Këmbimorja më e madhe në botë për kriptovaluta largohet nga Kanada

Këmbimorja më e madhe në botë për kriptovaluta, Binance ka vendosur të largohet nga Kanada për shkak të rregulloreve të reja, më të rrepta që lidhen me industrinë e kriptomonedhave.

Binance njoftoi në Twitter se po tërhiqet prej shtetit kanadez shkaku i rregullave të reja të prezantuara nga Administratorët Kanadezë të Letrave me Vlerë (CSA).

Në muajin shkurt, CSA urdhëroi të gjitha platformat e kriptove që operojnë në shtetin kanadez që të regjistrohen tek rregullatorët përkatës të sigurisë brenda 30 ditëve ose të ndërpresin aktivitetet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Në njoftimin e sipërpërmendur, CSA deklaroi gjithashtu se kripto-platformat do të duhet të ndjekin rregulla më të rrepta kur miratojnë kriptomonedha të qëndrueshme, si dhe se ato do të jenë të detyruara të mbrojnë më mirë asetet e përdoruesve të tyre.

Binance deklaroi se u përpoq të gjente një zgjidhje dhe të qëndronte në Kanada ndërsa shprehu keqardhjen për largimin nga vendi.

Ai falënderoi organizatën CSA për bashkëpunimin e mirë dhe shprehu shpresën se do të kthehet në Kanada kur rregulloret të jenë më të favorshme për kripto-novacionet. /Telegrafi/