Imer Rusinovci: 2022-ta do të jetë vit tejet sfidues për bujqësinë kosovare

Çmimet e larta të inputeve bujqësore në përgjithësi dhe të plehrave minerale në veçanti, do të ndikojnë dukshëm në kosto shumë më të larta të prodhimeve të kulturave bujqësore të cilat sigurojnë ushqimin bazë te ne. Ministria e Bujqësisë  duhet t’i planifikojë saktësisht sipërfaqet kultivuese me kultura pranverore dhe të njëjtat duhet të mbështeten me kritere të mirëfillta që rezultatet mos të mungojnë, ka thënë profesor Imer Rusinovci në intervistën për Buletinin Ekonomik. Sipas tij, pas grurit si prodhimi i parë strategjik, misri është kultura më e rëndësishme për konditat tona agro-ekologjike, kulturë kjo së cilës duhet t’i japim prioritet shumë më të madh në raport me vitet paraprake.

(Intervistë e Buletinit Ekonomik me profesorin Imer Rusinovcin, njohës i mirë i sektorit të bujqësisë në Kosovë)

Blendrita Avdiu

Reklama e sponzorizuar

Problemet në agrarin e Kosovës nuk janë të sotit, porse të njëjtat paraprakisht janë të grumbulluara dhe prioritetet duhet të jenë të qëlluara që të shkoqiten sipas peshës së tyre, që mund të manifestohen në ngritjen e Bruto Prodhimit Vendor. Toka e lënë djerrë në shekullin e XXI, apo edhe kultivimet primitive që nuk përkojnë me prodhimtari intensive nuk justifikohen, thotë Imer Rusinovci, njohës i mirë i sektorit të bujqësisë në Kosovë dhe profesor në Fakultetin e Bujqësisë të UP-së, në një intervistë të gjërë për Buletinin Ekonomik. Sipas tij, ngritja e çmimeve të inputeve (farërave cilësore, plehrave minerale, preparateve kimike etj.), janë pasojë e krizës energjetike, pandemisë, ndryshimeve klimatike dhe kohës së fundit edhe shumë më të shprehura nga pasojat e luftës midis Rusisë dhe Rusisë.

“Çmimet e larta të inputeve bujqësore në përgjithësi dhe plehrave minerale në veçanti do të ndikojnë dukshëm në kosto shumë më të larta të prodhimeve të kulturave bujqësore të cilat sigurojnë ushqimin bazë për konsumatorë. Normalisht që fermerët do të kenë sfida të rënda, madje edhe prodhimi i tyre në fund të periudhës vegjetetive mund të jetë shumë më i ulët, nëse të njëjtit nuk i harmonizojnë siç duhet racionet ushqyese të bimëve, si pasojë e shtrenjtimeve enorme të plehrave minerale”, thotë ai.

Profesor Rusinovci në intervistën për Buletinin Ekonomik, ka theksuar se për mbjelljet e sivjetshme pranverore na nevojitet një mobilizim shumë më i madh në raport me vitet tjera, që të mbjellim sa më shumë sipërfaqe të tokave bujqësore, për të siguruar ushqim sa më shumë nga resurset tona agro-ekologjike. Qeveria ndau një fond stimulativ për fermerë, i cili nevojitet të monitorohet me korrektësi dhe mjetet duhet të shkojnë tek fermerët meritor. Krejtë kjo do të rezultojë me indikatorë në fund të periudhës vegjetative, meqë në agronomi rezultatet nuk vërehen në fillim të sezonës porse në fund të saj. Ai në këtë intervistë këmbëngul që Ministria duhet t’i planifikojë saktësisht sipërfaqet kultivuese me bimë të arave, përkatësisht me perime dhe të njëjtat duhet të mbështeten me kritere të mirëfillta që rezultatet mos të na mungojnë.

“Të prodhojmë ushqim në kushtet tona klimatiko-tokësore për konsumatorë, përkatësisht të varemi sa më pak nga importi, sot është vepër kolosole. Nëse jemi karakterizuar me dobësi në mbjelljet vjeshtore, për mbjelljet pranverore duhet të fuksionalizojmë emëruesin e përbashkët midis: fermerëve, këshillimeve bujqësore dhe mbështetjeve qeveritare me shkallë të lartë të seriozitetit”, ka shtuar Rusinovci.

