Si do t’i bëjë Kosova 1, 300 megavatë energji të rinovueshme deri më 2031?

Panele solare dhe turbinat me erë

Për t’i pasur 1.300 megavatë energji të gjelbër deri më 2031, sa parashikohet edhe me dokumente zhvillimore, Kosova duhet t’i ndërtojë, së paku edhe 10-11 kapacitete të barabarta me Parkun e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës, ose po kaq dhe më shumë kapacitete në bazë të diellit. A do t’a ketë Kosova këtë numër të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme brenda 8 vjetësh sa kanë mbetur deri më 2031, është çështje e diskutueshme.

Mehmet GJATA

Sado që synimet e autoriteteve për tranzicionin energjetik në Kosovë, tash e sa kohë, janë thuaja se të sqaruara, të detajizuara dhe të saktësuara në numra dhe përqindje, akoma, pra as në këtë vit, nuk ka ndodhur ndonjë veprim konkret, ndonjë investim për ta shënuar për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri elektroenergjetik në kuadër të tranzicionit, aq shumë të përfolur dhe të propaganduar ka dy vjet e më shumë nga zyrtarët e Republikës.

Reklama e sponzorizuar

Thjesht, ka parashikime, vizione për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë së rinovueshme, gjithsesi më shumë këso idesh për impiante të energjisë solare se sa asaj në bazë të erës, por nuk ka ndërtime, as ndonjë gurthemel, as ndonjë përcaktim konkret të ndonjë trolli apo hapësire (pos ankandit për një kapacitet solar 100 megavatësh në rajonin e Rahovecit) ku do të zinin vend objektet e synuara të energjisë së gjelbër.

Se në Kosovë ka vetëm ide dhe vizione dhe jo edhe jetësim të këtyre parashikimeve për të pasur goxha sasi të energjisë së ripërtëritshme në vitet në vazhdim flasin të dhënat më konkrete. Siç dihet, tash e një kohë më të gjatë, në shumë raste, në takime të ndryshme rreth zhvillimeve energjetike, në séanca të ndryshme të Kuvendit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ripërsëritur sa e sa herë se deri në vitin 2031, përpos kapaciteteve që Kosova i ka, të alokojë edhe 1.300 megavatë të tjera të gjenerimit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtërishme të energjisë. Këto kapacitete të synuara, sipas Rizvanollit, janë edhe në kuadër të aspiratave të Kosovës për një tranzicion energjetik dhe dekarbonizim të plotë deri në vitin 2050.

Këto parashikime (1.300 megavatë të reja të energjisë së ripërtritshme deri në fund të 2031-tës) , pak a shumë identike, i përmban edhe strategjia energjetike 2022-2031, tashmë e miratuar në të gjitha institucionet e Kosovës. Ndërsa, shtysë me ndikim jo të vogël për këto parashikime ambicioze të Kosovës, kanë qenë në rend të parë mungesa e energjisë elektrike në vend, por edhe kriza e ashpër energjetike në fund të vitit 2021 dhe dhe në fillim të 2022-shit, që u shpërfaq me tërë ashpërsinë dhe pasojat edhe në Kosovë. Kosovarët, edhe zyrtarët e tyre, tashmë janë të vetëdijësuar se mungesa e energjisë në vendin e tyre është pasojë, kryekëput e mungesës së kapaciteteve prodhuese, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë sosh të rinovueshme për ta përmbushur dhe kompenzuar këtë mungesë.

Termocentralet ekzistuese të stërvjetruara- Kosova A prodhon energji që nga vitet e 60-ta, ndërsa B-ja si më e re funksionon që nga viti 1979. Mirëpo, edhe ca zhvillime të tjera që kanë ndodhur në ndërkohë në komunitetin energjetik të botës, domosdo që kanë qenë faktor goxha determinues për ecuritë elektroenergjetike në vendin tonë. Në radhë të parë përcaktimi i shumicës së shteteteve të botës dhe krahas tyre edhe i asociacioneve ndërkomëtare energjetike dhe goxha me ndikim në kahet e zhvillimit të ardhshëm energjetik për dekarbonizimin në një të ardhme thuaja të afërt të botës, që do të thotë edhe të shteteteve veç e veç, ka pasur ndikim të veçantë në vizionet zhvillimore energjetike, e sidomos në vendet në zhvillim dhe në ato të varfëra. Në Kosovë, rezolutat, vendimet dhe dokumentet e shumta të asociacioneve të botës, janë reflektuar edhe më sepse ato kanë paraparë afate konkrete për të rritur përqindjet e energjisë së rinovueshme në dëm të energjisë së prodhuar nga qymyri.

