CILI PRESIDENT NË RAJON KA PAGËN MË TË LARTË?

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor ka pagën më të lartë mujore midis presidentëve të rajonit, ndërsa më të voglën e merr kolegu i tij nga Serbia Aleksandar Vuçiq, raporton studioja televizive kroate N1, duke iu referuar shkrimit të Pobjedës së Podgoricës.

Paga e presidentit të Sllovenisë në nivel mujor, siç thuhet në kartën e tij të pronës, arrin 3,322 euro, dhe nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, merr tre herë më pak, që është 1.083 euro në muaj.

Më shumë se 3,000 euro janë të ardhurat mujore të presidentes kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq, si dhe anëtarëve të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës. Grabar-Kitaroviq ka një pagë neto prej 3,276 euro, ndërsa anëtarët e Presidencës së BeH fitojnë mesatarisht 3,091 euro në muaj.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të BeH, Bakir Izetbegoviq, Dragan Çoviq dhe Mladen Ivaniq, anëtarë të Kryesisë, marrin 2,862 euro, 2,874 euro dhe 3,536 euro në muaj, respektivisht. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi merr një pagë mujore prej 2,873 euro.

Ndonëse të dhënat për të ardhurat mujore të presidentit malazez Milo Gjukanoviq ende nuk janë publikuar në faqen e internetit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit të Malit të Zi, dihet se paraardhësi i tij fitoi rreth 2,420 euro në muaj dhe duket se ai merr të njëjtën shumë të pagës.

Më pak se 2,000 euro në muaj fitohen nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, paga e të cilit është 1,425 euro dhe ai i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, që fiton 1,250 euro.

Sipas të dhënave zyrtare, pagat mesatare më të larta në rajon janë në Slloveni dhe Kroaci, ndërsa më të ulëtat në Maqedonia dhe Bosnje e Hercegovinë.