Profesori e vë në dukje se ky vit në bujqësi do të jetë vit tejet sfidues dhe për këtë nevojitet vullnet, motiv, mbështetje dhe ekstension kontinuel në terren. Kemi kaluar periudha shumë të vështira edhe shumë vite më parë (sidomos gjatë viteve 90-ta), për çka gatishmëria në sektorin e bujqësisë asnjëherë nuk ka munguar. Objektivat në bujqësi gjithmonë janë që të sigurojmë ushqim si qëllime humane, andaj vullneti dhe gatishmëria nuk duhet të na mungojë.

“Prioritete të mëdha gjatë këtij viti, do t’i vëjmë secili prej nesh vetvetes në atë apo këtë formë, që t’u dalim në ndihmë fermerëve, përmes shërbimeve këshillimore kudo që e kërkon nevoja. Do të angazhohemi maksimalisht që përmes shërbimeve ekstensioniste të bartim sa më shumë transfere teknologjike tek fermerët, për rolin e masave agroteknike dhe të përkujdesjes që të mbjellim sa më shumë sipërfaqe bujqësore në mbjelljet pranverore. Çmimet e larta të inputeve do të ndikojnë në sasinë e prodhimit të realizuar, për çka mbështetja e fermerëve është imediate” shprehet në intervistën për Buletinin Ekonomik professor Rusinovci.

Intervistën e plotë me profesor Imer Rusinovcin mund të lexoni në vijim:

Buletini Ekonomik: Profesor, si e vlerësoni gjendjen aktuale në agrarin kosovar, sidomos pas ngritjes enorme të çmimeve të materialit riprodhues (plehrave minerale, farërave dhe karburanteve). A do të kenë fuqi dhe mundësi fermerët tonë ta përballojnë këtë ç’rregullim të gjendjes në bujqësinë kosovare?

Imer Rusinovci: Gjendja e sektorit të agrarit në nivel vendi nuk është në nivelin që meriton ta ketë bujqësia, si pasojë e dekurajimeve përkatësisht demotivimeve paraprake të fermerëve. Problemet nuk janë të sotit, porse të njëjtat paraprakisht janë të grumbulluara dhe prioritetet duhet të jenë të qëlluara që të shkoqiten sipas peshës së tyre, që mund të manifestohen në ngritjen e Bruto Prodhimit Vendor. Toka e lënë djerrë në shekullin e XXI, apo edhe kultivimet primitive që nuk përkojnë me prodhimtari intensive nuk justifikohen. Ngritja e çmimeve të inputeve (farërave cilësore, plehrave minerale, preparateve kimike etj.), janë pasojë e krizës energjetike, pandemisë, ndryshimeve klimatike dhe kohës së fundit edhe shumë më të shprehura nga pasojat e luftës midis Rusisë dhe Rusisë. Kjo shpie në ç’ekujlibriimit të pariteteve në bursën ndërkombëtare dhe jorastësisht FAO (Organizata Botërore për Ushqim) në fund të vitit të kaluar, organizoj një takim shumë domethenës për pasigurinë ushqimore që mund të na pret. Çmimet e larta të inputeve bujqësore në përgjithësi dhe plehrave minerale në veçanti do të ndikojnë dukshëm në kosto shumë më të larta të prodhimeve të kulturave bujqësore të cilat sigurojnë ushqimin bazë për konsumatorë. Normalisht që fermerët do të kenë sfida të rënda, madje edhe prodhimi i tyre në fund të periudhës vegjetetive mund të jetë shumë më i ulët, nëse të njëjtit nuk i harmonizojnë siç duhet racionet ushqyese të bimëve, si pasojë e shtrenjtimeve enorme të plehrave minerale.

Buletini Ekonomik: Si i vlerësoni përgatitjet e sivjetshme për mbjelljen e kulturave pranverore dhe të perimeve në arat e bujqëve tanë. Në këtë kontekst, a do të mjaftojnë ndihmat e premtuara institucionale për kultivuesit e drithrave që planifikohet të mbillen së shpejti dhe për perimtarët e Kosovës për përmbushjen e planeve të tyre për të kultivuar perime të ndryshme?

