Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësim për gjendjen në Postën dhe Telekomin e Kosovës. Përfaqësues të kësaj lëvizje në një konferencë para objektit të PTK-së kanë thënë se dje janë bërë 4 muaj që kur në Kuvend u miratua rezoluta për Telekomin kurse Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e 12 pikave të saj.
Në këtë konferencë, Vetëvendosje kërkoi bllokimin e plotë të kontratës me “Z-Mobile” dhe bëri thirrje që të hetohen “kontratat kriminale që po gërryejnë Telekomin”.
Fatban Bunjaku nga Komiteti për komunikime elektronike dhe postare të Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar edhe punën e ish-kryeshefit të PTK-së, Gent Begolli.
“Aktualisht Telekomi i Kosovës është pa kryeshef dhe kryeshefi i cili na kumtonte se është duke sanuar gjendjen aty papritmas dha dorëheqje. Jemi në dijeni se në gjykatën komunale po udhëhiqet një proces që tenton me anë të përmbarimit të ja zhvatë Telekomit disa dhjetëra milionë euro në favor të Z mobile”, ka thënë ai.
Ai po ashtu, ka kritikuar zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të PTK-së, duke e konsideruar si person pa eksperiencë.
“Këto ditë po flitet se ushtrues detyre në Telekom është vendosur Trim Musliu, producent filmash dhe me pak eksperiencë në fushën e menaxhimit të Telekomit. Mosveprimi sipas rezolutës është pjesëmarrje aktive në rrënimin e kësaj ndërmarrje”, është shprehur Bunjaku.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë në kompetencat e saj karshi kontratës kriminale që po e gërryen Telekomin. Nuk mjafton të marrë në gjykim ish-drejtues, por duhet ta bllokojë kontratën”, ka shtuar ai.