Bukëpjekësit përballen me tregun e zi

Problemet e çmimit të bukës dhe rritja e çmimit të miellit ishin qëllimi kryesor i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me sektorin e bukëpjekësve.

Kryetari i Bordit të OAK-së , Skënder Krasniqi, kërkoi nga bizneset pjesëmarrëse t’i identifikojnë problemet me të cilat përballen, me qëllim të identifikimit të hapave të nevojshëm për të u ndërmarrë nga Oda.

Përfaqësuesi i D.P.Z Saranda . Artan Qenaj, tha se kontrolli nga Inspektorati Sanitar duhet të bëhet para hapjes së biznesit e jo pasi të filloj puna.

Reklama e sponzorizuar

“Kostoja për prodhimin e një buke kap vlerën prej 23 cent, ndërsa disa biznese vendore po e ofrojnë në treg me çmim prej 9 cent, çmim ky i cili nuk mbulon as shpenzimet për prodhimin e një buke” tha Vehbi Krasniqi, pronar i D.P.Z Besarti.

Krasniqi gjithashtu theksoi se për çdo bukë duhet të deklarohet pesha dhe në bazë të saj të caktohet edhe çmimi, pasi që vetëm në këtë mënyrë nuk do të dëmtohet biznesi dhe klienti.

Cenë Gjuraj, pronar i D.P.Z Apollonia , shtoi se një problem shumë i madh për sektorin e bukëpjekësve po vazhdon të mbetet tregu joformal, i cili edhe sot po është prezent dhe po funksionon lirshëm. Gjuraj theksoi që është shumë e nevojshme ndërhyrja e shtetit në rregullim të këtij problemi.

Në fund të këtij takimi u identifikuan hapat e mëtutjeshëm që do të iniciohen nga OAK me qëllim të përmirësimit të kushteve momentale të sektorit të bukëpjekësve.