Imer Rusinovci: Rekomandimet tona mbështeten në rrethanat ekzistuese (përfshi luftën në mes Rusisë dhe Ukrainës), me ç’rast na nevojitet një mobilizim shumë më i madh në raport me vitet tjera, që të mbjellim sa më shumë sipërfaqe të tokave bujqësore, për të siguruar ushqim sa ma shumë nga resurset tona agro-ekologjike. Qeveria ndau një fond stimulativ për fermerë i cili nevojitet të monitorohet me korrektësi dhe mjetet duhet të shkojnë tek fermerët meritor. Krejtë kjo do të rezultojë me indikator në fund të periudhës vegjetative, meqë në agronomi rezultatet nuk vërehen në fillim të sezonës porse në fund të saj. Ministria duhet t’i planifikoj saktësisht sipërfaqet kultivuese me bimë të arave përkatësisht perime dhe të njëjtat duhet të mbështeten me kritere të mirëfillta që rezultatet mos të na mungojnë. Të prodhojmë ushqim në kushtet tona klimatiko-tokësore për konsumatorë, përkatësisht të varemi sa më pak nga importi, sot është vepër kolosole. Nëse jemi karakterizuar me dobësi në mbjelljet vjeshtore, për mbjelljet pranverore duhet të fuksionalizojmë emëruesin e përbashkët midis: fermerëve, këshillimeve bujqësore dhe mbështetjeve qeveritare me shkallë të lartë të seriozitetit.

Buletini Ekonomik: Cili është mendimi i ekspertëve për këto premtime si dhe për shumën e mjeteve financiare për suportin e bujqësisë kosovare dhe a kanë filluar të shpërndahen tashmë këto ndihma, apo po vonohen sikundër edhe viteve të mëhershme. Në këtë kontekst, a ka filluar aplikimi i fermerëve për këto subvencione, i paralajmërur që të nis që nga ky muaj?

Imer Rusinovci: Konsideroj se nisma për mbështetjen e fermerëve është e qëlluar, ndërsa metodologjia është përgjegjësi që varet nga dikasteri përkatës. Normalisht që kriteret duhet të jenë të duhura, të realizueshme dhe të mundshme për fermerët tanë. Koha dhe mënyrat e shpërndarjes së mjeteve që parashihen për fermerë janë kompetenca të MBPZHR-së dhe për këto afate, norma apo sasi, ekipet e ekspertëve të nivelit qendror të MBPZHR-së në koordinim me ekspertët lokal të komunave, duhet të bashkëveprojnë në mënyrat sa ma të mira të mundshme. Logjika profesionale shpie në realizimin e masave stimulative sa më parë, po themi të pakten mbjelljet e misrit, patates dhe shumë kulturave tjera që koincidojnë me muajin prill, fermerët duhet të mbështeten deri atëherë.

Buletini Ekonomik: Ju, personalisht, a mendoni se do të përmbyllen tërësisht mbjelljet pranverore, përkatësisht a do të arrijnë fermerët tanë me gjithë këto çmime të larta të repromaterialit, t’i mbjellin arat e tyre të planifikuara me kultura pranverore?

Imer Rusinovci: E thash edhe më parë se do të jetë vit tejet sfidues dhe për këtë nevojitet vullnet, motiv, mbështetje dhe ekstension kontinuel në terren. Kemi kalue periudha shumë të vështira edhe shumë vite më parë (sidomos gjatë viteve 90-ta), për çka gatishmëria në sektorin e bujqësisë asnjëherë nuk ka mungue. Objektivat në bujqësi gjithmonë janë të sigurojmë ushqim si qëllime humane, andaj vullneti dhe gatishmëria nuk duhet të na mungojë. Prioritete të mëdha gjatë këtij viti, do t’i vejmë secili prej nesh vet vehtes në atë apo këtë formë, që  t’u dalim në ndihmë fermerëve, përmes shërbimeve këshillimore kudo që e kërkon nevoja. Do të angazhohemi maksimalisht që përmes shërbimeve ekstensioniste të bartim sa më shumë transfere teknologjike tek fermerët, për rolin e masave agroteknike dhe të përkujdesjes që të mbjellim sa më shumë sipërfaqe bujqësore në mbjelljet pranverore. Çmimet e larta të inputeve do të ndikojnë në sasinë e prodhimit të realizuar, për çka mbështetja e fermerëve është imediate.

Buletini Ekonomik: Pse Kosova ka vite që po stagnon në mbjelljen e më shumë sipërfaqeve të misrit. Ju personalisht, si njohës i vlerësuar i kësaj fushe cilën lloj të misrit ua rekomandoni fermerëve kosovarë që ta kultivojnë në arat e tyre.

