Aliu nënshkruan marrëveshje për përshpejtimin e agjendës klimatike dhe mjedisore

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njofton për nënshkrimin e marrëveshjes me UNDP-në për bashkëpunim për veprime klimatike.

Ministri Aliu thekson se rezultatet kyçe të këtij bashkëpunimi do të jenë:

“Forcimi i strukturave politike, ligjore dhe institucionale, të nevojshme për zbatimin e Agjendës për Klimën dhe Mjedisin në Kosovë, me fokus të veçantë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike!  Zbatimin e projekteve pilot për promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, me potencial të lartë për zgjerim! Mbështetjen e digjitalizimit të të dhënave mjedisore dhe forcimin e infrastrukturës digjitale për iniciativa të qëndrueshme dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, Aliu tha se së bashku po përshpejtojnë agjendën klimatike dhe mjedisore të Kosovës.

Ditë më parë kryeministri Albin Kurti tha se Kosova ka rrezik nga ndryshimet klimatike dhe se po bëjnë një plan për të siguruar fonde.

Ai tregoi se modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale. Ai tha se në krahasim me nivele të zakonshme të vitit 1970, temperatura mesatare vjetore në rajon është rritur për 1.2 gradë celsius.

“Kjo ndikon në sasinë e reshjeve, duke sjellë reshje të shumta në forma të shkurtëra dhe të dendura që shkaktojnë përmbytje të shpejta”, tha Kurti.

Në mesatare, Kurti tha se rreth 10 mijë persona preken nga përmbytjet në Kosovë.