KESH i rikthehet blerjes së energjisë pas temperaturave të larta në Shqipëri, 5.3 milionë euro në dy procedura

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare i është kthyer për këtë vit procedurave të blerjes së energjisë elektrike.

Referuar publikimeve në faqen e KESH për dy prej tyre që mbulojnë një hark kohor prej 9 nëntë ditësh, janë shpenzuar rreth 5.34 milionë euro.

Konkretisht KESH bleu 10 200 MWh energji për dy ditë në korrik ndërkohë që kjo u pasua me një procedurë blerjeje për një javë energji ku në lotin e parë u siguruan 33 600 MWh me një çmim mesatar të ponderuar 113 euro/MWh ndërkohë që në lotin e dytë 7000 MWh me një çmim mesatar të ponderuar 99.51 euro/MWh.

Reklama e sponzorizuar

Këto janë procedurat e para të këtij viti në një shumë të konsiderueshme sa i takon blerjes së energjisë nga KESH teksa gjatë këtij viti në shumicën e procedurave objekt ka qenë shitja. Sipas të dhënave të publikuara nga KESH për të gjithë shit-blerjet e kryera nga 1 janari e deri më 17 korrik janë shitur 36 milionë euro energji.

Situata hidrike e favorshme gjatë këtij viti ka bërë që KESH të jetë më i lehtësuar sa i takon sigurimit të energjisë ndërkohë që rritja e nivelit të konsumit në disa raste e bën të pamundur edhe pjesën e sigurimit të energjisë përmes prodhimit në vend duke shtuar para nevojën e plotësimit me import të diferencës në oraret e pikut.

Po kështu blerja e fundit e KESH sinjalizon për një përdorim më të kujdesshëm të kaskadës që gjithsesi këtë vit ka qenë në nivele të mira. Madje duke pasur parasysh prezencën  ende të rrezikut të krizës,  niveli i Fierzës është mbajtur në kuota maksimale. Vetë KESH pohoi për “Monitor” pak javë më parë se në thelb të planit për përballimin e verës qëndron gjenerimi i energjisë nga asetet e kompanisë.

“Sigurimi i energjisë në periudhën vijuese të verës deri në fund të vitit, do të vazhdojë të bazohet në gjenerimin brenda vendit nga asetet në zotërim të shoqërisë, përfshirë edhe gjenerimit termik, i menaxhuar nëpërmjet importeve, të cilat do të realizohen në mënyrë dinamike sipas pozicioneve tregtare të tregjeve të energjisë” thuhet në reagimin e KESH.

Por vetë kompania e ka shprehur edhe më herët që nevojat në momente të caktuara të pikut mund të çojnë kompaninë drejt blerjeve në tregun e lirë./Monitor.al/