Murati: Ata që kur ishin në pushtet e lanë pagën minimale 170 euro, sot e çuan ligjin në Kushtetuese

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, të premten e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Pagën Minimale.

Në reagimin e tij, Murati ka thënë se ata që për më shumë se një dekadë e kanë lënë pagën minimale në 130/170 euro, tani e kanë dërguar ligjin në Kushtetuese për ta kundërshtuar rritjen që ka propozuar Qeveria Kurti.

“Pra, lëre që ata vetë nuk e rritën pagën minimale sa ishin në pushtet, por tash kur ne e rritëm, po tentojnë që me çdo kusht ta bllokojnë. Pse vallë kanë kaq shumë urrejtje?!”, ka shkruar ai në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

Ministri tutje ka deklaruar se janë 80 mijë e 985 persona që paguhen më pak se 264 euro në muaj.

“Janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë e shumë të tjerë që me padurim presin rritjen e pagës minimale”, ka përfunduar Murati reagimin e tij.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj, Besnik Tahiri, ka dorëzuar të premten në Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Telegrafi merr vesh se këtë kërkesë të AAK-së e kanë nënshkruar edhe dy ish-deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi e Fatmir Humolli./Telegrafi/