Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kërkon pagë minimale prej 400 eurosh

Euro

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në një konferencë për media sot, kanë kërkuar një pagë minimale prej 400 eurosh.

Pas raportimeve se niveli i pagës minimale nga Qeveria do të vendoset në shumën prej 250 eurosh, dhe pas propozimeve të sindikatave tjera të pavaraura në Kosovë që paga minimale të jetë mbi 350 euro, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat thonë se ata s’do të pajtohen me këto propozime nën shumën e 400 eurove.

Jusuf Azemi, kryetar i SPSK-së ka thënë se ata nuk do të pajtohen me çfarëdo page që është nën 400 euro edhe pse kjo pagë është shumë e vogël, sipas tij.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, Azemi ka shtuar se shkaku i kushteve jo të mira në vendet e punës, pagave të ulëta për punëtorët në sektorin privat në vend, si dhe si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe rritjes së inflacionit, tashmë mbi 200 mijë punëtorë kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendit.

Prandaj, Kosova ka filluar dhe do të vazhdojë ta ndjejë mungesën e punëtorëve në të gjithë sektorët, thotë tutje Azemi.

Ndërkohë, Ligji për Paga është paralajmëruar se tek në muajin mars do të dërgohet në Kuvend, ku pritet edhe shqyrtimi i tij. /Buletini Ekonomik/