FRANCEZËT TË INTERESUAR PËR TREPÇËN

Dy ambasadorët e Francës, njëri në Beograd dhe tjetri në Prishtinë, kanë takuar në Mitrovicë kryetarin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” Ardian Sylën, me të cilin kanë biseduar për gjendjen në “Trepçë”, në veri dhe në jug. Ata kanë ofruar mbështetje për ngritjen e “Trepçës”
Gjendja në gjigantin ekonomik kosovar “Trepça” vazhdon të jetë e njëjtë edhe pas funksionalizimit të Bordit Mbikëqyrës. Prodhimi vazhdon të jetë i nivelit të ulët, ndonëse punëtorët kryejnë punën rregullisht.

Miratimi i Ligjit për “Trepçën” para dy vjetëve nuk i ka ndihmuar fare Ndërmarrjes, sepse janë bërë vonesa me formimin e Bordit Mbikëqyrës, ndërsa nuk është miratuar as statuti dhe as nuk është regjistruar Ndërmarrja, shkruan Zeri.

Gjithçka pritet të nisë për së mbari kur të miratohet statuti i “Trepçës” në Kuvendin e Kosovës, për hartimin e të cilit janë formuar dy komisione, njëri për vlerësimin e aseteve që janë në pronësi të “Trepçës” dhe komisioni tjetër që do të ofrojë zgjidhje për çështje sociale të punëtorëve.

Reklama e sponzorizuar

Këto dy komisione tanimë kanë filluar dhe janë në përfundim të punës dhe pastaj do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, e cila do ta procedojë për miratim në Kuvendin e Kosovës. E gjithë kjo punë ka marrë tre muaj kohë, sipas marrëveshjes së Bordit të “Trepçës”, sindikalistëve dhe Qeverisë.