikimit me prokurorin e shtetit, kemi nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit, ku kemi paraparë mënyra për fasilitimin e këtij procesi që të caktohet një koordinator nga ana jonë dhe një koordinator në shtatë gjykatat themelore, me qëllim që të komunikojmë më lehtë dhe të kemi një informatë se ku janë proceset sa i përket rasteve që ne i kemi dërguar. Momentalisht ne nuk kemi informata kthyese për të parë nëse rastet të cilat i kemi dërguar ne tek prokurori i shtetit, është ngritur aktakuza apo është mbyllur rasti”, thotë Spanca, teksa kërkon që së paku të kenë informata.

“Informatat kthyese për neve janë të dobishme, sepse neve do të bënin që të përmirësoheshim edhe brenda që mos ta ngarkojmë prokurorin e shtetit ndoshta me çështje që nuk kanë elemente të mashtrimit, pavarësisht se ne e mendojmë”, u shpreh ajo.