Ekziston një llojllojshmëri produktesh të importuara nga Serbia, duke filluar nga energjia elektrike e deri tek “krem-bananet”.
Në tri vitet e fundit, nga Serbia kemi importuar energji elektrike në vlerë mesatare vjetore prej 35 milionë euro.
Por cilat janë produktet e luksit me origjinë nga Serbia që konsumohen më të madhe në Kosovë?
Brenda vitit përafërsisht importohen mbi 10 milionë “krem-banane”, 2.3 milionë pako “Plazma”, e afro gjysmë milioni çokollada “Cipiripi”.
Për shkak se mallrat që shiten në Kosovë, Serbia i konsideron si mallra që shiten në “territorin e saj” e jo si eksport, është vështirë të dihet saktë se çfarë pozite zë tregu i Kosovës për eksportin e përgjithshëm të Serbisë. Në vitin 2015, eksportet e Serbisë tejkalonin 12 miliardë euro, mbi 65% e të cilave eksportoheshin në vendet e Bashkimit Evropian.
Nëse e krahasojmë me këtë, del se përafërsisht eksporti i mallrave serbe në Kosovë përbën rreth 3.4% të eksportit të përgjithshëm, çfarë e bën Kosovën një ndër gjashtë tregjet më të rëndësishme për Serbinë.