62 prona shoqërore në veri iu falen komunës

Ende pa u formalizuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, Qeveria e Kosovës në praktikë ka nisur zbatimin e disa çështjeve që dalin nga statuti i këtij organi, i cili është vlerësuar të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Me vendim të Qeverisë, ditë më parë, të gjitha pronat shoqërore që ishin nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit i kanë kaluar Mitrovicës së Veriut.

Në listën e aseteve të AKP-së në veri, janë 62 prona shoqërore të identifikuara, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Në pikën 2 të vendimit të Qeverisë thuhet se zonat kadastrale që përfshijnë objektet, lokalet e “Lux-it” si dhe tokat që janë pronë shoqërore në territorin e Mitrovicës së Veriut, i kalojnë në menaxhim komunës.

AKP-ja, e cila me ligj e ka për detyrë t’i menaxhojë këto prona, ka thënë se nuk ka asnjë informacion rreth këtij vendimi.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, deri tash, nuk ka pranuar ndonjë informatë zyrtare lidhur me bartjen eventuale të pronave shoqërore në kompetencë të pushtetit lokal. Agjencia nuk mund të marrë veprime të cilat bien në kundërshtim me mandatin e saj ligjor që është e përcaktuar si ‘Administrator i ish-ndërmarrjeve Shoqërore’. Obligimi ligjor i AKP-së është që të kujdeset për ruajtjen dhe rritjen e vlerës së ndërmarrjeve shoqërore deri në procesin e privatizimit dhe shpërndarjen e të ardhurave të 20 përqindshit për ish-punëtorët dhe kreditorët e kualifikuar të ndërmarrjeve shoqërore”, thuhet në përgjigjen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Këtë praktikë të ndjekur me Mitrovicën e Veriut, Qeveria nuk e ka ndjekur edhe te komunat shqiptare, të cilave u janë dhënë vetëm disa prona shoqërore.

Miratimin e kësaj kërkese, Qeveria e ka arsyetuar duke thënë se po bëhen përpjekje për zhvillimin e komunave.

“Është një listë e gjatë e komunave dhe vendimeve që janë ndërmarrë në këtë drejtim dhe është me rëndësi fakti që vendimi nuk ka të bëjë vetëm me një rajon të caktuar të Kosovës, por me të gjitha pjesët e saj. Cilado komunë që ka kërkuar, Qeveria e ka adresuar dhe miratuar kërkesën e saj dhe bëhet fjalë vetëm për prona të caktuara dhe jo për të gjitha pronat që janë në proces të privatizimit”, ka thënë Donjeta Gashi, nga Zyra e Kryeministrit.

Vendimi i Qeverisë thotë se të gjitha pronat i kanë kaluar Mitrovicës Veriore dhe në pikën katër të të njëjtit vendim qartësohet se pronat nuk mund të shfrytëzohen për qëllime të tjera përveç destinimit të përcaktuar nga komuna.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i ka ofruar KTV-së dëshmi se për çka do të shfrytëzohen këto prona.

As kryetari Goran Rakiq nuk ka pranuar të flasë për KTV-në, duke thënë se është i zënë.