KEDS-i, më vonë KEDS/KESCO, pronari i ish – Distribucionit të ish-Elektroekonomisë së Kosovës, që pas privatizimit më 2013, ka gëzuar benefite dhe favore të panumërta nga subjekte dhe vendimmarrës në zhvillimet elektroenergjetike në Kosovë. Një favor, pikant, kolosal i madh mbetet akoma çmimi i ulët deri në përbuzje, me vite i pandryshueshëm, i energjisë elektrike (29,5 euro një megavat-orë), të cilën KESCO e blenë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe të cilin pastaj ua shet shumëfish më shtrenjtë konsumatorëve kosovarë.
Mehmet GJATA
KEDS/KESCO, kompanitë turke, ose deri vonë kompania e vetme nga Turqia (e dyzuar disa vite më parë në dy njësi –kompani, atë për distribuimin e energjisë elektrike-KEDS dhe në atë për furnizimin e Kosovës me rrymë-KESCO, që në fakt është KEDS-i që kishte privatizuar ish – Distribucionin e ish-Elektroekonomisë së Kosovës më 2013) që nga ajo kohë ka gëzuar benefite dhe favore të panumërta nga subjekte dhe vendimmarrës në zhvillimet elektroenergjetike në Kosovë. Duhet ripërsëritur se një favor kolosal i madh ishte çmimi me të cilin ishte blerë më 2013 Ish-Distribucioni me të gjithë infrastrukturën aneembanë Kosovës, me asetet e panumërta, me pajisjet e shumta.
Ish-Distribucioni u ble me 26 milionë e ca euro, ndërkohë që ekspertë të shumtë parashihnin çmimin real shumëfish përtej këtij me të cilin u shit kjo pasuri e madhe e Kosovës. Pastaj, vijnë me radhë favore të tjera të shumta. Një tjetër favor pikant dhe, për shumë njohëse të tregut energjetik në vend dhe në botë, i pakuptueshëm dhe i diskutueshëm, është gjithsesi çmimi i ulët deri në përbuzje, me vite i pandryshueshëm, i energjisë elektrike, të cilën KESCO e blenë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe të cilin pastaj ua shet shumëfish më shtrenjtë konsumatorëve kosovarë.
KEK-u ia shet me vite të tëra energjinë elektrike KESCO-s me çmimin 29,5 euro. Ky çmim është në fuqi dhe nuk ka ndryshuar fare asnjëherë që nga viti 2019, dhe për ma tepër siç kanë deklaruar zyrtarët e KEK-ut, ky çmim mbetet në fuqi edhe gjatë vitit 2025. Çmimi me të cilin KEK e shet energjinë elektrike te KESCO, i pandryshuar për më shumë se 5 vjetë e sa, siç shihet nga këto të dhëna, është shumë më i ulët se çmimet e rrymës në tregjet ndërkombëtare ndër vite (shumë më i ulët edhe se çmimet aktuale në tregjet ndërkombëtare), dhe natyrisht është një favor i veçantë që i bëhet një kompanie private me çmimin e produkteve të prodhuara nga resurset e Republikës sonë. Ndërkohë, KESCO, po këtë energji, që e siguron me çmimin 29,5 euro për një megavat-orë, ua shet konsumatorëve kosovarë me çmimin rreth tre her më të lartë, ose diku mbi 80 e sa euro për megavat-orën.
Pas shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike nga ZRRE-ja për 16,1 për qind, për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, çmimi i një megavati të blerë nga KEK-u për 29,5 euro, i bie që KESCO t’ua shes kosovarëve për rreth 100 euro megavatin. Ky është favor i madh, i padiskutueshëm dhe që do të duhej që KESCO të jetë mirënjohëse deri në përulje ndaj KEK-ut, por edhte shtetit të Kosovës, që ia ka krijuar dhe vazhdon t’ua krijojë këtë favor, që ka ndikime të drejtëpërdrejta në afarizmin dhe fitimin neto të kompanisë turke. Por, KESCO, në këto pesë vjet nuk u tregua në asnjë rast të vetëm mirënjohëse për këtë favor. Përkundrazi, në vend që kosovarëve t’ua kthej të mirën me të mirë, ose me një të mirë edhe simbolike, KEDS/KESCO, nuk prajti së kërkuari vazhdimisht ngritje çmimi të energjisë elektrike, duke përdorur të dhëna jo reale, qoftë të importit, jo rrallë edhe të konsumit. Dhe, ZRRE-ja, një asociacion i krijuar nga Kuvendi i Kosovës, pa ngurrime të mëdha, deri tash i miratoi këto kërkesa.
Në këtë mënyrë, nga viti 2019, qëkur pra KESCO vazhdon ta blejë energjinë elektrike nga KEK-u me çmimin 29,5 euro për një megavat-orë, kanë ndodhur disa ngritje të mëdha të çmimit të rrymës në Kosovën e varfër. Së fundi, më 15 prill ZRRE-ja miratoi çmimin e praralajmëruar për t’u ngritur shumë kohë më parë, prej 16, 1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumit.
Thënë ndryshe, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë u bë i lartë, dhe si i tillë për pjesën dërrmuese të popullatës së varfër, tashmë është bërë vështirë i përballueshëm, ose edhe i papërballueshëm fare. Favori i tregtimit të rrymës në realacionin KESCO-KEK, ka qenë fakt i bollshëm, që, më në fund, kësaj radhe ZRRE-ja një herë e mirë t’i thotë KESCO/KEDS-it se në sektorin energjetik të Kosovës nuk ka asnjë arsye të vetme për ngritje çmimesh. Dhe me këtë kundërshtim të kërkesave që nuk po prajnë kurrë të furnizuesit dhe të shpërndarësit të energjisë elektrike, të sfidohen më në fund shantazhet banale të KESCO/KEDS për të ngritur sërish dhe sërish çmimin e rrymës.
