Në konferencën e fundvitit, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, e ka paraqitur vitin 2018 si vitin me më së shumti raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.
“Gjatë këtij viti ka pasur 23 raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e punës. Fatkeqësisht është numër rekord”, ka thënë kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Sipas Azemit, këto raste, ndër të tjerash po ndodhin si mungesë e edukimit të pronarëve dhe punëtorëve.
“Inspektorati i punës komplet ka dështuar në këtë vijë në te cilën po shkojnë jetët e punëtorëve”, ka thënë Azemi, përcjell KP.
Azemi po ashtu tha se rreth 50% e punëtorëve të sektorit privat punojnë pa kontrata pune, pa siguri e një pjesë e tyre janë edhe nën moshë madhore.
Në këtë mënyrë, ai tha se shteti po bën krim ndaj punëtorëve të sektorit privat dhe situatën aktuale e ka quajtur gjendje jashtëzakonisht të rrezikshme.
Në emër të BSPK-së, Azemi kërkoi që Qeveria të formojë një fond social, në mënyrë që ta ketë për mbështetje në rastet kur bëhet padrejtësi ndaj punëtorëve në vendin e punës.