Nëse vazhdon jetësimi i paralajmëruar i sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, situata rreth investimeve në përgjithësi (edhe të IHD-ve edhe të atyre kapitale), s’do mend se do të vështirësohet edhe më shumë. Kosova do të ndëshkohet edhe më tej, sa i përket investimeve, e sidomos të investimeve të huaja direkte, edhe nga skandali i krijuar nga rrahja dhe grushtat kundrejt njëri-tjetrit të “përfaqësuesve të popullit”, që ndodhi të enjten (më 13 korrik 2023). Imazhet e krijuara nga dhuna dhe brutaliteti i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të transmetuara në terminet qenësore të lajmeve nga shumë medie të botës, nuk t’i falin në asnjë mënyrë investitorët potencial.
Mehmet GJATA
Po të shikohen shifrat e proklamuara të investimeve të huaja nga autoritete dhe zyrtarë të Kosovës të realizuara, bie fjala, gjatë vitit të kaluar (2022) në Republikën tonë, duken goxha numra imponues, dhe krahasuar me një vit më parë sikur fitohet përshtypja se po ndodhë mrekullia në tërheqjen e kapitalit të jashtëm, këtu në Kosovën e varfër. Sepse, nuk është edhe aq e vogël, as minimaliste e dhëna se “Investimet e Huaja Direkte vitin e kaluar kanë arritur në 778.2 milionë euro”, e dalë nga Raporti i fundit i BQK-së, por e proklamuar në disa raste edhe nga zyrtarë të lartë aktual.
Kjo shifër, sipas BQK-së, i bie të jetë diku rreth 85 për qind, më shumë se në vitin 2021. Shifra e investimeve të huaja direkte është “alamet’ e madhe, ndërsa përqindja enorme (rreth 85 për qind më shumë se në vitin paraprak), do të ishte në njëfarë mënyre ‘mrekullia vet”, po të ishin investime reale të jashtme, prurje e kapitalit të prekshëm të huaj po të evidentohej ndonjë objekt industrial, apo prodhues çfarëdo lloji qoftë. Por, automatikisht zvetnohet ‘mrekullia’ e shifrave imponuese të potencuara, kur, sipas Raportit të BQK-së kuptohet se investimet e huaja direkte (IHD-të), kryesisht janë investuar në patundshmëri, respektivisht në blerjen e banesave nga mërgata kosovare dhe aty-këtu ndonjë toke.
Pra, edhe më 2022, sikundër edhe në shumë vite të tjera të pasluftës, sektori i patundshmërisë ka vazhduar të mbetet më atraktivi dhe më i rëndësishmi për investime të huaja dhe përbën 67.3 për qind të gjithsej IHD-ve.
Sektorët e tjerë me kontribut në rritjen vjetore të IHD-ve, por që janë ndjeshëm nën hijen e patundshmërive, sipas raportit të BQK-së, ishin sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, si dhe sektori i ndërtimtarisë.
Ndërkohë, dihet se investimet në patundshmëri (në blerjen e banesave dhe të lokaleve), qoftë edhe me paranë e ardhur nga jashtë, nuk e kanë efektin as të përafërt të zhvillimit ekonomik, te gjenerimet e kapitalit, të krijimit të vendeve të punës dhe të rritjes reale të zhvillimit ekonomik. Prandaj, po të analizohen më detajisht investimet e huaja direkte në Kosovë, nuk dalin të jenë edhe aq rezultative dhe të efektshme, megjithë shifrat goxha të larta të apostrofuara. Shi për këtë, dalin të jenë diskutabile këto shifra për investime të huaja.
Kosova edhe më tutje po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm. Në Kosovë edhe në këta muaj të shkuar të 2023-tës, ka ngritje pa kontroll çmimesh të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre themelore ushqimore, ka varfëri të madhe, ka papunësi enorme dhe ikje brengosëse të qytetarëve nga vendi i tyre.
Gjithsesi, po të shihen efektet e pa prekshme të IHD-ve edhe në këtë gjysmë viti të sivjetshëm, por edhe të investimeve kapitale, bëhen të diskutueshme edhe të dhënat e bëra publike këtyre ditëve nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se “tremujori i dytë i vitit 2023 ka shënuar nivelin prej 110 milionë euro investime kapitale”.
Murati ka thënë se “pas adresimit dhe rregullimit të shumë problemeve me projektet, kontratat, e shpronësimet, sivjet ka nisur një dinamikë e re e investimeve kapitale nga organizatat buxhetore”.
“Tremujori i dytë i vitit 2023 ka shënuar nivelin prej 110 milionë euro investime kapitale, që njëkohësisht është niveli më i lartë i regjistruar. Krahasuar me vitin paraprak, ka mëse dyfishim të dinamikës, gjë që pritet të shërbejë si impuls pozitiv edhe për rritjen e ekonomisë në TM2, më lartë sesa në TM1 ku rritja reale ishte 3.9%”, ka shkruar ministri Murati në Facebook.
