Monopoli në tregun e kabllorëve me vulën e Komisionit të Konkurrencës

Një vendim i vitit 2018 i Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë (AKK), u ka mundësuar operatorëve IPKO dhe Artmotion, në periudha të ndryshme, të marrin të drejta ekskluzive për transmetimin e kanaleve të DigitAlb për Kosovë, duke përjashtuar nga kjo e drejtë secilin operatorë tjetër në treg.

Mirjeta Shabani

Vendimi i cili është marrë në kohën kur në krye të Autoritetit të Konkurrencës ishte Valon Prestreshi, e legjitimon mundësinë e monopolit në tregun e shërbimeve audiovizuele në Kosovë, duke iu referuar një direktive të Bashkimit Evropian.

Në atë vit, marrëveshjen me të drejta ekskluzive për transmetimin e kanaleve të DigitAlb-it nga Shqipëria, e gëzonte vetëm platforma kabllore e IPKO-s. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar që nga data 1 prill e vitit 2014 dhe do të ishte në fuqi për 5 vite rresht, përcjell Buletini Ekonomik.

Kundër kësaj marrëveshjeje, po atë vit, Telekomi i Kosovës kishte hapur rast në Autoritetin e Konkurrencës, me pretendimin se “marrëveshja ekskluzive” mes DigitAlb-IPKO përbën shkelje të rëndë të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Reklama e sponzorizuar

Pretendimet e Telekomit

Në ankesën e Telekomit të Kosovës thuhej se IPKO dhe DigitAlb për më tepër se 13 vite kanë pasur të nënshkruar kontratë ekskluzive, me të cilën IPKO ishte distributor ekskluziv i produkteve të kompanisë DigitAlb për Kosovë, marrëveshje kjo e cila nuk kishte lejuar që asnjë operator tjetër i licencuar të ketë qasje në paketën e programeve DigitAlb, duke ngritur kështu dyshime për monopol në tregun përkatës dhe duke dëmtuar konkurrencën e lirë dhe të garantuar në treg.

Kabllori televiziv – “Telekomi i Kosovës”, në ankesë kishte thënë se ishin përjashtuar nga gara e produkteve televizive të DigitAlb-it, edhe pse, sipas tyre, posedonin infrastrukturë më të zhvilluar të rrjetit të telekomunikimeve. Kjo për shkak se ky operator, gjatë bisedimeve me DigitAlb-in, ishte refuzuar nga bashkëpunimi i mundshëm, siç kanë thënë ata– “si pasojë e klauzolave kundërligjore që përmbante kontrata me IPKO-n”.

“Kontrata ekskluzive komerciale është konfidenciale dhe nuk është e publikuar përveçse zyrtarisht janë deklaruar se IPKO është distributor ekskluziv i DigitAlb-it”, thuhej ndër të tjera në ankesën e Telekomit drejtuar Komisionit për Konkurrencë.

Në ndërkohë, pas shkëputjes së marrëveshjes së DigitAlb me IPKO-n, operatori Artmotion arriti marrëveshje të njëjtë me të drejta ekskluzive për transmetimin e kanaleve të DigitAlb për Kosovë, duke u bazuar pikërisht në vendimin e vitit 2018 të Autoritetit të Konkurrencës.

Marrëveshjen me të drejta ekskluzive për Artmotion, e kanë konfirmuar në një përgjigje për Buletinin Ekonomik vet zyrtarët e DigitAlb.

Sipas tyre, DigitAlb dhe Artmotion gjatë periudhës së tyre të bashkëpunimit kanë arritur dy marrëveshje partneriteti. E para, e nënshkruar më 1 maj 2022, me vlefshmëri deri në korrik të vitit 2028, por që ishte shkëputur pas 8 muajsh pas insistimit të Artmotion.

“Arsyeja e shkëputjes së marrëveshjes së parë ishte kërkesa e Artmotion që të reduktohen numri i kanaleve të DigitAlb, respektivisht të kontraktohen vetëm kanalet e SuperSport, TopChannel dhe kanalet e TV Klan”, kanë thënë nga DigitAlb.

