ODA E AFARIZMIT TË KOSOVËS: PUSHIMI I LEHONISË TË PAGUHET VETËM NGA SHTETI

Oda e Afarizmit të Kosovës organizoi sot një tryezë diskutimi lidhur me ligjin për TVSH-në, ligjin e punës dhe pushimin e lehonisë.

Sipas kryetarit të OAK, Skender Krasniqi, 341 mijë persona janë të punësuar në Kosovë në të gjitha sektorët, ndërsa vetëm ai privat numëron 240 mijë. Aty po ashtu u rekomandua që pushimi i lehonës të paguhet 100 përqind nga shteti, sepse është në dëm të bizneseve private që për një vend pune detyrohen të paguajnë dy persona.

Reklama e sponzorizuar

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, i cili mes tjerash tha se dikasteret e qeverisë duhet t’i marrin seriozisht rekomandimet dhe sugjerimet e bizneseve.

“Prodhimi vendor shpeshherë i është ekspozuar një konkurrence të pabarabarte. Mungesa e një kujdesi institucional ka sjellë pasoja. Ligjin për TVSH-në, atë që na u sugjerua nga Oda e Afarizmit, do ta kemi parasysh”.

“Duhet të stimulohen punëtorët. Nataliteti është duke rënë dhe për këtë duhet të ndërmarrim politika qe ta stimulojmë rritjen e tij”, deklaroi Limaj, duke kërkuar që punëtorëve t’u respektohen të drejtat dhe të trajtohen mirë.

Rreth rënies së natalitetit foli edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, i cili deklaroi se ligji i ri i punës do të jetë lehtësim edhe për bizneset por edhe për punëtorët dhe se me ligj të veçantë për herë të parë po trajtohen lehonat. Ai po ashtu u shpreh se do të punohet në respektimin e sigurisë së punëtorëve.