Po e ripërsërisim, pas ngritjes enorme tre herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej 1,5 vjetësh, (së pari më 2021 shumë mbi 100 për qind dhe një herë në shkurt të 2022-tës (rreth 30 për qind) dhe në prill të 2023-tës (diku përtej 15 përqindshit), dhe çmimit favorizues të pandryshueshëm që nga 2019-ta, nuk pati asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore, por as logjikë ekonomike që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne. Tjetër favor i theksueshëm që i bëhet KEDS-KESKO-s nga Kosova është pranimi i humbjeve, të cilat arrijnë në dhjetëra miliona euro, dhe të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët. Humbjet, së paku deri tash janë pranuar, pa verifikim dhe hulumtim serioz paraprak të ndodhjës së tyre. “Çdo vit miratohet plani i investimeve në rrjet, kostoja e të cilit llogaritet në tarifat që paguajnë konsumatorët. Prandaj, është e natyrshme që humbjet e llogaritura të energjisë në rrjet të reduktohen vit pas viti, e jo të mbesin të njëjta, aq më pak të rriten. Gjithashtu, është e ditur se pagesat nga ana e konsumatorëve për energjinë e konsumuar janë gjithnjë e më të rregullta, e cila gjë duhet të shpie në ulje të humbjeve të llogaritura dhe të reflektuara në tarifa”, ka deklaruar këto ditë, me rastin e ringritjes së çmimit të rrymës në Kosovë, Avdullah Hoti, një deputet i zëshëm nga LDK-ja dhe njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike në vend.
Gjithsesi, favore kundrejt KESCO-s janë edhe miratimet apriori nga ZRRE-ja të kërkesave të pandalura për ngritje çmimesh të rrymës dhe pranimi i arsyesve të paqena dhe të diskutueshme për çmimet e reja të ngritura, dhe këto miratime, gjithsesi, në dëm të konsumatorit kosovar. Kjo u dëshmua edhe më 15 prill 2025, ku njëanshëm qind për qind iu përmbushën tërësisht kërkesat e KEDS/KESCO-s për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike (ngritje kjo e tretë brenda dy-tre vjetësh) dhe duke i injoruar, po kështu qind për qind, të gjitha ankesat, kërkesat, komentet, arsyetimet e kosovarëve, dhe duke mos e përfillë asnjërën nga to.
Në qindra e qindra ankesa, komente dhe analiza kundër rritjës së re të çmimit të rrymës, shumë prej tyre në këtë periudhën qëkur ishte bërë paralajmërimi për ngritje çmimi të rrymës të bëra publike, dëshmohet katërcipërisht se nuk qëndron praktikisht asnjëra nga arsyetimet e ZRRE-së për të ringritur kaq shumë çmimin e rrymës në Kosovë. Këto janë favore ndaj KESCO dhe kërkesave absurde të kompanisë turke, të shpërfaqura publikisht. Sikundër që janë favore edhe “katër shkaktarët” që sipas drejtorit menaxhues të ZRRE-së, Petrit Pepaj, të pohuara me 15 prill pas mbledhjes së ZRRE-së paskan “ndikuar në rritjen e kostos”. Favor, qoftë me vetëdije, qoftë nga padituria, në një farë mënyre është edhe heshtja e organeve dhe zyrtarëve kompetentë të Kosovës ndaj rasteve të importeve të energjisë elektrike nga KESCO, për vitin 2024, dhe dyshimeve për rritje të qëllimshme të kostove nga kompanitë e licencuara prej ZRrE-së, sidomos sa i përket transportit të energjisë elektrike përmes linjave ndërkombëtare.
Me gjasë së shpejti do të kenë punë organet e drejtësisë. Fundja, ky favor ka nxitur dhe ka shtyrë prokurorinë e Shtetit për të paralajmëruar nisjen e hetimeve në rastin e importeve të energjisë elektrike nga KESCO, për vitin 2024, pas dyshimeve për rritje të qëllimshme të kostove nga kompanitë e licencuara prej ZRrE-së, sidomos sa i përket transportit të energjisë elektrike përmes linjave ndërkombëtare. Ky paralajmërim vjen pas publikimit në seri të një hulumtimi në Buletini Ekonomik, ku zbardhen “prapaskenat” e rritjes se kostove në import të energjisë elektrike, që vetëm për transport të energjisë, rritja ka shkuar në 907 për qind më shtrenjtë se në vitin 2023. Favor është edhe mosdeklarimi i qartë asnjëherë deri më tash nga KESCO i realizimit të investimeve kapitale në modernizimin e rrjetit, të obliguar me rastin e shitblerjes së ish-distribucionit, përkatësisht vetë privatizimit të këtij resursi të rëndësishëm të vendit.
Siç dihet, në marrëveshjen e privatizimit KEDS- institucionet e vendit, të arritur më 2013, është paraparë që KEDS, në periudhën 19-vjeçare të investojet së paku 300 milionë euro në modernizimin e rrjetit të furnizimit të Kosovës ne energji elektrike. Por, deri më tash, opinioni i këtushëm asnjëherë nuk është njoftuar për përmbushjën apo jo të kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, jo në pak raste, në këto vite, si shkaktar i reduktimeve, por edhe ndërprejeve të furnizimit të energjisë elektrike në shumë rajone të Kosovës KESCO ka apostrofuar rrjetin e vjetruar të furnizimit. Dhe, KESCO, nuk pranë së kërkuari ngritje çmimesh të energjisë elektrike në Kosovës, që nënkupton favore të tjera përfituese./Buletini Ekonomik