Më 31 dhjetor 2022 palët arritën marrëveshjen e dytë, të vlefshme deri në fund të janarit 2024. Edhe me këtë marrëveshje Artmotion i mbajti të drejat ekskluzive të DigitAlb për Kosovë, por tash vetëm për kanalet e SuperSport, TopChannel dhe TV Klan.

Arsyeja e shkëputjes së kontratës së dytë, sipas një reagimi publik të Artmotion, ishte se marrëveshja mes tyre dhe DigitAlb-it kishte skaduar.

“Si rrjedhojë, kanalet që ishin siguruar përmes marrëveshjes me DigitAlb janë larguar, meqë ka skaduar marrëveshja mes Artmotion dhe DigitAlb”, thuhet në njoftimin e Artmotion.

Mirëpo, nga DigitAlb kanë thënë për Buletinin Ekonomik se marrëveshja nuk ka skaduar, por është shkëputur njëanshëm nga Artmotion, për shkak se Artmotion nuk ishte pajtuar që t’i hiqet ekskluziviteti për kanalet e DigitAlb në Kosovë.

“Ne duam që disa operatorë të kenë të drejtën në kanalet e DigitAlb. Përkundër mosmarrëveshjeve aktuale, DigitAlb është shumë i interesuar që të jetë në çdo familje kosovare me kanalet e DigitAlb. E themi përsëri, ne jemi të hapur ndaj secilit operatorë në Kosovë për marrëveshje partneriteti”, thonë tutje nga DigitAlb.

Vendimi i AKK-së që “legjitimoi” monopolin

Ndërkaq, në vendimin e 2018-s të AKK-së, tek pikat ankimore të Telekomit për AKK-në, ceken pretendimet e Telekomit dhe vlerësimet e tyre se cilat dispozita të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës janë shkelur nga marrëveshja me të drejta ekskluzive DigitAlb-IPKO.

“10. Paraqitësi i iniciativës (Telekomi) pretendon se IPKO ka pozitë dominuese në tregun përkatës sipas nenit 10 të Ligjit 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës; 11. Ndër tjera paraqitësi i iniciativës kërkon nga Autoriteti që të vlerëson nëse ekziston Abuzimi me Pozitën Dominuese; 12. Paraqitësi i iniciativës kërkon që Autoriteti, konform dispozitave të Ligjit, të hulumtojë në detaje dispozitat e kontratës komerciale ndërmjet Ipko dhe Digit ALB e që sipas tyre kjo kontratë ka tiparet e marrëveshjes së ndaluar nga neni 4 pika 1,2 dhe 3 dhe abuzim me pozitën dominuese nga neni 11 i Ligjit 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës.“

Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 5, ndalon “të gjitha marrëveshjet që kanë për qëllim parandalimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në tregun përkatës”.

Sipas këtij neni, ndalohen veçanërisht “marrëveshjet që drejtpërdrejt ose tërthorazi caktojnë çmimet e shitblerjes ose çdo kusht tjetër tregtimi; kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në pozitë të pafavorshme konkurruese; kushtëzojnë lidhjen e kontratës me pranimin nga palët kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose përdorimi tregtar nuk kanë lidhje me objektin e kontratës”, etj.

Ndërkaq, IPKO në komentet e tyre për ankesat e Telekomit, kishte thënë se “Ekskluziviteti i ofruar sipas marrëveshjes nuk paraqet IN PERSEI (në vetvete) as shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës në përgjithësi dhe as marrëveshje të ndaluar në kuptim të nenit 4 të LMK-së në veçanti. Në lidhje me këtë është me rëndësi të theksohet se ekskluziviteti jo vetëm se nuk është një ndër elementet për të përcaktuar nëse një marrëveshje është e ndaluar sipas nenit 4 të LMK-së, por gjithashtu se të drejtat ekskluzive të transmetimit janë një prej shtytësve kryesor në tregun e transmetimit në Kosovë në përgjithësi dhe në tregun PAY TV në veçanti”.

