Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të punojnë gjatë këtij vikendi që të arrihet një marrëveshje për koalicion në mes këtyre dy partive.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se ende nuk është ndonjë takim në mes të dyja palëve.
“Ka me u punu gjatë vikendit, me partnerin e koalicionit për zbardhjen e marrëveshjes politike për një qeverisje t’mirë në të ardhmen. Por ende nuk ka asnjë takim të konfirmuar as zhvillim tjetër jashtë asaj që kemi thëtë në orën 16:00 sot”, ka thënë Haziri për Insajderin.
Të hënën me 3 shkurt, me kërkesë të mandatarit për kryeministër, Albin Kurtit është caktuar që të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re.
Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.
Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë. /Insajderi.com