Haradinaj: Kurrë nuk i qesim tarifë Shqipërisë, duam fqinjësi të mirë me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se qytetarët e Kosovës nuk hezitojnë të shkojnë kah paqja, por mos të pret askush se do të ndërtojë paqe dikush në dëm të Kosovës.

Haradinaj këto komente i bëri në 20 vjetorin e çlirimit të Komunës së Pejës dhe Deçanit, ka marrë pjesë në përurimin e sheshit “Shkëlzen Haradinaj”, zbulimin e shtatores së Heroit të Kombit Gjeneral Major Shkëlzen Haradinaj dhe Obeliskut të 183 dëshmorëve nga Komuna e Pejës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se madhështinë e veçantinë të kësaj dite nuk e bënë veç obelisku edhe shtatorja, por e bëjnë edhe prezenca e njerëzve këtu.

Reklama e sponzorizuar

“Fati e ka deshtë që gjatë luftës me qenë më afër me luftëtarët e Pejës e të Dukagjinit sesa me mua e me Dautin. Ne kur flasim për rrugën tonë deri në liri nuk harrojmë kontributin. Jemi në Pejën e Haxhi Zekës, asnjëherë nuk do t’i harrojmë. Ne e dimë që me mbrojt Pejën e Kosovës Rugova ka qenë e pakalueshme. Nuk harrojmë ata që kanë mbrojtur Kosovën. Unë jam dëshmitar, 74 përqind e infrastrukturës së Pejës ka qenë e shkatërruar, qindra të vrarë. Kjo është historia e Pejës, po kështu është historia e gjithë Dukagjinit. Nuk dëshirojmë liri që e izolojmë lirinë, e izolojmë popullin tonë. Ne e kemi kërkuar lirinë tonë po e kemi kërkuar lirinë për t’iu bashkuar popujve tjerë, botës, NATO-s. Dëshirojmë me lirinë tonë me u kyç në lirinë e të tjerëve. Kemi përuruar autorrugën me Maqedoninë e Veriut, ku kemi treguar se si mund të lidhemi. Ne jemi të interesuar me i thelluaar marrëdhëniet me shtetin e Malit të Zi për një gatishmëri të tyre për të zgjidhur çdo problem. Ne kemi me i takuar familjes evropiane. Ne jemi krenar që si Dukagjin e kemi dhënë provimin në kohën e luftës, Dukagjini nuk e la vet Drenicën, nuk i la Jasharajt. Kurrë nuk kemi me i tradhëtuar miqtë dhe aleatët tanë. Ka plot punë që duhet me u kry, por e meritojmë një autoudhë. Ne jemi të hapur për tregti të lirë, ne kurrë nuk kemi me i qitë tarifë Shqipërisë, janë fjalët e rrugës. Është mirë me e heq edhe ata atë 5 eurosh. Ne jemi të interesuar për fqinjësi të mirë edhe me Serbinë. Duhet me u shkrua një kornizë marrëveshje, nuk është territori. Ajo që ka mbetur me u zgjidh është marrëdhënia bilaterale. Nuk pretojmë të shkojmë kah paqja, por mos të pret askush se do të ndërtoj paqe dikush në dëmë të Kosovës”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se përmendorja dhe obelisku janë obligim për qytetin e Pejës.

“Përmendorja e Shkelzenit dhe obelisku i dëshmorëve janë jo vetëm një obligim, por nder për qytetin e Pejës. Institucionet e Kosovës të punojnë ndershëm që dëshmorët që ranë të kenë një atdhe me të cilën të krenohen”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se shtatorja dhe obelisku tregojnë rrugën deri tek liria.

“Sot jemi së bashku në një ditë tepër të veçantë. Obilisku ku janë gdhendur emrat e dëshmorëve dhe shtatorja e Shkëlzen Haradinaj, na kujton rrugën se kah kemi ardhur deri tek 16 qershori i vitit 1999”, tha ai.

Në emër të bashkëluftëtarëve foli Gëzim Osdreni, i cili tha se Shkelzeni ra për të mos vdekur kurrë.

“Shkelzeni ishte aq i qetë, aq i vendosur për të arritur çdo betejë. Të gjithë shqiptarët u ndjen me zemër të copëtuar me humbjen e Shkelzenit, por tani janë krenar për veprën e tij. Shkelzeni ka rënë për të mos vdekur kurrë”, tha ai.

Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe ish- presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.

“Rroftë Kosova e lirë, rroftë populli i Kosovës, rroftë gjithë popullata shqiptare”, tha ai.