Madje, në një prej përgjgjeve të IPKO-s, thuhej se “TK përpiqet që të shtyjë Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, që të mbrojë Telekomin e Kosovës, si konkurrent në tregun e transmetimit në Kosovë në dëm të konkurrentëve tjerë të ligjshëm dhe në këtë mënyrë të ç’rregullojë konkurrencën në këtë treg”.

Në përgjigjet e tyre ndaj pretendimeve të Telekomit, IPKO përmend edhe një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila në një rast të caktuar, kishte gjetur se ekskluziviteti – në vete- nuk paraqet shkelje të konkurrencës.

Sipas IPKO-s atëkohë, marrëveshja mes tyre dhe DigitAlb, nuk mund të cilësohej se shkelë Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës vetëm për faktin se përmban ekskluzivitet të të drejtave të transmetimit, dhe “për këtë arsye kërkesa e Telekomit që marrëveshja dhe klauzolat e veta të ekskluzivitetit të cilësohen si nule duhet të refuzohen në tërësi, si faktikisht dhe ligjërisht e pa-themeltë”.

Pas këtyre ankesave dhe kundërpërgjigjeve të operatorëve të përmendur, kishte pasuar edhe vendimi i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë.

Ky Komision i kishte dhënë të drejtë kabllorit IPKO, duke i cilësuar si të pabaza ankesat e Telekomit të Kosovës.

Në arsyetimin e tyre, thuhet se për të vlerësuar Marrëveshjen e bashkëpunimit të ndërmarrjeve DigitALB dhe IPKO, Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka përdorur nenin 3 paragrafin 1.1 dhe nenin 66 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, ku thuhet se: “Zbatimi i këtij Ligji duhet të jetë në pajtim me direktivat e Bashkimit Evropian për Konkurrencën”.

Duke u bazuar në këto direktiva, AKK marrëveshjen me të drejta eksluzive mes IPKO-s dhe DigitAlb-it, e kishte cilësuar si Marrëveshje Vertikale.

E marrëveshjet vertikale, sipas Komisionit Evropian përfshijnë:

“Marrëveshje për një markë të vetme (Single branding); Marrëveshja për Shitjen vetëm individëve me te njëjtën marke; Shpërndarje Eksluzive (Exclusive distribution) – Marrëveshja për shpërndarje ekskluzive (për përjashtimin e te tjerëve ne hapësirën e caktuar gjeografike); Alokim ekskluziv i konsumatorëve (Exclusive customer allocation) — Marrëveshja për Alokimin ekskluziv te konsumatorëve – (shitja vetëm një distributori për shitje te mëtutjeshme grupit te caktuar te konsumatorëve); Shpërndarje Selektive (Selective distribution) – Marrëveshja për shpërndarje selektive (jo te gjithë ndërmjetësuesve, por jo vetëm njërit; Furnizim Ekskluziv (Exclusive supply); Marrëveshja për paradhënie (pages paraprake) – (avans) për qasje në rrjet; Marrëveshjet e menaxhimit të kategorisë (Category management agreements) Marrëveshja e menagjimit te artikujve te ngjashëm – kategorisë; Lidhjet (Tying) – Marrëveshja për shitjen e produkteve te lidhura – nëse dëshiron me e ble nje produkt atëherë je i detyruar me e ble edhe produktin tjetër”.

Kështu që, sipas Autoritetit të Konkurrencës, marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve DigitALB dhe IPKO ka pasur si objekt që t’i japë të drejtën ekskluzive IPKO’s të shpërndajë në platformën e vet kabllore kanale të përcaktuara nga palët, pjesë e platformës DigitALB, të cilat do të ofrohen nga DigitALB.

Prandaj, gjithnjë duke iu referuar vendimit të AKK-së të vitit 2018, këtë Marrëveshje Vertikale, duke u bazuar në “Guidlines on vertical restraints” të Komisionit Evropian, pika 2.2 paragrafi 151, Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës e kishte cilësuar si “Marrëveshje Ekskluzive të Shpërndarjes”, sepse sipas tyre, në një marrëveshje ekskluzive të shpërndarjes, furnizuesi pranon të shesë produktet e tij vetëm për një distributor për rishitje në një territor të caktuar. /Buletini Ekonomik/