Fitimet e bankave në Kosovë, për 3 muaj mbi 40 milionë euro

Nga janari në mars të këtij viti bankat komerciale në Kosovë kanë fituar mbi 40 milionë euro, raporton Instituti për Hulumtime “Front”.

Fitimet dhjetëra milionëshe të bankave vetëm për çerekun e parë të vitit 2023 janë rezultat i normave të larta të interesit në kredi dhe shtrenjtimit të vazhdueshëm të tarifave të shërbimeve bankare.

Vlera e përgjithshme e kredive të aprovuara nga sistemi bankar ka kaluar shifrën e 4.5 miliardë euro, prej të cilave rreth 1.7 miliardë janë kredi të ekonomive familjare dhe rreth 2.8 miliardë euro kredi të biznese.

Reklama e sponzorizuar

Norma mesatare e interesit në kredi në fund të marsit ka qenë 6.3%, përderisa norma mesatare e interesit në depozita ka qenë vetëm 1.8%, apo 4.5 për qind dallimi në norma të interesit mes kredive dhe depozitave.

Në anën tjetër, vlera e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar ka tejkaluar shumën prej 5.5 miliardë euro, prej të cilave prej 3.7 miliardë euro janë depozita të ekonomive familjare, raporton iFront.