Afër 40 përqind e gjithsej huamarrësve (ekonomi familjare dhe ndërmarrje) në Kosovë kanë problem me mbingarkesë të borxhit, ku vlera e këstit mujor tejkalon mbi 50 përqind të hyrave mujore neto, sipas një raporti të BQK-së.
Ekonomitë familjare kishin më shumë raste të mbingarkesës me borxh, ku 44.7 përqind e tyre shpenzuan më shumë se 50 përqind të hyrave për pagesë të kësteve, në krahasim me 36 përqind të ndërmarrjeve.
Sidoqoftë, ndërmarrjet kishin raste më të shpeshta të mbingarkesës së nivelit më të lartë, ku 19.3 përqind e tyre ishin josolvent në raport me vetëm 8.4 përqind të individëve.
Gjetjet e studimit për ngarkesën e ekonomive familjare mbështeten edhe nga Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare të Agjencionit të Statistikave të Kosovës, rezultatet e së cilës për vitin 2013 sugjerojnë që 44 përqind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të përballojnë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj.