Zyra Ligjore e presidentit të Kosovës, duke u mbështetur në qëndrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të premten e kaluar ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e neneve 92 dhe 94 të Kushtetutës së Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjen e një numri pronash që menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kllokotit, Ranillugut dhe komunave të tjera.
Në kërkesën e Zyrës Ligjore të Presidentit, të cilët e ka siguruar KosovaPress, i kërkohet Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë dy nene të Kushtetutës së Kosovës.
Në pjesën ku saktësohet kërkesa e Zyrës Ligjore të Presidencës, thuhet se në pajtim me Kushtetutën, llojet e pronës duhet të jenë të rregulluara me ligj, ku do të hynte edhe rregullimi i pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës.
“Republika e Kosovës, nuk e ka Ligjin për Pronën Publike, që do të rregullonte, në mënyrë të detajuar edhe çështjen e bartjes së pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës në shfrytëzim të komunave”, thuhet në njërën nga pikat. Sipas interpretimit të Presidencës, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet që vendimet t’i merr në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet.
Në argumentimin e Zyrës Ligjore të Presidentit thuhet se procedura me legjislacionin në fuqi për kthimin e pronave nga komunat, tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave dhe kthimin e tyre në pronësi të komunave, përcakton se Agjencia Kosovare e Privatizimit është autoriteti që merr vendim për aprovimin e kërkesave të parashtruara nga autoritetet lokale. Presidenca ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të qartësojë rastet kur nuk ka procedurë apo nuk respektohet procedura përkatëse në fuqi.
“A duhet t’i anuloj të gjitha vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës, për shfrytëzim, tek komunat, në mungesë të bazës ligjore; dhe duhet t’i rishikoj të gjitha vendimet, që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave dhe kthimin e tyre në pronësi të komunave dhe të respektoj procedurat sipas legjislacionit në fuqi për këtë çështje”, thuhet në kërkesën e Zyrën e Presidencës.
Kjo është kërkesa e plotë e Zyrës Ligjore të Presidencës dërguar Gjykatës Kushtetuese: