Sot, në Tregun e Gjelbër, atë kryesorin në kryeqytet, binte në sy, veçanërisht çmimi shumë i lartë, madje mbase edhe rekord për këtë kohë, i patatës që tregtohej 1 euro deri 1,2 euro kilogrami. Ndërsa, siç kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik tregtarët e këtij produkti, ai është i importuar nga Egjipti.
Buletini Ekonomik
Tregjet e gjelbra të Prishtinës dje dhe sot, sipas një vrojtimi sipërfaqësor dukeshin të furnizuara mirë, përplot produkte bujqësore, perime dhe pemë, madje edhe me fruta tropikale (banane, avokado) etj. Por, edhe më tutje po vazhdojnë të mbahen çmimet e larta dhe vështirë të kapshme për popullsinë shumicë të kryeqytetit, si pjesëtarë të shtresave të mesme dhe të varfëra.
Sot, binte në sy, veçanërisht çmimi shumë i lartë, madje mbase edhe rekord për këtë kohë, i patates, që tregtohej 1 euro deri 1,2 euro kilogrami. Ndërsa, siç kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik tregtarët e këtij produkti, ai është i importuar nga Egjipti.
Gjithsesi, shtandet e këtyre tregjeve dominoheshin edhe sot nga specat (djegës dhe pa djegës) dhe domatet nga importi (specat nga Turqia me shumicë dhe nga Greqia në sasi më të pakta, ndërsa domatet nga Shqipëria) dhe nga tragujt, që tashmë pos importit nga Shqipëria, kanë dalur edhe ata nga kopshtarët vendor të fshatrave përreth Prizrenit, e sidomos nga kopshtijet e Mamushës.
Po të llogariten çmimet e para dy-tre javëve të këtyre prodhimeve dominuese në tregjet e gjelbra tonat me çmimet aktuale, duket të ketë një rënie të vogël të tyre. Dje pasdite dhe sot, në Tregun e Gjelbër që vlerësohet nga kryeqytetasit si më i madhi dhe kryesori (te RTK-ja), një kilogram i specave cilësor djegës tregtohet 2 deri në 2,5 euro, ndërsa ata padjegës shiteshin 1 deri në 1,5 euro për kilogram. E tërë sasia e specave të shumtë të vendosur nëpër shtande të shumta të këtij tregu, sipas tregtarëve, vie nga Turqia. Ndërsa domatja, që dje u ofrohej prishtinasve, ishte e tëra nga serrat e Shqipërisë dhe kushtonte 1,30 deri në 1,50 euro kilogrami.
Domatja e ashtuquajtur rozë, që ka disa vjet konsumohet shumë edhe nga kosovarët dhe që gjithmonë ka kushtuar më shumë se domatja e rëndomtë, edhe sot dallonte për nga çmimi dhe kushtone 1,5 euro. E rëndomta, kishte çmimin thuaja në të gjitha shtandet 1.30 euro.
Edhe trangujt, që kishin mbushur tregjet e gjelbra të Prishtinës, dje dhe sot, sado që kishin një ulje çmimi krahasuar me 2-3 javë më parë, shiteshin me 2 çmime. Trangujt e vegjël me origjinë nga serrat e Mamushës, kushtonin 1 euro kilogrami ndërsa ata të gjatët 0,80 centë. Në anën tjetër, karrota vendore kushtonte 0,80 centë kilogrami, ndërsa qepët e reja, të ardhura kryesisht nga Maqedonia e Veriut, sot kishin çmimin 1 deri në 1,30 euro kilogrami. Tufa e qepëve të reja, që ka zënë të lirohet, shitej nga 5 tufa 1 euro, por edhe 8 sosh me të njëjtin çmim.
Nga perimet e prodhuara në tokat e bujqëve dhe kopshtarëve të Kosovës janë shumë prezente ende lakra e re, sallata e gjelbër dhe spinaqi, ndërsa nga pemët vendase dominojnë dredhëzat, të cilat vazhdojnë të kenë çmime të larta krahasuar me fuqinë blerëse të kientelës kosovare. Sot një amballazhim dredhëzash të cilësisë së lartë, që përafërsisht peshon rreth 400 gramë, në Tregun e Gjelbër kryesor të kryeqytetit, kushtonte 1, 30 euro, ndërsa dredhëzat e cilësisë të diskutueshme dhe ato të dëmtuara, në të njëjtin amballazhim, kishin çmimin 0,80 centë.
Ndërsa një kilogram i spinaqit vendor edhe sot tregtohej 70 centë deri në një euro. Sallata e gjelbër, e prodhuar si gjithnjë në këtë kohë, me shumicë nga kopshtarët kosovarë, mbante çmimin standard tashmë dhe shitej 50 centë, po aq sa ka kushtuar tani e dy-tre muajt e fundit.
Ndërkaq, mollët nga importi sot kanë pasur ngritje goxha të madhe të çmimit dhe tregtoheshin 1,20 euro kilogrami. Vezët, në këtë treg kanë nisur të shiten me çmim të ulur krahasuar me disa jave më parë. Sot një komplet vezësh prej 30 copësh kishte çmimin nga 2,50 deri në 2,90 euro. /Buletini Ekonomik/