Europa, e cila grumbulloi vëllime të mëdha qymyri vitin e kaluar ndërsa u përpoq të ruante rezervat e saj të energjisë, po kërkon blerës të interesuar për qymyrin e papërdorur.
Pas dimrit relativisht të butë të Europës këtë vit dhe shqetësimeve rreth mungesës së energjisë, qymyri i importuar në vitin 2022 ka filluar të ridrejtohet në portet europiane për t’u dërguar në tregje të tilla si Maroku, Senegali dhe Guatemala.
Një total prej 1.12 milion ton qymyr janë dërguar nga Spanja, Holanda dhe portet e tjera europiane, duke përfshirë një dërgesë prej të paktën 145 mijë tonësh në Indi në prill. Ngarkesa më të vogla janë dërguar në rrugë që konsideroheshin të pamundura në vitet e fundit.
Ekspertët shprehen se një pjesë e mirë e kësaj sasie qymyri është mbajtur në magazina për të paktën një vit dheështë ende i përdorshëm. Zakonisht pas muajsh ruajtjeje në natyrë, qymyri fillon të dekompozohet dhe në fund është i padobishëm.
Kjo situatë tregon dinamikën e re që është shfaqur pas masave emergjente energjetike të marra nga Europa në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës. Një numër i madh i impianteve të qymyrit u rivunë në punë dhe investitorët nxituan të blinin lëndë djegëse fosile – shumica e tyre nga Rusia – për të siguruar energjinë e tyre.
Megjithatë, sasitë shtesë të qymyrit nuk ishin të nevojshme për shkak të hyrjes së madhe të gazit natyror të lëngshëm dhe temperaturave relativisht të buta që mbizotëruan për pjesën më të madhe të dimrit. Në fakt, sipas të dhënave vendet e Bashkimit Europian përfundimisht ‘dogjën; 11% më pak qymyr se dimrin e kaluar. Si rezultat, çmimet e transportit të qymyrit në portet e Amsterdamit, Roterdamit dhe Antëerp gjithashtu ranë, duke arritur deri në 90 dollarë për ton. Kjo është pothuajse 25% e çmimit të vendosur në kulmin e vitit të kaluar.
Vetëm një vit më parë, furnizuesit nga e gjithë bota “përmbytën” Europën, ndërkohë që blerësit ishin të gatshëm të paguanin shtrenjtë për të siguruar energjinë, duke injoruar objektivat klimatike.
Tani, i njëjti qymyr shitet me një çmim shumë më të ulët. Edhe pse në përgjithësi një tregti me humbje, ata që kishin siguruar një çmim fiks mund të marrin një fitim të vogël.
Në çdo rast, rishitja e qymyrit mbart rreziqe për Europën. Vitin e kaluar, Gjermania zgjati në kohë funksionimin e tre reaktorëve të saj të fundit bërthamorë, të cilët tani janë mbyllur. Në të njëjtën kohë, Europa është gjithnjë e më e varur nga flukset e gazit natyror nga Norvegjia dhe importet e gazit natyror të lëngshëm nga rajone të tjera. Gjithësesi ekspertët paralajmërojmë se njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos ndërmarrin vendime të nxituara. Kjo pasi nuk e dimë se çfarë do të ndodhë dimrin e ardhshëm. /Scan tv/