Projektet për aftësime profesionale përkrahin punëkërkuesit

Sipas anketës së fuqisë punëtore, e cila ishte publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, dy të tretat e popullësisë në vend gjatë vitit 2018 kanë qenë të papunë. Një papunësi e lartë është vlerësuar të jetë edhe gjatë këtij viti e kjo edhe si rrjedhojë e moskualifikimit të qytetarëve për shumë punë, shkruan Gazeta “Zëri”. 

Edhe pse shumë të rinj janë të kualifikuar për punë të ndryshme, atyre u ofrohet një mundësi që përmes aftësimit profesional të përgatiten për disa profesione.

Bedri Xhafa, udhëheqës i përgjithshëm në Agjencinë e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK), ka thënë për “Zërin” se njëra prej formave me të cilat kjo agjenci u ofron përkrahje punëkërkuesve në punësimin e tyre është aftësimi profesional.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, profesionet që kanë të bëjnë me mjeshtri të ndryshme në ndërtimtari janë profesionet më të kërkuara, por që edhe profesionet specifike në bujqësi, sidomos në fushë e përpunimit të produkteve, fusha e IT-së, por edhe njohja e gjuhës gjermane kanë filluar të jenë mjaft të kërkuara në Kosovë.

Xhafa ka bërë të ditur se si organizatë përmes projekteve të ndryshme u ofrojnë aftësime profesionale punëkërkueseve.

“Në projektin SWEI, i financuar nga Komisioni Evropian, 20 punëkërkues nga regjioni i Prizrenit janë duke u trajnuar në trajnimin ‘Punëtorë për mbledhje, kultivim dhe përpunim të frutave të malit’. 20 punëkërkues nga regjioni i Prizrenit janë duke u trajnuar në trajnimin ‘Punëtorë për mbledhje, kultivim dhe përpunim të bimëve mjekësore dhe aromatike’. 20 punëkërkues nga regjioni i Prizrenit janë duke u trajnuar në trajnimin ‘Si ta themeloj dhe ta zhvilloj afarizmin privat?’”, ka thënë ai për “Zërin”. 

Sipas tij, si Agjenci kanë bashkëpunim edhe me institucione në Gjermani.