Me fjalë të tjera, Kosova, megjithë rezervat kolosale të thëngjillit (vlerësohet se Republioka jonë radhitet e pesta në botë për nga rezervat e thëngjillit), kushtimisht është detyruar, ose do të detyrohet t’ia kthej shumë shpejtë shpinën gjithë kësaj sasie të qymyrit dhe në sipërfaqe të tokës në favor të vizioneve zhvillimore energjetike të rinovueshme. Shi për këtë, sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, autoritetet kosovare, dhe veçmas ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe në shumë raste edhe kryeministri Albin Kurti si dhe komuniteti energjetik dhe përfaqësues të shoqërisë civile kosovare gjatë viteve të fundit, e sidomos gjatë 2021-shit dhe 2022-shit kanë vu në dukje se “konsumi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë do të rritet nga 5% sa është aktualisht në deri në 30% në vitin 2031, dhe deri në 50% deri në vitin 2050”.

“Për qytetarët e për planetin tonë, ne duhet të sigurohemi që të kontribuojmë për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike”, ka thënë shumë herë në këto vite ministrja Rizvanolli.

“Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në konsumin e energjisë tonë elektrike sot është vetëm 5%, ndërsa në skenarë që jemi duke i zhvilluar ka indikime që kjo shifër do të ketë rritje deri në 25-30% për vitin 2031. Pra një rritje prej përafërisht 400%, me synim të rritjes deri në 50% të pjesëmarrjes së BRE-ve në konsumin e energjisë elektrike deri në vitin 2050”, kishte sqaruar në këto dy vjet sa e sa herë ajo.

Krejtësisht identike ishin edhe diskutimet e shumta të kryeministrit Kurti. Mirëpo, në këto premtime të bëra nga zyrtarët gjatë debateve, intervistave dhe vizitave nëpër objekte të ndryshme elektroenergjetike të vendit, dhe gjatë debateve për Strategjinë energjetike të Kosovës 2022-2031, nuk u sqarua asnjëherë deri në fund se si do të përmbushën objektivat e premtuara, a do të ketë Kosova e varfër gjithë ato para për të ndërtuar deri më 2031 këto kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme, a do të ketë kuadrin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për impementimin e këtyre projekteve e shumë çështje të tjera. Më në fund duhet të sqarohet edhe e dhëna se një kapacitet energjetik nuk mund të ndërtohet brenda ditës, as muajit dhe as vitit.

Ndërtimi i kapaciteteve energjetike ka dinamikat specifike, rendin e domosdoshëm të realizimit të punëve, të instalimit të stabilimenteve dhe pajisjeve të shumta. Prandaj, që tani është shumë e diskutueshme se si Kosova do të arrijë që deri më 2031-tën të ketë kapacitet për të prodhuar 1.300 megavatë energji të ripërtëritshme. Nuk u sqarua deri në fund as fakti më i rëndësishëm dhe më përcaktues i zhvillimeve elektroenergjetike të Kosovës deri më tash e me gjasë edhe shumë vite në vijim: A do të mund të zëvendësojnë kapacitetet e energjisë së rinovueshme, qoftë edhe 30 për qind deri më 2031, prodhimin nga qymyri, i cili siç dihet edhe sot, që kemi kaluar gjysmën e 2023-tës është dominues dhe sovran në potencën e tij për të siguruar rrymën e nevojshme për Republikën, ose mbi 95 për qind të kapaciteteve elektroenergjetike të Kosovës akoma janë nën “pushtetin” e qymyrit.

Më saktësisht, duhet të sqarohet se sa kapacitetete elektroenergjetike të rinovueshme duhet të ndërtohen në Kosovë për të zëvendësuar 30 përqindshin e energjisë në bazë të qymyrit. Aq më parë kjo pyetje shtrihet kur dihet se kapacitetet elektroenergjetike në bazë të erës, ose edhe ato solare, asnjëherë të vetme në Kosovë nuk do të arrinin fuqinë instaluese, madje në të shumtën e kohës as gjysmën e fuqisë instaluese. Që do të thotë se 30 për qind e energjisë së rinovueshme i bie diku rreth 350-400 megavatë-orë energji efektive të rinovueshme. Ndërsa për të arritur këtë sasi të energjisë së rinovueshme shihet se duhet të ndërtohen dhjetëra kapacitete, që nuk janë pak të kushtueshme. A do të ketë mundësi financiare Kosova për këtë, por edhe a do të ketë kohë të mjaftueshme që deri më 2031 të ndërtojë dhjetëra kapacitete të energjisë solare, apo sosh me erë (së paku të kapacitetit 100 megavatësh), dhe a është e përgatitur që në vitet në vazhdim (kanë mbetur edhe 8 vjet gjithsej), të arrijë këtë synim është realisht e diskutueshme.

