Fluks veturash në pikën kufitare të Morinës

Kolonë e madhe është shkaktuar në mëngjesi e sotëm në Vërmicë, pasi që qytetarët e Kosovës për vikend po ia mësyjnë bregdetit në Shqipëri. Pritjet në mëngjes janë deri në gjysmë ore dhe kolona është e gjatë gjysmë kilometri apo 500 metra.

Gjatë vikendit janë duke vazhduar ende kolonat e gjata në kufirin Kosovë – Shqipëri, ku qytetarët po zgjedhin bregdetin si vend për pushim.

Në mëngjesin e ditës së sotme ka pasur përsëri një fluks të veturave atje. Raportohet se më shumë se 15 mijë qytetarë me automjete personale dhe autobusë, kaluan kufirin drejt bregdetit vetëm brenda dy orësh.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, bëhet e ditur se në Vërmicë rreth orës 07:10, fluksi atje ka qenë i madh. Pritjet për të lëshuar Kosovën kanë qenë deri në gjysmë ore, derisa kolona e gjatë deri 500 metra.

Ky edhe ka qenë raportimi i fundit në lidhje me fluksin në pikat kufitare nga QKMK.

Në pikat kufitare gjendja është e qetë, përveç Merdares që duhet pritur 20 deri 30 minuta për ta lëshuar Kosovën.

Qytetarët e Kosovës po e shfrytëzojnë këtë fundjavë për ta mbyllur sezonin e pushimeve, pasi të hënën nisi edhe mësimi në shkolla.

Kujtojmë se gjatë gjithë muajit gusht, fluksi ka qenë i lartë.  Zyra për Informim e Policisë së Kosovës,  ka bërë me dije se gjatë gushtit për në Shqipëri për pushime kanë dalë 810 mijë e 71 qytetarë të Kosovës.

Por shifrat mund të jetë më lartë pasi gjatë gushtit çdo ditë në mëngjes e mbrëmje ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm në Vërmicë dhe numri i qytetarëve të Kosovës që pushuan këtë verë në Shqipëri, do ti kalojë pritshmëritë, me më shume se 1 milion pushues.

Ndërkohë, krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një ngritje të ndejshme, meqë në vitin 2019 gjatë periudhës së njëjtë të vitit kishin kaluar kufirin për në Shqipëri, në Pikë Kufitare në Vërmicë 686 mijë e 467 persona.

Qytetaret nga Kosova jo vetëm kësaj radhe por në vazhdimësi mbajnë primatin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror.