GATI GJYSMA E FITIMIT TË BANKAVE NGA TARIFAT E SHËRBIMEVE

Në vitin 2017, profiti i sektorit bankar në Kosovë shënoi rritje vjetore prej 13.1 përqind, dhe kjo sipas raportit të stabilitetit financiar për vitin 2017 është ndikuar nga rritja e të hyrave nga tarifat dhe komisionet, si dhe rënia e shpenzimeve për provizione.

Vlera e profitit neto arriti në 85.4 milionë euro. Gati gjysma e këtij fitimi vjen nga të hyrat prej shërbimeve.

“Të hyrat neto nga jo-interesi shënuan rritje të theksuar nga viti paraprak, duke arritur të jenë më të larta për 23.95 milionë euro (apo për 135.3 përqind më të larta). Të hyrat nga tarifat dhe komisionet shënuan rritje vjetore për 16.0 përqind, dhe ishin ndër faktorët kryesorë të rritjes së profitit krahas rënies së shpenzimeve për provizione”, thuhet në raportin e BQK-së.

Reklama e sponzorizuar

Këto të fundit u zvogëluan për 10.3 milionë euro, duke zbritur në vlerën prej 6.3 milionë euro në dhjetor 2017.

Rënia e shpenzimeve për provizione është në linjë me përmirësimin e kualitetit kreditor, kushteve të favorshme ekonomike dhe stokut të lartë të provizioneve që bankat kanë mbajtur ndër vite për mbrojtje nga humbjet e kredive. /Buletini Ekonomik/