Të rinjtë nga komuna të ndryshme të Kosovës, vitin që po mbaron e konsiderojnë të zakonshëm si vitet paraprake, me ngecje në aspektin politik dhe ekonomik.
Ata shpresojnë që në vitin 2019 të ketë perspektivë më të madhe për të gjithë qytetarët.
Agnesa Qorri studente e shkencave politike, nga Komuna e Drenasit thotë për KALLXO.com, se në Kosovë mungon stabiliteti ekonomik.
Ndërsa, sipas saj 2018 ka qenë vit i dështuar për politikën kosovare.
“Vitin 2018 në aspektin ekonomik në Kosovë e vlerësoj më të mirë se vitin e kaluar, megjithatë ende mungon stabiliteti ekonomik në vend. Ndërsa sa i përket aspektit politik, viti 2018 ka qenë i dështuar për Kosovën. Pasi që pas gjithë atyre ‘përpjekjeve’ për t’i përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, politika e jashtme dhe e brendshme e Kosovës dështoi”, tha ajo.
Agnesa thekson se gjatë këtij viti nuk pati ndonjë përparim as në dialogun me Serbinë, pasi sipas saj Kosovës iu tërhoqën disa njohje të shtetësisë.
“Ndërsa kishte edhe disa situata ku Kosova e tregoi veten shtet të vendosur me vënien e taksës ndaj Serbisë që e vlerësoj si pozitive, dhe po ashtu miratimin e ligjeve për Ushtrinë e Kosovës”, shtoi ajo.
I zhgënjyer me ndodhitë e vitit 2018 është shprehur edhe Shpend Sylejmani nga Komuna e Lipjanit.
“Në këtë vit që po shkon, në aspektin ekonomik, Kosova është si vitet e kaluara, pasi nuk ka pasur edhe aq zhvillim. Nuk ka hapje të fabrikave të reja në mënyrë që të punësohen qytetarët, shumica e të cilëve janë të pa punë dhe kanë dëshirë dhe vullnet që të gjejnë punë”, u shpreh ai.
Shpendi shton se politika nuk është fushë me interes për të, megjithëse kërkon që të ketë vendimmarrje në dobi të qytetarëve.
“Për nga aspekti politik nuk jam edhe aq i interesuar sepse është bërë monotoni duke i dëgjuar të njëjtat gënjeshtra për çdo vit, pasi nuk po ka përparim në asnjë fushë. Megjithatë politikanët duhet të bëjnë shumë në mënyrë që ne të rinjtë dhe qytetarët e Kosovës të kemi një jetë më të mirë këtu”, tha ai.
Në anën tjetër, më shumë pesimizëm për 2018-ën shfaq M.SH, studente nga Prishtina.
Ajo tha se papunësia është problem kryesor me të cilin ballafaqohen qytetarët e veçanërisht të rinjtë.
“Ekonomia është në të njëjtin standard siç ka qenë gjithherë. Papunësia e lartë është problemi kryesor. Në fushën e politikës nuk kam mendim specifik sepse nuk i përcjelli zhvillimet politike për shkak të politikanëve”, tha ajo.
Ndërkaq, Prizren Neziraj student nga Juniku, thotë se shifrat për rritje ekonomike po i demanton numri i të papunëve në Kosovë.
“Viti 2018 mund të ketë progres ekonomik në statistikat zyrtare, por bashkë me të po rritet numri i të papunëve dhe po zvogëlohet shpresa për një perspektivë më të mirë në vendin tonë”, tha ai.
Për Majlinda Ibrahimin nga Ferizaj, gjendja e politike dhe ekonomike në vend ka qenë një avaz i vjetër.
“Edhe këtë vit kemi dëgjuar skandale të llojllojshme dhe asnjë përgjegjësi institucionale dhe këtë traditë politike e konsideroj si ofendim të inteligjencës së qytetarëve. Përpos që inteligjenca jonë fyhet çdo ditë, gjithashtu ne të rinjtë nuk arrijmë të sigurojmë një mirëqenie të duhur e kjo për shkak se çmimet janë shumë të shtrenjta për standardin tonë ndërsa pagat shumë të ulëta”, thotë ajo.
Sipas Majlindës, interesimi i qytetarëve për të migruar ne vende evropiane është provë që dëshmon gjendjen e rinisë në Kosovë.
“Nuk ka asnjë investim që ka arrit të më josh edhe me më bind se këtu mund të ketë perspektivë. Edhe kështu besoj që mendojnë shumë qytetarë te tjerë. Prova më e bindëse ishte vërshimi i mijërave qytetarëve në Prizren për t’u informuar rreth punësimit në Gjermani”, theksoi ajo.
Edhe Fatlind Çoçaj nga Prizreni, vitin 2018 e cilëson si të dështuar në aspektin politik.
“Ndërsa sa i përket aspektit ekonomik, puna që një qytetar e kryen në krahasim me sasinë e përfitimit që e merr ose pagesën, e prodhon një dëshirë gjiqante për largim nga vendi”, tha ai për KALLXO.com.
Çfarë presin të rinjtë në vitin 2019?
Shpendi shpreson që në vitin 2019 të luftohet më shumë korrupsioni si dhe të hapen më shumë konkurse për punësimin e qytetarëve.
“Për vitin e ardhshëm do të kishte qenë mirë që të minimizohet pak korrupsioni, pasi për ta eliminuar atë totalisht nuk është e mundshme dhe ti jepet përparësi atyre njerëzve që janë të kualifikuar për një punë të caktuar. Dhe lidhur me këtë, nuk duhet të shikohet se në cilën parti politike është personi i cili aplikon nëpër konkurset që hapen edhe pse me thënë të drejtën, ka pak konkurse pune në Kosovë”, tha ai.
Kurse, Agnesa shpreson që gjatë vitit 2019, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, t’i hyjë më seriozisht punës dhe të lobojë për njohje të reja të Republikës së Kosovës.
“Nuk duhet t’i lejohet Serbisë t’i bindë shtetet tjera ta tërheqin njohjen e shtetësisë për Kosovën. Të punohet më shume për t’u zbatuar ligjet që miratohen, dhe të ketë bashkëpunim me shtetet e tjera që na mbështesin vazhdimisht”, thotë ajo, duke shtuar se në vend duhet të rritet eksporti i prodhimeve vendore.
Ndërkaq, M.SH synon që të zhvendoset nga Kosova dhe të jetojë në ndonjë vend perëndimor.
“Nuk pres asgjë hiç, madje më as që më intereson të di se çka ndodhë këtu sepse synim e kam me u zhvendosë në perëndim si krejt rinia e Kosovës”, theksoi ajo.
Sipas Prizrenit, e nesërmja është produkt i veprimeve që bëhen në të sotmen.
“Nuk duhet pritur vitet që ta sjellim ndryshimin në Kosovë, por mendoj se duhet në çdo moment të përpiqemi që e nesërmja të jetë ndryshe, të ketë një perspektivë ekonomike dhe politike më të mirë, që çdo njëri ta shprehë kontributin dhe talentin e tij në vendin tonë”, theksoi ai.
Prizreni shpreson se të rinjtë e Kosovës viteve të ardhshme të ndihen të vlerësuar dhe të respektuar si punonjës.
Në anën tjetër, Majlinda nuk ka pritshmëri të mëdha për ndryshime gjatë 2019-ës.
“Vitin tjetër nuk kam pritshmëri për ndonjë ndryshim drastik, por vetëm shpresoj që së pari mentaliteti politik të ketë reflektim, ku për çdo dështim ka me pas përgjegjësi e dorëheqje nga politikanët pasi kjo praktika e tanishme është shumë frustruese”, u shpreh ajo për.