Ministri i Financave, Hekuran Murati ka fajësuar opozitën për bllokimin e Kuvendit lidhur me projektin e Ngrohjes Qendrore Solare.
Sipas Muratit, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk po arrin të bëhet për shkak se nevojiten 80 vota.
“Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita. Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare. Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes”, shkruan Murati në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që “të heqin dorë nga inatet politike”.
“Ka shumë mënyra për të bërë opozitë. Mirëpo bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do duhej të ishte njëra nga to. Andaj, lus deputetët e opozitës që të heqin dorë nga inatet politike dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme”, ka përfunduar ai.