Kosova dhe Shqipëria në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive ndër vite kanë nënshkruar marrëveshje të cilat kishin për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.
Këto dy shtete kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.
Përveç këtij protokolli bashkëpunimi, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në fusha të veçanta.
Megjithatë, marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, në veçanti në aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve dhe njohës të fushës po vlerësohet se nuk po arrijnë të zbatohen.
Janë disa marrëveshje të cilat në aspektin ekonomik synojnë të përcaktojnë drejtimet kryesore, në të cilat të dyja palët Kosova dhe Shqipëria do t’i përqendrojnë përpjekjet e përbashkëta me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të dy shteteve.
Por, barriera ekonomike e tregtare ka pasur në vazhdimësi, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha këto marrëveshje mbesin në letër, ndërsa në praktikë nuk ka përafrim të dy vendeve në aspektin ekonomik.
“Të dyja shtetet kanë dështime të shumta si në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, si në aspektin e fuqizimit të rendit dhe të ligjit, po ashtu edhe në krijimin apo funksionalizimin e ekonomive të mirëfillta të tregjeve të Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshjet dhe takimet e përbashkëta ndërmjet qeverive sikur bëhen për të mbuluar të gjitha dështimet që qeveritë në të dy shtetet e tyre përkatëse kanë”, thekson Zeka.