Imer Rusinovci: Kjo është një nga pyetjet më të mençura dhe janë shumë të rrallë ata që e bëjnë. Shumica nuk e dinë se misri është promotori i zhvillimit të prodhimtarisë bujqësore dhe çelës i intensifikimit të industrisë ushqimore, e cila tek Ne ka ngel shumë mbrapa. Vetëm kultivimi intensiv i misrit në sipërfaqe sa më të mëdha kultivuese, mundëson prodhim të duhur të qumështit, mishit, vezëve dhe nënprodukteve tjera animale që janë të domosdoshme për nevojat e popullatës. Zgjerimi i sipërfaqeve kultivuese me misër dhe intensifikimi i kësaj kulture të rëndësishme lavertare duhet të mbështetet në kritere të mirëfillta agronomike në vartësi të periudhës vegjetative të hibrideve dhe lartësisë mbidetare të rajoneve prodhuese. Pas grurit si prodhimi i parë strategjik, misri është kultura më e rëndësishme për konditat tona agro-ekologjike, të cilës kulturë duhet t’i japim prioritet shumë më të madh në raport me vitet paraprake. Nëse destinacioni i misrit është kokrra, rajonet me lartësi të madhe mbidetare duhet ta orientojnë prodhimtarinë e misrit në hibride të hershme, rajonet me lartësi mbidetare të mesme në kultivim duhet të kenë hibridet e grupacionit të FAO-së 300-400, ndërsa në rajonet me ekspozicion më të ulët të terrenit në prodhimtari mund të përfshihen edhe grupacionet e hibrideve të FAO-së 500. Nëse qëllimi është silazhimi i misrit, atëherë mund të përfshihen hibridet me grup më të lartë të FAO-së, gjithmonë në përputhje me lartësitë mbidetare të rajoneve kultivuese.

Buletini Ekonomik: Shifrat e përmendura pa reshtur për ndihma financiare nga autoritetet dhe zyrtarët kosovarë për agrarian kosovarë janë goxha imponuese dhe mbresëlënëse, në anën tjetër efektet e këtyre ndihmave akoma vazhdojnë të jenë fare të vogëla, thuaja simbolike. Pse dhe ku qëndron shkaku që akoma te ne ka shumë sipërfaqe djerrinë dhe akoma të të gjitha kulturat, thuaja se, arrihen rendimente ndjeshëm më të vogëla se tek fqinjtë?

Imer Rusinovci: Stimulimet në bujqësi në vitet paraprake, nuk dhanë ndonjë rezultat të theksuar në drejtim të zvogëlimit të importit. Konsideroj se metodologjitë nuk ishin të duhura, ose monitorimet në terren kanë munguar. Për pasojë edhe shumë fermerë të vyeshëm u dekurajuan dhe akoma po karakterizohemi me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor. Rezultatet tona janë shumë të ulta në raport me potencialet prodhuese që ofrojnë kultivarë dhe hibride të shumta të kulturave bujqësore. Nëse krahasohemi me vendet tjera sigurisht që kategorizohemi në vendet e fundit për prouktivitet të punës në sektorin e bujqësisë. Kjo koincidojë me lënie të sipërfaqeve të shumta djerrë, apo realizim të potencialeve prodhuese të kultivarëve përkatësisht hibrideve jo më shumë se 30-40 %, që është pasqyrë jo e mirë e gjendjes së bujqësisë në terren.

Buletini Ekonomik: Çka duhet bërë, që bashkëpunimi institucione shtetërore-bujq dhe fermerë të jetë më i frytshëm dhe më i efektshëm?

Imer Rusinovci: Paraprakisht e thash që në nivel vendi duhet të vëjmë një emërues të përbashkët midis fermerëve, institucioneve shkencore dhe dikasterit përkatës, i cili duhet të jetë funksional. Vetëm kështu prodhimi bujqësor avansohet si në kuptimin profesional poashtu edhe atë përgjegjës, krahas normave, standardeve dhe monitorimit të duhur për evitimin e të gjitha parregullësive që mund të ndodhin.

Buletini Ekonomik: Po qe se do të përmbusheshin vizionet e përafërta (edhe ato shtetërore, edhe të bujqve) për mbjelljet pranverore, sa do të plosohen nevojat e konsumit të Kosovës me misër dhe me perime?

Imer Rusinovci: Nuk mund të them një përqindje të saktë lidhur me ketë, sepse prodhimi është rezultati përfundimtar i cili varet nga një seri faktorësh që e kushtëzojnë atë. Një e vertetë e madhe që mund të konstatohet, është se nëse jemi shumë më të mobilizuar dhe të përkushtuar krahas shkallës shumë më të madhe të rigorozitetit profesional dhe mbikëqyrës nevojat për import do të jenë më të ulta në krahasim me vitet paraprake. Andaj, bujqësia duhet të trajtohet siç duhet për rëndësinë që ka si nga fermerët, ashtu edhe nga ekspertët në terren me monitorime dhe mbështetje qeveritare. /Buletini Ekonomik/