DIGJITALIZOHEN 200 FSHATRA NË KOSOVË

Më shumë se 60,000 banorë të zonave rurale planifikohet të përfitojnë nga Projekti i Ekonomisë Digjitale, i cili do të sjellë në 200 fshatra në Kosovë internetin e shpejtë broadband, përfshirë këtu lidhjen pa pagesë për shkollat dhe shtëpitë e shëndetit të këtyre fshatrave.

Projekti financohet nga Banka Botërore me një kosto prej 12 milionë eurove, shkruan Buletini Ekonomik.

Siç njofton Banka Botërore, edhe kolegjet dhe universitetet do të lidhen me rrjetin evropian të organizatave hulumtuese dhe arsimore, GÉANT, nëpërmjet boshtit të tij të fuqishëm të internetit broadband që mbulon tërë Evropën.

Reklama e sponzorizuar

“Mungesa e qasjes në broadband (internetin e shpejtë) është mungesë e mundësisë për të pasur punë më të mirë e më fleksibile, qasje në njohuri të avancuara dhe mësime, si dhe kontakt të përgjithshëm me njerëz tjerë jashtë vendbanimit”, thotë Natalija Gelvanovska-Garcia, Specialiste në Praktikën Globale të Bankës Botërore për Zhvillim Digjital, dhe Udhëheqëse e Ekipit për Projektin për Ekonominë Digjitale në Kosovë, duke shpjeguar rëndësinë e projektit. /Buletini Ekonomik/