Ministrat e Kurtit, zero deri në vetëm 5% investime kapitale në gjysmën e 2023-tës

Faton Peci dhe Arben Vitija janë dy ministrat më të dobët të Qeverisë Kurti sa i përket realizimit të investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të 2023-ës. Peci, që drejton Ministrinë e Bujqësisë, nuk e ka shpenzuar as edhe 1 % të buxhetit për investime kapitale. Kurse Vitija, që udhëheq me një sektor mjaft të ndjeshëm, atë të Shëndetësisë, ka shpenzuar pos 2 % të buxhetit për investime kapitale

Shteti në gjysmën e parë të vitit ka shpenzuar në total vetëm 150 milionë euro apo 18% të buxhetit prej 844 milionë euro, sa ishte planifikuar për investime kapitale. Të dhënat janë paraqitur raportin e Thesarit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

E dobët në investime kapitale është kallxuar edhe Ministria e Ekonomisë, dikasteri i Artane Rizvaollit, duke shpenzuar pos 4 % të buxhetit për projekte.  5 % të buxhetit e kanë shpenzuar për investime kapitale Ministria e Drejtësisë, ajo e Financave dhe Ministria e Kulturës

Reklama e sponzorizuar

10 % të buxhetit të saj e ka çuar për investime kapitale Ministria e Tregtisë, kurse 11 % ajo për Zhvillim Rajonal.

14 % të buxhetit të saj e ka çuar për investime kapitale Ministria e Arsimit, e lideruar nga Arbërie Nagavci dhe 16 % Ministria e Infrastrukturës, e cila drejtohet prej Liburn Aliut.

Ajo çka bie në sy janë investime kapitale të realizuara nga katër ministri, raporton “Front Online”.

Ministria e Kthimit e ka shpenzuar 21 % të buxhetit nga janari e deri në qershor për investime kapitale, kurse ajo e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Xhelal Sveçla, 23 %.

Ministria e Mbrojtjes ka realizuar 50 % të investimeve kapitale në këtë periudhë dhe Ministria e Punëve të Jashtme 59 %.

Dy institucionet tjera, Kuvendi dhe SHSKUK, kanë shpenzuar 15 % përkatësisht 12 sosh për investime kapitale.