Realizimi i këtij vizioni (gjithmonë në kuadër të të ashtuquajturit tranzicion energjetik), bëhet edhe më i diskutueshëm kur kihen parasysh vonesat e gjithhershme te ne në realizimin e projekteve kaq kapitale. Ndërsa, ky tranzicion, realizimi i tij, që fillimisht ishte paraparë të zbatohet dhe të përmbushet, pak a shumë deri në vitin 2032, kur definitivisht Kosova do ta kishte orientimin e qartë drejtë zhvillimit elektroenergjetik të dominuar nga energjia e rinovueshme dhe në disfavor të qymyrit, që tani në bazë të zhvillimeve të deritashme dhe atyre aktuale, po vonohehet. Ende po humbët shumë kohë, dhe ende sikur ka dilema dhe sikur akoma mungojnë qartësimet e detajizimet e parashikimeve.

Ende, praktikisht, nuk ka asnjë projekt konkret, pos atij të “Solar4Kosova”, qoftë të energjisë së ripërtëritshme ( qoftë solare, qoftë energjisë në bazë të erës) dhe ankandit të shpalluar para disa kohësh për ndërtimin e një impianti solar 100 megavatësh diku në rrethinat e Rahovencit. Në anën tjetër, ministrja Rizvanolli nuk ndalet së deklaruari se “burimet e ripërtëritshme të energjisë do të kenë rol kyc në zhvillimin energjetik të vendit”.

Ajo gjatë vitit të kaluar, sidomos, por edhe sivjet ka përsëritur se “është me rendësi të thuhet se për herë të parë kemi një strategji e cila shikon përpara drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë deri në vitin 2050”.

“Rritja e burimeve të ripërtërtitshme të energjisë është një prej objektivave kryesore, rritja e eficiencës që do të na mundësojë në fakt të kemi më pak nevojë për investime të shtrenjta, dhe cmime më të larta, është një objektiv kryesor tjetër”, kishte nënvizuar ajo.

Por, ajo dhe askush tjetër nga kabineti aktual qeveritar nuk e tha asnjë herë të vetme se si, në ç’mënyrë do të bëhet rritja e burimeve të ripërtërtitshme të energjisë. Nuk thanë as pse po vonohemi kaq shumë dhe cilat do të jenë kapacitetet eventuale në bazë të erës, cilat janë ato të energjisë solare, dhe cili do të jetë hidrocentrali, nëse do të ketë në plan të ndërtohet ndonjë i tillë. Por, nuk dihet as ndonjë afat më i saktësuar për ndonjë kapacitet të ri energjetik. Kurse, eskpertët dhe njohësit e zhvillimeve energjetike në vend, alarmojnë për nevojën e urgjencës për të pasur ndonjë kapacitet të ri të energjisë së rinovueshme. Sidomos, tashmë, pas shpalljes si fakt të kryer se më nuk do të ketë termocentral të ri në bazë të qymyrit, për Kosovën bëhet urgjencë gjetja e alternativave për të zëvendësuar sa më shumë kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Dhe, shteti e pushteti i Kosovës, prandaj duhet shpejtuar, me urgjencë duhet shkurtuar procedurat e stërgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur një një kapacitet elektroenergjetik alternativ, qoftë solar, apo në bazë të erës.

Kurse, tani për tani Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme, ose gjithsej 160-170 megavatë-orë energji, që realisht bëjnë shumë më pak megavatë të energjisë efektive. Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta.

Sido që të jetë, Kosovës i duhet energjia elektrike e munguar. Ndërsa, a do ta zbatojë favorshëm dhe sipas afateve të përcaktuara edhe në dokumete zhvillimore Kosova këtë tranzicion si kthesë të domosdoshme për të ardhmen energjetike të vendit, mbetet të shihet. Por, është e qartë se po vonohemi. Edhe më pak se 8 vjet kanë mbetur deri në vitin kur është përcaktuar viti i kthsesës sa i përket kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, kur Kosova parashihet të ketë 1300 megavatë të kësaj energjie. Për t’i pasur 1300 megavatë energji të gjelbër deri më 2031, sa parashikohet edhe me dokumente zhvillimore, Kosova duhet t’i ndërtojë, së paku edhe 10-11 kapacitete të barabarta me Parkun e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës, ose po kaq dhe më shumë kapacitete në bazë të diellit. Ndërsa, a do t’i ketë Kosova këtë numër të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme mbetet çështje. /Buletini Ekonomik/