Për më pak se dy dekada, Kosova me buxhetin e saj të varfër, po synon ta rrumbullakësojë ndërtimin e tri autostradave, të cilat pritet t’ia gëlltisin kuletës së shtetit plot 1 miliardë e 730 milionë euro.
Autostrada e parë e ndërtuar në Kosovë është ajo Durrës – Kukës – Morinë që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”. Në kuadër të kësaj autostrade që Kosovës i ka kushtuar rreth një miliard euro, autoritetet kompetente në Prishtinë, kanë përgatitur projektin për vazhdimin e autostradës Prishtinë – Merdar – Nish. Projekti përkrahet nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, aktualisht, në proces të ndërtimit është autostrada, “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë, kurse gjatë këtij viti, pritet të fillojë edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Konçul, që lidh Kosovën me Serbinë jugore, përkatësisht Luginën e Preshevës, ku jeton shumica shqiptare.
Realizimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, ka filluar në vitin 2014, kurse punët sipas planit, duhet të përfundojnë në fillim të vitit 2018. Kjo autostradë, sipas parashikimeve të Qeverisë, do të kushtojë rreth 600 milionë euro.
Por ende pa përfunduar autostrada që lidh Kosovën me Shkupin, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se tashmë është shpallur tenderi për ndërtimin e autostradës së tretë në Kosovë. Bëhet fjalë për autostradën, Prishtinë – Gjilan – Konçul, duke synuar ta lidhin Kosovën me korridoret evropiane. Kjo autostradë që është e treta me radhë ka gjatësi rreth 22 kilometra me një çmim prej 130 milionë eurosh.
Në total, ndërtimi i këtyre tri autstradave i ka kushtuar buxhetit të shtetit plot 1 miliardë e 730 milionë euro. /Buletini Ekonomik/