BASHKËJETESA E POLITIKËS ME BIZNESET – TENDERËT

Bizneset dhe politika në Kosovë kanë krijuar një lidhshmëri dhe varësi nga njëra-tjetra, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile. Zhvillimi i lirë i veprimtarisë së disa bizneseve private në Kosovë po sfidohet apo edhe kushtëzohet nga vendosja e raporteve me partitë politike, konkretisht me partitë në pushtet, thonë ata. Por, theksohet po ashtu se ndërkohë ka edhe biznese që kërkojnë të kontrollojnë pushtetin politik. Kjo gjendje, vlerësohet se krijohet për faktin se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo e kundërta, shumë politikanë janë bërë biznesmenë.

Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, ka mbledhur të dhëna nga disa biznese, të cilat kanë financuar partitë politike, kryesisht gjatë fushatave zgjedhore. Si shpagim, me ardhjen në pushtet, këto parti politike, thuhet se i kanë shpërblyer kompanitë e caktuara, financuese të tyre, me tender me që kapin vlera të mëdha financiare, thotë Arton Demhasaj nga kjo organizatë.

Sipas tij, ka kompani private që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë ndërruar veprimtarinë e tyre, duke iu përshtatur ofertave të tenderëve që i hapin institucionet e nivelit qendror dhe lokal në Kosovë. “Në bazë të dhënave që ka organizata ‘Çohu’, nga viti 2008 e tutje, një numër i caktuar i bizneseve me kapital jo të madh, pas shpalljes se pavarësisë, me marrjen e kompetencave nga institucionet tona, bizneset kanë ndryshuar veprimtarinë dhe kanë kaluar në sektorin e ndërtimit. Pikërisht për shkak se ofertat e institucioneve kanë qenë në ndërtimin e rrugëve, objekteve shkollore e të tjera”, thotë Demhasaj.

Reklama e sponzorizuar

Pronari i një kompanie prodhuese në Kosovë pranon se ka ndihmuar me shuma simbolike materiale disa nga partitë politike në nivel komunal, por këtë, ai thotë se e ka bërë në mënyrë vullnetare. Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” në Suharekë, tregon se për fushata zgjedhore ka mbështetur financiarisht apo me produkte, disa nga partitë politike. Megjithatë, ai thekson se për shkak të veprimtarisë së punës në këtë kompani, institucionet qeveritare nuk kanë kërkuar favore për shpagime me tender publik.

“Kam pas kërkesa, por duke marrë parasysh se veprimtaria jonë nuk lidhet me tenderime publike, i kam përkrahur në mënyrë vullnetare. Të jem real, nëse i kam dhënë para njërës parti, në mënyrë të barabartë i kam dhënë edhe partisë tjetër. Madje në të shumtën e rasteve, mbështetja ka qenë me produkte të cilat janë përdorur gjatë fushatave zgjedhore”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.

Kompanitë që janë të ndërlidhura me politikën, thuhet se janë kompani të ndërtimit, të derivateve të naftës dhe telekomunikacionit. Favorizimet e tilla që bënë politika ndaj bizneseve të caktuara, po vështirësojnë mbijetesën e bizneseve të tjera në tregun e Kosovës, thotë Demahasaj, duke shtuar se edhe vet zyrtarë qeveritarë, në emër të të afërmeve të tyre, kanë regjistruar biznese në sektorë të caktuar.

“Kemi një numër politikanësh edhe që kanë biznese të tilla. Por, ka raste kur të afërmit apo shokët e zyrtarëve të lartë kanë ndërtuar biznese në sektorët ku ka nevojë për investime publike, për të marrë tender publik në Qeveria”.

“Kjo ndikon shumë keq te bizneset tjera, të cilat janë biznese të reja ose biznese që nuk kanë lidhje me partitë politike, që në një mënyrë e kanë vështirë për t’u bërë pjesë e marrjes së tenderëve publikë, në rast se nuk kanë lidhje më partitë politike ose nuk kanë dhënë donacione për partitë politike”, thekson Demhasaj.

Përfaqësues të shoqërisë civile pohojnë se vet fakti se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo politikanët janë bërë biznesmenë, tregon dominimin e politikës në jetën ekonomike. /Evrope e Lire