Pse po sulmohen gazetarët kaq shumë / Këto janë arsyet sipas kryetarit të AGK-së

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, thotë se, AGK-ja vazhdon të insistojë që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet, pasi që puna e tyre në interesin publik është shumë e rëndësishme.
Në një prononcim për Gazeta Blic, Xhemajl Rexha ka folur rreth çështjes së gazetarëve të cilët po sulmohen e kërcënohen, ku i njëjti shprehet se kanë parë pak dënime, që janë kryesisht simbolike dhe me gjoba që mund të paguhen lehtë, e që fatkeqësisht mund të shërbejnë si motivim për të tjerët që të sulmojnë në forma të ndryshme gazetarët.

“Jo të gjitha rastet e sulmeve procedohen nga organet e drejtësisë e edhe më pak prej tyre marrin epilog. Gazetarët ndër vite janë dekurajuar t’i paraqesin rastet në Polici e në gjykata për shkak të neglizhencës së trajtimit të tyre. AGK-ja vazhdon të insistojë që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet, pasi që puna e tyre në interesin publik është shumë e rëndësishme. Kemi parë pak dënime, që janë kryesisht simbolike dhe me gjoba që mund të paguhen lehtë, e që fatkeqësisht mund të shërbejnë si motivim për të tjerë që të sulmojnë në forma të ndryshme gazetarët”, tha ai.

Rexha thotë se, shumica e rasteve të sulmit kanë ndodhur në fund të muajit maj dhe gjatë muajit qershor, në katër komunat në veri, këtu ku janë shënuar 4 sulme dhe sulmi më i rëndë është përfshirë në Leposaviq.

Reklama e sponzorizuar

“AGK-ja ka shënuar një numër në rritje të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve në vitin 2023. Shumica e këtyre sulmeve kanë ndodhur në fund të muajit maj dhe gjatë qershorit, në 4 komunat në veri të Kosovës. Në veri janë shënuar 30 sulme, duke përfshirë më të rëndin më 16 qershor në Leposaviq, kurse në total këtë vit kemi regjistruar 57 raste të sulmeve të ndryshme ndaj gazetarëve, kryesisht online, por edhe disa fizike, sic ishte rasti i fundit ndaj ekipit të Nacionales në Prizren”, vlerësoi kryetari i AGK-së.

Ai pretendon se, sulmet ndaj gazetarëve bëhen për faktin që subjektet për të cilat raportohet nuk duan që e vërteta të dalë në shesh, dhe shton se AGK-ja bën thirrje të vazhdueshme që organet shtetërore të luajnë rolin e tyre.

Gazetarët sulmohen për motive të ndryshme, por që të përbashkët e kanë natyrisht faktin që subjektet për të cilat raportohet nuk duan që e vërteta të dalë në shesh. Viteve të fundit kemi parë një përpjekje të shtuar nga ana e individëve në pushtet për të sulmuar dhe denigruar gazetarët në forma të ndryshme, sidomos pas publikimit të aferave të ndryshme të keqpërdorimit institucional“.

Ne bëjmë thirrje të vazhdueshme që organet shtetërore të luajnë rolin e tyre dhe në bazë të përkushtimeve që i kanë ndërmarrë në rrugën e integrimit evropian, t’i zbatojnë rekomandimet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve“, deklaroi ai për Gazeta Blic.