Janë të diskutueshme të dhënat e bëra publike nga ministri i Financave, shi për shkakun se nuk ka rezultate të prekshme, siç u tha më lartë. Në Kosovë, në këta muaj të 2023 – tës, ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë investim të vlerëshëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, as për ndonjë parneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Për të qenë korrekt, kohë më parë është bërë publike shpallja e ankandit të parë nga Qeveria e Kosovës për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro. Por, sado i rëndësishëm të jetë ky hap (lansimi i këtij ankandi), deri te realizimi i këtij projekti, domosdo do të duhet të kalojë një kohë e gjatë edhe nëse paraqitet ndonjë investitor potencial në këtë ankand.
Opozita dhe përfaqësuesit e saj që trajtojnë dhe preokupohen më seriozisht me zhvillimet ekonomike, deklarohen edhe më pesimistë rreth investimeve në përgjithësi.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se viti 2023 do të jetë vit i humbur në investimet kapitale. Sipas tij, “në gjashtë muajtë e parë të këtij viti, sikurse në vitin paraprak, po vazhdojnë investimet e ulëta kapitale, po vazhdon grumbullimi i mjeteve në llogarinë bankare të Qeverisë, dhe po vazhdon bllokada e investimeve kapitale në komuna nga Qeveria duke mos i alokuar mjetet nga të hyrat vetanake të komunave”.
Sido që të jetë, investimet në përgjithësi, pra edhe ato kapitale, edhe investimet e jashtme, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, në këto vitet e pasluftës kanë qenë goxha minimaliste, për të mos thënë thuaja se të reduktuara, ose, në njëfarë mënyre të dështuara, të papërmbushura në asnjë objektiv. Edhe në vitet kur përqindjet e investimeve kapitale ta zëmë, në të dy nivelet, edhe në atë qendror, edhe në nivelin lokal, ishin goxha të imponueshme, ato shifra u arritën me pagesat ndaj punëkryesve të autostradave, siç ishin Rruga e Kombit, ose autostrada Ibrahim Rugova dhe autostrada për në Shkup, ose autostrada Arbër Xhaferi.
Investimet kapitale më 2012 – 40 për qind në nivel qendror dhe 25 për qind në nivel lokal, janë kryesisht para të autoudhës së kombit, sikundër që janë edhe ato të vitit 2013, me 32 për qind investime kapitale dhe me 29 për qind sosh lokale, ndërsa investimet kapitale të vitit 2016 duhet atribuar pagesave për autostradën Prishtinë – Shkup. Sepse realisht nuk ka pasur ndonjë investim tjetër për t’u përmendur, qoftë për ndonjë projekt industrial, prodhues apo energjetik, që do të gjeneronte vende të reja pune, por edhe të ardhura aq të nevojshme për Kosovën e varfër.
Në vitet e tjera, në periudhën janar-qershor pra, sipas një raporti hulumtues të publikuar të GAP-it, nuk shihet se ka pasur ndonjë shifër edhe aq të theksueshme investimesh kapitale, më 2014 -24 për qind, më 2015-25 për qind, më 2017 – 20 për qind, më 2018-26 për qind, më 2019-16 për qind, më 2020 11 për qind, më 2021- 19 për qind dhe me 2022 vetëm 9 për qind, që, gjithsesi, është më i ulëti në dekadën e fundit, siç thuhet edhe në raportin e publikuar nga Instituti GAP.
Por, ç’është më keq, nëse vazhdon jetësimi i paralajmëruar i sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, situata rreth investimeve në përgjithësi (edhe të IHD-ve edhe të atyre kapitale), s’do mend se do të vështirësohet edhe më tej. Aplikimi i këtyre masave ndëshkuese ndaj Kosovës, gjithsesi, do të godasin edhe sektorin e investimeve.
Është humbje e madhe dhe e pa kompenzueshme mbetja jashtë programit 7.5 miliardë euro të BE-së për Ballkanin, program i cili synon të përshpejtojë transformimin digjital të Evropës dhe të sigurojë financim për projekte në fushat e teknologjisë dhe inovacionit, sikundër që do të reflektojnë negativisht shumë edhe masat e tjera ndëshkuese të aplikuara dhe të paralajmëruara tashmë për t’ia vënë Kosovës.
Kosova do të ndëshkohet edhe më tej sa i përket investimeve, e sidomos të investimeve të huaja direkte, edhe nga skandali i krijuar nga rrahja dhe grushtat kundrejt njëri-tjetrit të “përfaqësuesve të popullit” , që ndodhi të enjten (më 13 korrik 2023). Imazhet e krijuara nga dhuna dhe brutaliteti i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të transmetuara dendur dhe nga shumë medie të botës, nuk t’i falin në asnjë mënyrë investitorët potencial.
Investitorët, sidomos ata të jashtmit, dihet, duan pikë së pari siguri, paqe dhe qetësi në vendet ku do t’i investonin paratë e tyre. Ndërsa, pamjet nga Kuvendi i Kosovës, kanë reflektuar diçka krejtësisht tjetër. Mbetet të shihet sa do të zgjasë mbamendja e investitorëve potencial të jashtëm për primitivizmin e skajshëm të deputetëve kosovarë, që të enjten ka lënë nam në gjithë rruzullin. /Buletini Ekonomik/